Hytbe e Sygjeruar për Kurban Bajramin

May 26, 2026

 Të nderuar besimtarë!

Sot është një ditë e madhe. Është dita e Kurban Bajramit, një nga ditët më të bekuara të vitit.

I Dërguari i Allahut, Muhamedi ﷺ, ka thënë: “Çdo popull i ka festat e veta, ndërsa festat e muslimanëve janë dy: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami.”

Bajrami është simbol i unitetit, mëshirës dhe vëllazërisë islame.

Kurban Bajrami na kujton vlerat e fisnikërisë, bujarisë, sakrificës dhe devotshmërisë ndaj Allahut.

Kjo festë lidhet ngushtë me Haxhin, shtyllën e pestë të Islamit, ku muslimanët nga mbarë bota, pa dallime race, kombi apo pasurie, mblidhen në faltoren e lashtë — Qaben e bekuar — për të adhuruar Zotin e tyre, duke dëshmuar njëkohësisht unitetin dhe vëllazërinë islame.

Haxhi është përkushtim i sinqertë ndaj Allahut dhe rikujtim se Qabeja mbetet drejtimi shpirtëror i të gjithë muslimanëve.

وَأَذِّنْ فِي النَّاسِ بِالْحَجِّ يَأْتُوكَ رِجَالاً وَعَلَى كُلِّ ضَامِرٍ يَأْتِينَ مِنْ كُلِّ فَجٍّ عَمِيقٍ

“Thirri njerëzit që të kryejn Haxhin! Ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta.” (El-Haxh, 27)

  • Një tjetër simbolikë e madhe e kësaj dite është edhe …simbolika e kurbanit

Kurban Bajrami është dita e kujtesës së sakrificës së madhe të Ibrahimit (alejhi selam) dhe bindjes së tij absolute ndaj urdhrit të Allahut.

Kur Allahu e urdhëroi të sakrifikojë birin e tij; Ismailin, ai nuk hezitoi.

Ky ishte kulmi i përkushtimit, bindjes dhe dashurisë ndaj Allahut.

فَلَمَّا بَلَغَ مَعَهُ ٱلسَّعۡيَ قَالَ يَٰبُنَيَّ إِنِّيٓ أَرَىٰ فِي ٱلۡمَنَامِ أَنِّيٓ أَذۡبَحُكَ فَٱنظُرۡ مَاذَا تَرَىٰۚ قَالَ يَٰٓأَبَتِ ٱفۡعَلۡ مَا تُؤۡمَرُۖ سَتَجِدُنِيٓ إِن شَآءَ ٱللَّهُ مِنَ ٱلصَّٰبِرِينَ

Kur ai (Ismaili) arriti moshën që të ndihmonte babanë e tij, Ibrahimi i tha: ‘O biri im! Kam parë në ëndërr sikur po të flijoj. Ç’mendon ti?’ Ai tha: ‘O babai im, bëj siç të është urdhëruar; do të më gjesh, inshaAllah, prej të durueshmëve.’ (Es-Saffat, 102)

Ky është kulmi i besimit: kur zemra e besimtarit e vendos dashurinë për Allahun mbi çdo gjë tjetër në këtë botë.

Allahu e sprovoi Ibrahimin që të zgjidhte midis dy dashurive: dashurisë për Allahun dhe dashurisë për djalin e tij të vetëm.

Atij iu kërkua, si sprovë, që me dorën e tij të bënte kurban krijesën më të dashur për zemrën e tij, Ismailin (a.s.).

Të sakrifikonte birin që e kishte pritur për një jetë të tërë…
Birin për të cilin ishte lutur me vite…
Birin që zemra e tij e donte më shumë se çdo gjë në dynja…

Por dashuria për Allahun ishte më e madhe……

Dhe Ibrahimi pranoi ta bënte këtë sakrificë tepër të vështirë për hir të Allahut.

Natyrisht që kjo ishte vetëm sprovë, e kur ai u bë gati ta bënte kurban djalin e tij, Allahu i Madhëruar e thirri: “O Ibrahim, ti e përmushe urdhërin e Zotit tënd!” dhe ia zëvendësojë kurbanin me një dash të majmë. Kështu Ibrahimi a.s. e kaloi me sukses këtë sprovë të vështirë.

Allahu e ka treguar këtë histori në Kuran që ne të nxjerrim mësim prej saj dhe të kuptojmë vlerën e sakrificës për hir të Zotit të gjithësisë.

Besimtari gjithnjë sakrifikon diçka nga vetja e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit.

Sakrifikon nga pasuria e tij, nga koha, nga rehatia dhe nga dëshirat e tij, vetëm që Allahu të jetë i kënaqur me të.

Të jesh besimtar do të thotë të sakrifikosh për hir të Zotit.

Për çdo sakrificë të bërë me sinqeritet, besimtari shpreson shpërblimin tek Allahu dhe pa dyshim se do ta gjejë atë.

فَإِنَّ اللَّهَ لَا يُضِيعُ أَجْرَ الْمُحْسِنِينَ

“Vërtetë, Allahu nuk ua humb shpërblimin punëmirëve” Hud: 115

  • Të nderuar besimtarë!

Siç na u bë e qartë, Kurban Bajrami nuk është vetëm festë gostie dhe tradite…

Ai është festë devotshmërie, bindjeje dhe afrimi me Allahun.

Dhe nga simbolikat dhe adhurimet e kësaj feste, është edhe bërja e kurbanit.

Allahu i Madhëruar na urdhëron në Kuran:

 قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ

“Thuaj: Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, janë për Allahun, Zotin e Botëve!” El En’am 162

  • Simbolika e kurbanit është afrim tek Zoti i gjithësisë.

Bërja e kurbanit është adhurim që i kushtohet vetëm Allahut të Madhëruar dhe është mënyrë falënderimi për mirësitë që Ai na ka dhuruar.

إِنَّا أَعْطَيْنَاكَ الْكَوْثَرَ * فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ * إِنَّ شَانِئَكَ هُوَ الْأَبْتَرُ

“Vërtetë! Ne të kemi dhuruar ty mirësi të shumta, prandaj, falu për Zotin tënd dhe ther kurban! S’ka dyshim se ai që të armiqëson ty, ai do të jetë fatkeq.” (El Keuther, 1-3)

  • Kurbani duhet bërë vetëm për hir të Allahut të Madhëruar.

Nuk lejohet kurrësesi të bësh kurban për njerëzit (e ashtuquajtur ‘të mirë’), për tyrbe e teqe…, nuk lejohet të bësh kurban për varret, apo për të futur kokën e kurbanit në themelet e shtëpisë. Kjo është e ndaluar, këto janë tradita pagane dhe nuk lejohen fetarisht.

Ai që bën kurban, tregon se po ndjek traditën e Profetit Muhamed ﷺ, i cili çdo vit bënte kurban.

Një vit ai theri dy desh dhe tha: O Zot! Po e bëj këtë kurban për mua, për familjen time dhe për të gjithë besimtarët që nuk kanë mundësi të bëjnë kurban”.

Prandaj, ata që nuk kanë mundësi janë të justifikuar.

Por ata që i kanë mundësitë, nuk duhet ta braktisin këtë simbolikë madhështore të fesë sonë.

Të bësh kurban do të thotë të fusësh gëzim në familjen tënde, t’i ushqesh fëmijët e tu dhe t’u mësosh edhe atyre dashurinë për Allahun.

Të bësh kurban do të thotë të fusësh gëzim tek të afërmit, fqinjët dhe tek të varfrit, të cilët presin dikë që t’i gëzojë në ditën e Bajramit.

Bërja e kurbanit është shenjë falënderimi ndaj Allahut, i Cili nuk ka nevojë as për mishin dhe as për gjakun e kurbanit, por tek Allahu arrin vetëm bindja dhe devotshmëria jonë.

Allahu i Madhëruar thotë:

لَن يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَاؤُهَا وَلَٰكِن يَنَالُهُ التَّقْوَىٰ مِنكُمْ

“.. tek Allahu nuk shkon as mishi e as gjaku i kurbanit, por tek Ai arrin devotshmëria juaj

Allahu i Madhëruar premton se atyre që falënderojnë, do t’ua shtoj edhe më tepër mirësitë:

 لَئِن شَكَرْتُمْ لَأَزِيدَنَّكُمْ

Nëse falënderoni, Unë do t`ua shtoj edhe më tepër (mirësitë dhe pasurinë)”.

Prandaj, le të jemi bujarë me atë që na ka dhënë Allahu!

Profeti ﷺ thotë: Puna më e mirë që bën myslimani ditën e Bajramit, është bërja e Kurbanit (nga e cila ka marrë emërtimin edhe festa).

 Në Ditën e Gjykimit, kurbani i tij do t’i paraqitet atij, me brirët e tij, me thundrat e tij, me lëkurën dhe gjakun e tij dhe do të dëshmojë për besimtarin, i cili e bëri atë kurban për Allahun (xh.sh)”.

Gjithashtu ai ka thënë: “Shpërblimi i kurbanit regjistrohet tek Allahu, para se gjaku i kurbanit të bjerë në tokë”.

  • Therja e kurbanit është sunet i fortë për ata që kanë mundësi.

Por edhe ata që nuk kanë mundësi të bëjnë kurban, le të mos e humbin shpirtin e kësaj dite: adhurimin, lutjen, falënderimin dhe vizitat te të afërmit.

Le të sakrifikojmë krenarinë për hir të pajtimit

Kjo ditë është për të riparuar marrëdhëniet me njëri-tjetrin.

Ndoshta një telefonatë, një falje apo një vizitë sot, është më e dashur tek Allahu sesa shumë fjalë që themi.

Nëse je zënë me ndonjë vëlla apo motër në fe, le të jetë kjo dita kur e hap zemrën dhe kërkon falje.

Mos lejo që urrejtja dhe inati të mbizotërojnë në ditën kur Allahu derdh mëshirën e Tij mbi robërit e Vet.

  • Kujdesi për të tjerët është fryma e vërtetë e Bajramit.

Mos harro të ndash nga kurbani për fqinjët, të varfrit, të vetmuarit, emigrantët, jetimët dhe ata që janë në nevojë.

Edhe një buzëqeshje është sadaka.

Edhe një fjalë e mirë është ibadet.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:

“Nuk beson asnjëri nga ju, derisa nuk ia dëshiron vëllait të vet atë të mirë që e do për veten e tij. (Buhariu dhe Muslimi).

Gjithashtu ka thënë: “Nuk është besimtar ai që fle i ngopur, dhe e di që fqinji i tij po fle i uritur”.

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: Muslimani është vëlla i muslimanit. Ai nuk i bën padrejtësi dhe nuk e braktis atë..”(Buhariu dhe Muslimi)

“Allahu do t’i vijë në ndihmë robit të vet për aq kohë sa ai i vjen në ndihmë vëllait të tij.”

  • Vëllezër dhe motra të nderuar!

Le të mos jetë namazi i sotëm i vetmi namaz që falim me përkushtim.
Le të mos jetë kjo sakrifica e vetme që bëjmë.

Feja nuk mbahet vetëm me fjalë, por me punë të mira, kontribut e sakrificë.

Nuk mjafton ta duam Allahun vetëm me gjuhë…Dashuria për Allahun provohet kur njeriu heq dorë nga ajo që do, për të fituar kënaqësinë e Zotit.

Allahu i do ata që qëndrojnë të lidhur me Të në çdo ditë dhe në çdo moment.

 وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ

“Dhe adhuroje Zotin tënd deri sa të të vijë vdekja…” El Hixhr 99

Le të dalim nga atmosfera e këtij Kurban Bajrami me zemra më të pastra, me besim më të fortë dhe me dëshirën për t’iu afruar edhe më shumë Allahut.

Sepse Bajrami i vërtetë nuk është vetëm të veshim rroba të reja…
Por të kthehemi tek Allahu me zemër të pastër.

E lus Allahun të na bëjë nga ata njerëz që e vlerësojnë dispozitën e kurbanit, si dhe të gjitha dispozitat e fesë, sepse Allahu i Madhëruar thotë:

ذَٰلِكَ وَمَن يُعَظِّمْ شَعَائِرَ اللَّهِ فَإِنَّهَا مِن تَقْوَى الْقُلُوبِ

Ata që i respektojnë simbolikat (shenjat, dispozitat) e Allahut, kjo është tregues për pastërtinë e zemrave të tyre”.

Allahu e bëftë këtë Bajram burim mëshire, paqeje dhe dashurie në familjet tona, dritë për zemrat tona dhe shkak bashkimi e vëllazërie për gjithë umetin islam.

Allahu i pranoftë kurbanet, lutjet dhe veprat e mira të secilit prej nesh, dhe na bëftë prej atyre që e fitojnë mëshirën, faljen dhe kënaqësinë e Tij.

Gëzuar dhe i bekuar qoftë Kurban Bajrami për ju dhe familjet tuaja!

تقبل الله منا ومنكم

Përgatiti: Hoxhë Edmond Ajdini

Dosje: ,

Loading...