Biografia e një dijetari – Imam Maliku (Pjesa e parë)

• June 29, 2026

 

إِنَّمَا يَخْشَى اللَّهَ مِنْ عِبَادِهِ الْعُلَمَاءُ ۗ إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ غَفُورٌ

”Vërtet, ata që i frikësohen më shumë Allahut nga robërit e Tij janë dijetarët. Padyshim që Allahu është i Plotfuqishëm dhe Falës.” | Fatir: 28.

 

Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.

Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij!

Vëllezër dhe motra të nderuar! Mirë se vini në një takim të ri prej këtyre takimeve të begata, të cilat i kushtohen jetës dhe biografisë së imamëve të mëdhenj të Islamit.

Në vijim do tregojmë për një prej dijetarëve më të shquar të umetit, për mbrojtësin e fesë islame, dijetarin e dijetarëve, fakihun e Medines dhe myftiun e dy Haremeve të shenjta (Mekës dhe Medines).

Ai ishte dijetar i madh, adhurues dhe i devotshëm. Ishte ndjekës i përpiktë i asaj që ka urdhëruar Allahu. Ai hulumtoi dijen derisa arriti thelbin e saj dhe hapi rrugën e dijes me durim e përkushtim.

Allahu e përhapi diturinë e tij dhe e bëri që përmendja e tij të mbetej ndër njerëzit edhe pas vdekjes. Virtytet e tij u përhapën anembanë, ndërsa fama e tij u bë e njohur në çdo vend dhe në çdo kohë.

A e dini se për kë bëhet fjalë? Ai është Imam Malik bin Enes, Allahu e mëshiroftë dhe qoftë i kënaqur me të!

Ai ishte dijetari i Medinës, Ebu Abdullah Malik bin Enes bin Malik bin Amër bin el Harith el Esbahij. Imami i Darul Hixhres (Medines), ruajtësi dhe transmetuesi i Sunetit të Pejgamberit ﷺ.

Emri dhe gjenealogjia e tij

Gjyshi i tij ishte Malik bin Enesi, një prej të mëdhenjve të tabiinëve, i cili njihet si një prej atyre që bartën trupin e halifes Uthman bin Afanit (Allahu qoftë i kënaqur me të), duke e përcjellë për në varreza me gjithë nderimet dhe respektin e merituar.

Nëna e imam Malikut ishte Alije bintu Shurajk bin Abdurrahman el Esedije. Fëmijët e tij ishin Jahja, Muhamedi dhe Hamadi.

Sa u përket tipareve të tij fizike, Imam Maliku përshkruhet si njeri me lëkurë shumë të bardhë, ishte i gjatë e trupmadh me pamje madhështore. Ishte qeros me ballë të gjerë. Vishej plot finesë e hijeshi.

Ai nuk e pëlqente rruajtjen e mustaqeve dhe e konsideronte këtë të papërshtatshme, dhe mendimi i tij ishte i njohur në këtë çështje. Madje ai e konsideronte si përngjasim me jomuslimanët, dhe shprehej se ai që i rruante mustaqet kishte bërë vepër të dënueshme.

Gjithashtu, nuk pëlqente të ndryshonte ngjyrën e thinjave ndaj dhe mjekra e tij ishte krejt e bardhë.

 

Lindja dhe formimi i tij

Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, lindi në Medinen profetike. Megjithatë, dijetarët kanë shfaqur mospajtime lidhur me vitin e lindjes së tij.

Jahja ibn Kethiri pohon se Imam Maliku lindi në vitin 93 pas hixhretit, ndërsa Ebu Davud es-Sixhistani thoshte se ai lindi në vitin 92 pas hixhretit.

Imam Maliku u rrit me një edukatë të pastër e fisnike. Që në vegjëli jeta e tij u karakterizua nga përkushtimi në kërkimin e dijes.

Është e njohur për ju se Medina profetike — qyteti ku lindi Imam Maliku dhe mbi tokën e të cilit hodhi hapat e parë — në atë kohë njohu një lulëzim të madh të dijes fetare. Aq e fuqishme ishte lëvizja e dijes aty, saqë Medina ishte shndërruar në kiblen e kërkuesve të dijes; nxënësit vinin drejt saj nga të gjitha anët e botës për të përfituar nga dijetarët e saj.

Veçanërisht të njohur qenë shtatë dijetarët e Medinës, tek të cilët njerëzit udhëtonin nga vise të largëta e të afërta për të marrë zinxhirë të lartë transmetimi dhe për t’u thelluar në dije nën kujdesin e tyre.

Këta dijetarë poeti i ka përmendur në vargjet e tij, duke thënë:

Nëse pyesin: “Kush qenë shtatë detet e dijes,
të palëkundur gjithnjë në saktësinë e asaj që kanë transmetuar?”
Atëherë thuaj: Ubejdullahu, Urve, Kasimi, Sa’idi,
Ebu Bekri, Sulejmani dhe Harixhe.

Ndoshta kjo gjallëri e jetës së dijes në Medinën profetike ishte ndër faktorët më vendimtarë që kontribuan në formimin e personalitetit shkencor të Imam Malikut, natyrisht, pas mirësisë dhe suksesit të dhuruar nga Allahu i Madhëruar.

Në këtë mjedis të begatë, Imam Maliku u dallua mbi të gjithë dhe zuri vendin më të lartë në këtë fushë.

Kur ndalemi e meditojmë mbi mësuesit e Imam Malikut, vërejmë se ai ka marrë dije nga një numër i madh dijetarësh.

Imam Maliku nuk ka udhëtuar në kërkim të dijes siç bënë shumë dijetarë të tjerë. Arsyeja për këtë — Allahu e di më së miri — është se Medina ishte vetë një thesar dhe vendgrumbullim i dijetarëve.

Medina ishte vendi ku nxënësit e dijes udhëtonin dhe migronin për të marrë dije nga dijetarët e saj, siç u përmend edhe për shtatë dijetarët e mëdhenj të Medines.

Për këtë arsye, Imam Maliku mori dije nga një numër i madh tabiinësh dhe pasuesish të tyre, që arrinin në qindra. Ndër më të njohurit ndër ta ishte Nafiu, shërbëtori i Ibn Umerit.

Dijetarët kanë thënë se zinxhiri më i saktë i transmetimit është: Maliku nga Nafi’u, nga Abdullah ibn Umeri, nga i Dërguari i Allahut ﷺ. Ky është quajtur ‘zinxhiri i artë’ i transmetimit.

Ai mori dije gjithashtu nga Ibn Shihab ez-Zuhri, Ebu ez-Zinadi, Aishe bint Sa‘d ibn Ebi Vekkas, Ejub es-Sahtijani, Jahja ibn Sa’id el Ensari, Humejd et-Tauil dhe shumë të tjerë.

Madje, disa nga vetë mësuesit e Imam Malikut më vonë transmetuan prej tij. Kështu, disa prej mësuesve të tij, si; Ez-Zuhriu, Jahja ibn Sa’id el Ensari dhe Rebi’a ibn Ebi Abdurrahmani — juristi i Medinës — transmetuan nga ai.

E gjithë kjo tregon se Imam Maliku arriti një gradë të lartë në dije, duke i tejkaluar bashkëkohësit e tij madje edhe disa nga mësuesit e vet, dhe duke u dalluar mbi dijetarët e kohës së tij.

Thuhej se Imam Maliku u bë i njohur në kohën e tij me një famë sa rrallë kush mund ta ketë arritur.

Sa për nxënësit e tij mund të flitet pa mbarim, aq të shumtë ishin. Ata vinin tek ai nga çdo anë e botës islame.

Madje, mjafton të përfytyrohet se banorë të Andaluzisë dhe të Afrikës së Veriut ndërmerrnin udhëtime të gjata vetëm për ta takuar dhe për të marrë dije prej tij.

Kadi Ijadi, Allahu e mëshiroftë, ka përpiluar një vepër të veçantë ku ka përmendur plot 1300 emra të atyre që kanë transmetuar prej Imam Malikut, Allahu e mëshiroftë.

Më të njohurit ndër ta ishin Sufjan ibn Sa’id eth-Theuri, Abdullah ibn Mubarek, Muhamed ibn Idris esh-Shafi’i dhe Abdurrahman el Euza’i. Këta ishin kolosët e dijes së asaj kohe, Allahu i mëshiroftë!

Imam Maliku mund të thuhet me bindje se arriti një pozitë të tillë shkencore, saqë për të kuptuar madhështinë e saj mjafton të shihet dëshmia e dijetarëve që e lavdëruan dhe e vlerësuan, si bashkëkohësit e tij, ashtu edhe ata që erdhën pas tyre.

Për këtë arsye do të mjaftohem duke përcjellë fjalët e këtyre dijetarëve të shquar, të cilët na japin një pamje të qartë të pozitës së Imam Malikut në kohën e tij.

Shafiu ka thënë: “Kur flitet për hadithin dhe transmetimin e tij, Maliku është ylli që udhëheq. E sa herë që përmenden dijetarët, ai shndrit si ylli më i shquar. Asnjë nuk e arriti madhështinë e tij në dije, përpikmërinë në kuptim dhe forcën e memorizimit, dhe askush nuk u njoh për besueshmëri e saktësi në dije më shumë se Maliku. Unë kam besim të plotë te dija e tij.”

Këto ishin fjalët e Imam Shafiut, i cili ishte i njohur për kritikën e tij të balancuar dhe ishte i kujdesshëm në të shprehur. Shikoni sa bukur është shprehur për Imam Malikun, Allahu e mëshiroftë.

Jahja ibn Ma’ini — një prej kolosëve dhe imamëve të hadithit — ka thënë: “Maliku ishte një argument nga Allahu për krijesat e Tij, një imam madhështor ndër imamët e muslimanëve, për virtytin dhe dijen e të cilit të gjithë ishin të njëzëshëm në vlerësim.”

Ndërsa Jahja ibn Se’id el Kattani ka thënë: “Maliku është prijësi i besimtarëve në hadith.” Madje ai thoshte: “Maliku është mëshirë për këtë umet.”

Ndërsa Sufjan ibn Ujejne Ebu Muhamed el Hilali, ka thënë: “Allahu e mëshiroftë Malikun! Sa i rreptë ishte në shqyrtimin e transmetuesve! Ai nuk përcillte nga hadithi veçse atë që ishte i saktë dhe nuk transmetonte nga kushdo, por veçse prej njerëzve më të besueshëm.”

Abdurrahman ibn Mehdi, ky imam i shquar ka thënë: “Askush mbi tokë nuk ka qenë më i kujdesshëm për hadithin e Profetit, ﷺ sesa Malik ibn Enesi. Askush më mirë se ai nuk i ka ruajtur dhe përcjellë hadithet, dhe nuk kam parë askënd më të mençur se ai.”

Hamad ibn Zejdi tregon se një burrë erdhi tek ai me një çështje rreth së cilës njerëzit kishin mendime të ndryshme. Ky i kishte thënë: “O vëlla, nëse dëshiron të ruash fenë tënde pyet dijetarin e Medinës dhe dëgjo me kujdes fjalën e tij. Ai është Malik ibn Enesi, dijetari i njerëzve.”

Hamad ibn Seleme ka thënë: “Po të më kërkohej të zgjidhja një imam për umetin e Muhamedit ﷺ për të mësuar prej tij fenë, unë do të zgjidhja Malikun. E shoh këtë vendim të drejtë dhe të përshtatshëm për të mirën e umetit.”

Abdullah ibn Ahmed ibn Hanbel pyeti njëherë babanë e tij: “O babai im, kush është më i saktë ndër njerëz?”

Ai iu përgjigj: “Maliku është më i saktë në çdo gjë, ai është më i saktë në çdo gjë.”

Kjo është fjala e Imamit Ahmedit për Imam Malikun, i cili thoshte: “Maliku është më i saktë në çdo gjë.”  Kjo nuk nënkupton vetëm saktësinë e transmetimeve.

Ndërsa Lejth ibn Sadi, gjykatësi i shquar, thoshte: “Betohem në Allahun se nuk ka njeri mbi tokë më të dashur për mua sesa Maliku!”

Madje thoshte: “O Zot, jepi ymër nga ymri im!” Po ashtu ka thënë: “Dija e Malikut është dije e pastër. Dija e Malikut është një amanet i besueshëm për këdo që e përvetëson nga njerëzit.”

Muhamed ibn Ismail el Buhari, autori i ‘Sahihut’, ka thënë: “Transmetimet më të sakta janë ato të Malikut, nga Nafiu, nga Ibn Umeri, një zinxhir transmetimi që e quajnë ‘zinxhiri i artë’.”

Ibën Uehbi  ka thënë: “Kam dëgjuar një tellall në Medine që thërriste: Askush të mos japë fetva (udhëzime fetare) përveç Malik ibën Enesit dhe Ibën Ebi Dhi’bit’.”

Ebu Kudame thotë: “Maliku ishte më i dituri nga të gjithë dijetarët e kohës së tij.”

Ibn AbdulBerr el Kurtubi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Gjatë rreth 70 vjetëve Maliku u përkushtua në dhënien e fetvave dhe mësimin e njerëzve, duke u njohur nga tabiinët për thellësinë e dijes së tij në fushën e jurisprudencës dhe hadithit.”

Pas këtij pasazhi të shkurtër edhe pse nuk kam përmendur çdo fjalë të dijetarëve, desha të vizatoja portretin e këtij gjiganti të dijes; një imam i madh, i cili u përmend me respekt nga bashkëkohësit dhe nga ata që erdhën pas tij.  I tillë ishte Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë!

Pas kësaj përmbledhjeje dhe shqyrtimi të fjalëve të këtyre kolosëve për Imam Malikun, na bëhet e qartë se ai arriti shkallët më të larta të virtytit dhe mbetet një figurë e rrallë e epokës së tij.

Njerëzit ende gëzojnë frytet e trashëgimisë së tij të madhe shkencore.

 

Personaliteti i tij

Imam Maliku kishte një personalitet madhështor dhe autoritar që frymëzonte respekt tek të gjithë. Ai kujdesej që ta ruante integritetin e tij dhe dijen e çmuar që mbante.

Nga respekti dhe dashuria për të, njerëzit qëndronin në këmbë para tij ashtu siç qëndrohej para sundimtarëve. Autoriteti i tij ishte kaq i madh saqë la gjurmë të thella dhe ndikoi fuqishëm tek dijetarët e kohës, e veçanërisht tek nxënësit e tij të cilët e ndiqnin me nderim dhe e merrnin për shembull në çdo gjë, Allahu e mëshiroftë!

Edhe sundimtarët kërkonin këshillën e tij dhe nuk vepronin në shumicën e çështjeve të përgjithshme pa miratimin e Imam Malikut.

Ai jepte urdhra dhe ato zbatoheshin pa pyetur për arsyen, fjalës së tij i jepej peshë e madhe dhe askush nuk kërkonte argument për të. Kur përgjigjej për ndonjë pyetje, askush nuk guxonte ta kundërshtonte për shkak të autoritetit të tij.

Një herë ai shkoi për vizitë te halifi abasid El Mensuri, i cili qëndronte i shtrirë në shtrat (për shkak të sëmundjes). Gjatë asaj kohe një djalosh hynte dhe dilte me ngurrim në dhomë. Halifi i tha Imam Malikut: A e di kush është ky? Ky është djali im. Për shkak të pozitës tënde ai nuk guxon të afrohet.

Në këtë kontekst, poeti thotë:

 

Askush nuk e sfidon autoritetin e tij,
ata që e pyesin, kokën ulin me respekt.
Ai është shembull i madhështisë së të devotshmit,
ia dëgjojnë fjalën e i binden, edhe pse nuk ka pushtet.

 

Imam Maliku para çdo mësimi merrte abdes, ulej qetësisht në krye të divanit, rregullonte mjekrën dhe merrte një qëndrim të përkryer, duke shfaqur seriozitet dhe hijeshi. Më pas, me qetësi dhe përkushtim u përcillte dijen njerëzve, e kështu vepronte gjithmonë.

Kur i thanë se kjo e dallonte nga të tjerët, ai u përgjigj: Më pëlqen të madhëroj hadithin e Pejgamberit ﷺ , prandaj nuk i transmetoj hadithet veçse duke qenë i pastër me abdes dhe në gjendjen më të përkryer.

Imam Maliku nuk pëlqente që hadithet e Profetit ﷺ dhe dituria fetare të trajtoheshin pa vlerën dhe respektin që meritojnë. Ai nuk lejonte që hadithet të transmetoheshin në rrugë, në këmbë apo në mënyrë të nxituar, por thoshte: “Dua që ajo çfarë transmetoj nga i Dërguari i Allahut ﷺ të jetë sa më e qartë dhe e kuptueshme.”

Thuhet se nga respekti dhe devotshmëria e tij e thellë ai kurrë nuk hipte mbi gomar apo mbi kafshë në Medine, pavarësisht dobësisë apo moshës së thyer. Ai thoshte: “Nuk dua të eci hipur e kapardisur në qytetin ku ndodhet varri i të Dërguarit të Allahut ﷺ.”  Allahu e mëshiroftë Imam Malikun!

 

Libri i tij “El Muvatta”

Imami Maliku u bë i njohur përmes veprës së tij madhështore dhe të mrekullueshme “El Muvatta”, në të cilën përfshiu një numër të konsiderueshëm të haditheve profetike, transmetime e thënie të sahabëve, tabi‘inëve dhe atyre që erdhën pas tyre.

Krahas kësaj, ai përfshiu në të edhe një pjesë të konsiderueshme të gjykimeve të tij të pavarura juridike.

Libri i tij është njëkohësisht libër hadithi dhe jurisprudence islame. Dijetarët e pritën me vlerësim e pranim të madh, dhe ranë dakort se “El Muvatta” renditet ndër librat më të bukur e më të arrirë për nga përpilimi, sidomos duke pasur parasysh se Imam Maliku ishte ndër dijetarët e parë që hodhi themelet e sistemimit dhe të strukturimit të dijes.

Kadi Ijadi thotë në librin “El Medarik”: “Me librin e tij “El Muvatta” ai ua hapi rrugën shumë autorëve të tjerë prej dijetarëve të Islamit, dhe ua mësoi atyre mënyrën e punimit të një vepre, përpilimin korrekt dhe bukurinë e sistemimit të kapitujve.

Çdokush që erdhi pas tij e pëlqeu metodën e tij dhe ndoqi të njëjtën rrugë deri në ditët tona, ndërsa atij i mbeti merita e kësaj nisme.

Libri “El Muvatta” iu paraqit halifit abasid Harun el Rashid, i cili e pëlqeu dhe mbeti shumë i mahnitur nga ai. Për këtë arsye, ai i propozoi Imam Malikut që të shkonte bashkë me të në Irak, ndërkohë që Imam Maliku banonte në Medinen profetike, kurse qendra e hilafetit ndodhej në Bagdad.

Pra, kur Harun el Rashidi vizitoi Medinen dhe u njoh me librin, i propozoi Imam Malikut që të transferohej me banim në Irak, por Imam Maliku me mirësjellje nuk pranoi.

Pastaj Harun el Rashidi deshi t’i detyronte njerëzit të ndiqnin librin e tij “El Muvatta”, dhe ta shpërndante atë në të gjitha vendet islame që të vepronin sipas tij.

Por si ishte reagimi i Imam Malikut?!

Në raste të tilla është e natyrshme që njeriu të gëzohet; halifi i muslimanëve dëshironte ta përhapte librin e tij në të gjitha vendet dhe t’i urdhëronte njerëzit ta merrnin atë si referencë.

Megjithatë, Imam Maliku nga devotshmëria, modestia, frika ndaj Allahut dhe kujdesi i tij, tha: “O prijës i besimtarëve, mos e bëj këtë! Sahabët (shokët e Profetit ﷺ) janë shpërndarë nëpër vende duke marrë me vete transmetime të ndryshme.” Ai kërkoi që njerëzit të liheshin në atë që kishin marrë prej dijes dhe të mos imponoheshin në një mendim të vetëm.

Në të vërtetë, kur i qasemi jurisprudencës së imam Malikut, vërejmë se ajo mbështetet mbi ato parime themelore për të cilat janë pajtuar shumica e imamëve të Islamit nga Ehli Suneti dhe xhemati në marrjen, kuptimin dhe nxjerrjen e dispozitave: Kurani Fisnik, Suneti Profetik, ixhmaja (konsensusi i dijetarëve) dhe kijasi i saktë (analogjia juridike e vlefshme).

Imam Maliku u veçua nga imamët e tjerë në një çështje, e ajo është praktika e banorëve të Medinës. Ai ishte i mendimit se praktika dhe tradita e banorëve të Medines përbënte argument juridik, ndonëse jo në mënyrë absolute.

Këtë e ka sqaruar edhe Ibn Kajimi kur foli për këtë parim te imam Maliku, ku sqaroi se ky nuk merret në mënyrë absolute por i nënshtrohet kritereve dhe rregullave të caktuara, të cilat trajtohen gjerësisht në veprat e usuli fikhut dhe në librat që shtjellojnë bazat e legjislacionit islam.

Sipas imam Malikut Medina ishte vendbanimi i besimtarëve të parë, qyteti i muhaxhirëve dhe ensarëve dhe i shokëve të Profetit ﷺ.

Gjurmët e shpalljes profetike vazhdonin të ishin ende të pranishme: masat tradicionale, si sā‘u dhe mikjali ruheshin ende, sikurse edhe shumë elemente të tjera të trashëguara nga koha e Profetit ﷺ. Për këtë arsye ai i kushtoi rëndësi të veçantë praktikës së banorëve të Medinës.

Megjithatë, në këtë pikë nuk u pajtuan me të tre imamët e tjerë.

Po ashtu, imam Maliku mbështetej edhe në maslahatin mursel (interesin e përgjithshëm), istihsanin (preferencën juridike), urfin (traditën dhe zakonet e njerëzve) si dhe sedd edh-dheraia (mbylljen e rrugëve që çojnë në të keqe).

Këto konsiderohen ndër parimet metodologjike për të cilat imam Maliku është dalluar më së shumti.

Në të vërtetë, kur shqyrtojmë jurisprudencën dhe parimet e imam Malikut, vërejmë se ai nuk del jashtë metodologjisë së selefëve (të parëve tanë të mirë e të devotshëm) në marrjen e dijes dhe në mënyrën e argumentimit juridik.

Siç ju përmenda, imam Maliku u veçua në çështjen e praktikës së banorëve të Medinës, duke e konsideruar atë një burim të cilit i referohej në përputhje me kritere dhe rregulla të njohura.

Megjithatë, këtu nuk kam dashur të zgjatem në shtjellimin e kësaj teme, pasi vendi i trajtimit të saj është në veprat e usuli fikhut (bazat e jurisprudencës islame).

Sa i përket imam Malikut, Ibn Tejmije ka thënë për medhhebin e tij: Medhhebi i banorëve të Medinës Profetike – qytetit të Sunetit, të hixhretit dhe të triumfit të Islamit – është medhhebi i atij vendi ku Allahu i Lartësuar shpalli për të Dërguarin e Tij ﷺ normat dhe dispozitat e Islamit. Ku muhaxhirët emigruan për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ku jetuan ensarët të cilët ishin vendasit që kishin pranuar besimin qysh më herët.

Medhhebi i tyre në kohën e sahabëve, të tabiinëve dhe të pasuesve të tabiinëve, ishte medhhebi më i saktë ndër medhhebet e qyteteve islame, si në Lindje ashtu dhe në perëndim, si në çështjet e parimeve themelore ashtu dhe në ato dytësore (praktike).”  Këto janë fjalët e një dijetari të thelluar në dije, Ebu el Abas Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë).

Vëllezër dhe motra të nderuar!

Të flasësh për imam Malikun është një temë e gjerë dhe me shumë degëzime, ndërsa trashëgimia e tij shkencore është e pamatshme dhe e pashtershme.

Edhe pse deri tani u mjaftuam me një paraqitje të shkurtër, me lejen e Allahut në pjesën e dytë do vazhdojmë të tregojmë për imam Malikun.

Deri atëherë ju lë në kujdesin e Allahut të Madhëruar.

Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!

 

Përktheu: Edmond Ajdini

Dosje: ,

Loading...