Rregulli i dytë: Emrat e Allahut janë simbole emërtimi dhe cilësi. Janë simbole emërtimi nëse i shohim në aspektin se ato tregojnë për qënien e Allahut, ndërsa janë cilësi në aspektin e kuptimeve specifike që mbartin. Sipas aspektit të parë janë sinonime të njëri-tjetrit sepse tregojnë për të njëjtin të emërtuar, Allahun. Ndërsa sipas aspektit të dytë janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, sepse secili tregon një kuptim të veçantë të ndryshëm nga tjetri. P.sh. El Haju (i Gjalli), el Alim (i Dijshmi), el Kadir (i Gjithëfuqishmi), es – Semiu (Dëgjuesi i gjithçkaje), el Besiru (Shikuesi i çdo gjëje), er RRahman (i Gjithëmëshirshmi), er Rrahimu (Mëshiruesi), el Azizu (Krenari), el Hakim (i Urti), të gjitha këto emra tregojnë për të njëjtin të emërtuar, Allahun. Kuptimi i emrit el Haju (i Gjalli) është i ndryshëm nga el Alim (i Gjithëdijshmi), po ashtu el Alim ka kuptim të ndryshëm nga el Kadir etj. Ne thamë se janë simbole emërtimi dhe cilësi sepse Kurani ka argumentuar për këtë, si p.sh. në ajetin kuranor: “Ai është Mëkatfalësi, Mëshiruesi.” | Junus: 107, dhe në ajetin: “Zoti yt është poseduesi i Mëshirës.” | Kehf: 58.
Ajeti i dytë tregoi se Rrahimi (Mëshiruesi) është i përshkruar me cilësinë e mëshirës.
Gjithashtu, dijetarët e gjuhës janë unanim rreth faktit se nuk mund t’i thuhet i ditur përveçse atij që ka dituri, nuk i thuhet dëgjues veçse atij që ka dëgjim, nuk i thuhet shikues veçse atij që ka shikim etj. Kjo çështje është aq e qartë saqë nuk ka nevojë për sqarim dhe argument.
Nga këtu kuptojmë devijimin e atyre që emrave të Allahut i heqin çdo kuptim siç bëjnë ehlu et-tatil (ata që i mohojnë emrat dhe cilësitë e Allahut), duke thënë: Allahu është dëgjues pa dëgjim, Shikues pa shikim, Krenar pa krenari etj. Arsyetimi i tyre ishte se pohimi i cilësive nënkupton shumëzimin e Zotit (pra ekzistencën e shumë zotave secili me nga një emër të veçantë). Ky arsyetim i tyre është i sëmurë madje i vdekur, siç hidhet poshtë nga tekstet[1] dhe nga logjika. Përsa i përket teksteve Allahu e ka cilësuar veten e Tij me cilësi të shumta, megjithëse Ai është Një i Vetëm, dhe ka thënë: “Kapja e Zotit tënd është e ashpër, Ai e fillon (krijimin) dhe e rikthen, Ai është Mëkatfalësi, i Dashuri, Poseduesi i Arshit (Fronit), i Lavdëruari i cili vepron çfarë të dojë.” | Buruxh: 12-15, dhe: “Madhëroje emrin e Zotit tënd më të Lartit, i Cili krijoi dhe përsosi, i Cili përcaktoi dhe udhëzoi, i Cili nxori nga toka kullotën dhe më pas e bëri pluhur të shpërndarë.” | E’ala: 1-5. Në këto ajete fisnike përmenden cilësi të shumta të të njëjtit të cilësuar, dhe megjithatë nuk nënkuptoi shumëzimin e të cilësuarve.
Arsyetimi logjik: Cilësitë nuk janë qënie më vete të shkëputura nga i cilësuari ashtu që më pas të pretendohet për këtë shkak shumëzimi i të cilësuarve, sepse në të vërtetë ato janë cilësi me të cilat është i përshkruar ky i cilësuar dhe që ekzistojnë me ekzistencën e tij. Nga këtu bëhet e qartë një çështje tjetër, që fjala ed-dehru (koha) nuk është nga emrat e Allahut sepse është emër i ngurtë (pa rrënjë fjale), nuk përmban ndonjë kuptim që e bën atë të vlefshëm për t’iu bashkangjitur emrave të përsosur të Allahut, sepse ed-dehru është emër nga emrat e kohës dhe vaktit. Allahu duke treguar thënien e mohuesve të ringjalljes, thotë: “Thanë: Nuk ka tjetër veç jetës tonë, vdesim dhe lindim dhe nuk na shkatërron gjë tjetër veç kohës.” Këtu kishin për qëllim kalimin e ditëve dhe netëve, kurse fjala e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem se Allahu ka thënë: “Më lëndon Mua biri i Ademit duke sharë kohën sepse Unë jam koha, në dorën Time është çështja dhe e rrotulloj natën dhe ditën.” Allahu është Krijuesi i kohës dhe i çdo gjëje që ndodh në të. Ai sqaroi se e rrotullon natën dhe ditën (e cila është koha) si të dojë dhe nuk mund të jenë të njëjtë Rrotulluesi, Ndryshuesi (i ngjarjeve dhe kohës) me atë që rrotullohet dhe ndryshohet. Nuk ngelet tjetër veçse të hidhet poshtë pretendimi se me kohën e përmendur në këtë hadith është vet Allahu i Madhëruar.
Rregulli i tretë: Tre gjëra:
1)Pohimin e atij emri për Allahun.
2)Pohimin e cilësisë që ai emër përmban.
3)Pohimin e dispozitës dhe ndikimit që ka ajo cilësi.
Në lidhje me të tretën: Kjo çështje është përdorur si argument nga dijetarët për mosekzekutimin e ndëshkimit ndaj grabitësve të rrugës (banditëve) nëse pendohen para se të kapen, duke u bazuar në ajetin Kuranor: “Përveç atyre që pendohen para se ti kapni, atëherë dijeni se Allahu është Mëkatfalës, Mëshirues.” | Maideh: 34, sepse përdorimi i këtyre dy emrave (Mëkatfalës, Mëshirues) në këtë rast nënkupton se Allahu ua ka falur gjynahet nëse pendohen dhe i mëshiron duke hequr ndëshkimin e merituar më parë.
Shembulli ilustrues i këtij rregulli: Emri es-Semiu (Dëgjuesi) përmban: Pohimin e këtij emri për Allahun, pohimin e cilësisë së dëgjimit për Allahun, pohimin e dispozitës dhe ndikimit të kësaj cilësie që do të thotë se Ai e dëgjon të fshehtën dhe të haptën, siç thotë i Lartësuari: “Allahu e dëgjon dialogun tuaj. Vërtetë, Allahu është Dëgjues, Shikues.” | Muxhadeleh: 1. Nëse emri tregon për një cilësi që nuk ka ndikim (të drejtpërdrejtë tek krijesat), atëherë përmban dy gjëra:
1)Pohimin e atij emri për Allahun.
2)Pohimin e cilësisë që përmban.
Shembulli i kësaj: Emri el Hajju (i Gjalli) përmban pohimin e këtij emri për Allahun dhe pohimin e cilësisë së jetës për Allahun.
Vazhdon . . .
Autor: Muhamed bin Salih el Uthejmin
Përktheu: Shuajb Rexha
[1] Me fjalën tekstet janë për qëllim tekstet e argumenteve nga Kurani dhe Suneti. Ky term do përsëritet shpesh ndaj tregohu i vëmendshëm rreth kuptimit të tij.
Dosje: Allahu
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve