Tregtia është një nga mënyrat më të ndershme të fitimit të hallallit, por vlera e saj lidhet ngushtë me sinqeritetin, besnikërinë dhe largimin nga mashtrimi. Islami e ka bërë sinqeritetin në tregti shkak për bereqetin e pasurisë, ndërsa gënjeshtrën dhe mashtrimin i ka konsideruar shkak për humbjen e bereqetit dhe të kënaqësisë së Allahut.
- Sinqeriteti në tregti!
Hakim ibn Hizami përcjell se Profeti ﷺ ka thënë:
“Shitësi dhe blerësi kanë të drejtën e zgjedhjes (ta prishin marrëveshjen) përderisa nuk janë ndarë. Nëse tregohen të sinqertë dhe i sqarojnë mangësitë e mallit, Allahu e begaton tregtinë e tyre, por nëse gënjejnë dhe fshehin të metat, bereqeti i tregtisë së tyre fshihet.”
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
- Ji i sinqertë sepse Allahu do ta begatojë tregtinë tënde!
Urve el Barikij përcjell se:
“I Dërguari i Allahut ﷺ më dha një dinar që t’i blija një dele, dhe me atë dinar bleva dy dele. Pastaj njërën prej tyre e shita për një dinar dhe u ktheva te Profeti ﷺ me një dele dhe me dinarin. Ia tregova çfarë kisha bërë, e ai tha:
Allahu e begatoftë tregtinë tënde!
Pas kësaj, Urve dilte në tregun e Kufes dhe kishte fitime të mëdha, derisa u bë një nga njerëzit më të pasur të Kufes.”
(Hadith sahih. E transmeton Tirmidhiu dhe Ahmedi.)
Në një transmetim tjetër te Sahihu i Buhariut thuhet: Urve el Barikij tregon se Profeti ﷺ i dha një dinar për t’i blerë një dele. Ai me atë dinar bleu dy dele, pastaj njërën prej tyre e shiti për një dinar dhe u kthye te Profeti ﷺ me një dinar dhe një dele.
Atëherë Profeti ﷺ u lut që Allahu t’i jepte bereqet në tregtinë e tij. Pas kësaj, thuhej se edhe sikur të blinte do nxirrte fitim prej tij.
Ibn Haxheri ka thënë:
“Nga shenjat e profetësisë është lutja e Profetit ﷺ për Urven e cila iu pranua, derisa edhe sikur të blinte edhe dheun, do të fitonte prej tij.”
“Fet’hul-Bari” (6/635).
- Ndalimi i mashtrimit në tregti:
Ebu Hurejra përcjell:
I Dërguari i Allahut ﷺ kaloi pranë një grumbulli me ushqime. Ai futi dorën në të dhe gishtat iu lagën, dhe tha:
“Çfarë është kjo o pronar i ushqimit?
Ai tha: E ka lagur shiu o i Dërguari i Allahut.
Profeti ﷺ tha: Pse nuk e vendose pjesën e lagur sipër që njerëzit ta shohin? Kush mashtron nuk është prej meje.”
(Muslimi)
Në një transmetim tjetër të Muslimit shënohet me këtë tekst:
“Kush ngre armën kundër nesh, nuk është prej nesh; dhe kush na mashtron, nuk është prej nesh.”
- Lehtësia dhe mirësjellja në shitblerje.
Xhabir ibn Abdullahu përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Allahu e mëshiroftë njeriun që është i butë dhe i lehtë kur shet, kur blen dhe kur kërkon të drejtën e tij.”
(Buhariu)
Dosje: Tregtia
Të Ngjashme
- Prej gjërave më të mira që mund t’i jepet robit është jeta e gjatë me vepra të mira. Dr. Behar Hyseni
- Debati dhe Polemika; Sëmundja që Privon nga Bereqeti i Dijes! Dr. Fatmir Strumi
- Edukata e Kërkuesit të Dijes dhe Kriza e Sotme e Moralit! Dr. Fatmir Strumi
- Zëvendësit e Djallit në Tokë! Dr. Fatmir Strumi
- Një veprim që mund ta bëjë abdesin të pavlefshëm Dr. Fatmir Strumi