Disa herë na ka rastisur të na pyesin pyetje goxha të detajuara, dhe në mënyrë të përgjithshme interesimi për çështjet fetare dhe pyetja e hoxhallarëve tregon përkushtim në çështjet fetare.
Por problemi qëndron se shumë herë të tilla pyetje vijnë nga persona që njohuritë e tyre fetare janë tepër të cekëta, madje në shumë raste nuk njohin shumë gjëra elementare.
Imam Kasim bin Selam (224 H/838 G) thotë:
“Çuditem me atë që lë pas dore bazat dhe kërkon detajet.”
(“El xhami lil Hatib” 2/185)
Çuditem me personin që nuk mëson gjërat kryesore për të cilat ka nevojë, nuk përvetëson rregullat e përgjithshme fetare, ndërkohë që interesohet për disa çështje të detajuara të cilat nuk i nevojiten, ndryshe nga bazat dhe rregullat e përgjithshme.
Imam Ahmed bin Hanbel (224 H /855 G) në një rast i jep një mësim dikujt që i drejtoi pyetje të tilla, duke i treguar atij më pas se gjërat që i nevojiteshin në përditshmërinë e tij, ishin më parësore për tu mësuar dhe për të pyetur rreth tyre.
Ebu Xhafer el Kati’ tregon:
“Hyra te imam Ahmedi dhe e pyeta:
– A lejohet të marr abdes me ujë gëlqerje?
– A lejohet të marr abdes me ujë të bathës?
– A lejohet të marr abdes me ujë trëndafili?
Imam Ahmedi u përgjigj duke thënë se përdorimi i këtij uji është i papëlqyeshëm, e më pas e tërhoqi prej rrobave dhe e pyeti:
– Çfarë thua kur hyn në xhami? Çfarë thua kur del nga xhamia?
Dhe kur pa se ai nuk dinte të përgjigjej, i tha:
Shko mësoji këto gjëra!”
(“Tabakatul Hanabileh” 1/41)
Në një rast tjetër, një person e pyeti imam Malik bin Enesin (179H/ 795G) për një çështje që nuk ka gjasa të ndodhë, dhe imami nuk iu përgjigj.
Ai i tha imam Malikut:
– Pse nuk po më përgjigjesh?
Imam Maliku iu kthye:
“Sikur të më kishe pyetur për diçka prej së cilës do përfitoje, do të isha përgjigjur.”
Fjalët e përmendura më sipër janë tregues i qartë se dijetarët nuk shpenzonin kohë në çështje të kota apo hipoteza të zbrazëta, por i drejtonin njerëzit drejt dijes së dobishme.
Dosje: #Dija Fetare, Histori
Të Ngjashme
- Prej gjërave më të mira që mund t’i jepet robit është jeta e gjatë me vepra të mira. Dr. Behar Hyseni
- Fatkeqësia e Vdekjes së Dijetarëve Dr. Behar Hyseni
- Debati dhe Polemika; Sëmundja që Privon nga Bereqeti i Dijes! Dr. Fatmir Strumi
- Edukata e Kërkuesit të Dijes dhe Kriza e Sotme e Moralit! Dr. Fatmir Strumi
- Zëvendësit e Djallit në Tokë! Dr. Fatmir Strumi