Me këtë kapitull madhështor e përmbyll Ibn el Xheuzi librin e tij “Telbisu Iblis” duke thënë:
Mashtrimet e Iblisit përmes shpresave të rreme e të tejzgjatura:
“Sa e sa herë i ka shkrepur në mendje një jehudiu apo të krishteri dëshira për të përqafuar Islamin, por Iblisi e ka zmbrapsur duke i thënë: ‘Mos u ngut, pezulloje vendimin e shqyrtoje me maturi!’
Kësisoj, ai e shtyn me premtime të rreme (jusevvifuhu), derisa e zë vdekja në plogështinë e mosbesimit.
Po kështu, ai ia shtyn pendimin edhe mëkatarit: përpeqet t’ia nxitojë përmbushjen e menjëhershme të epsheve, ndërsa kthimin te Zoti ia ushqen me iluzione të largëta, siç ka thënë edhe poeti:
I nxiton mëkatet për çdo lakmi që ka,
e pendimin e shpreson për vitin që vjen…
Sa e sa njerëzve me vullnet të çeliktë ua ka pamundësuar sipërmarrjen! E sa e sa udhëtarëve drejt majave të virtytit u ka ndërprerë hovin!
Mund të ndodhë që një dijetar (fakīh) të marrë vendim për përsëritjen e mësimit, e ai shkon dhe i pëshpëritë: ‘Çlodhu edhe një orë!’
Ndodh që adhuruesi të zgjohet natën për t’u falur, e ai t’i thotë: ‘Koha është e bollshme!’
Kësisoj, ai vijon t’ia bëjë të dashur përtacinë, t’ia prapësojë veprat e mira për më vonë dhe t’i mbështetë të gjitha çështjet mbi iluzionin e jetëgjatësisë.
Por, njeriu i matur e i vendosur (el-hāzim) duhet të veprojë me rreptësi e largpamësi. E largpamësia qëndron te shfrytëzimi i menjëhershëm i kohës, te braktisja e shpresave të rreme (tesvīf) dhe tek shmangia e iluzioneve jetëgjata ; sepse e panjohura e frikshme nuk i garanton siguri kërkujt, kurse e djeshmja e humbur nuk kthehet më kurrë.
Shkaku i çdo parregullsie e mangësie në të mirë, si dhe i çdo prirjeje drejt së keqes, është pikërisht shpresa e tejzgjatur. Njeriu vazhdimisht i premton vetes shkëputjen nga e keqja dhe kthimin nga e mira, mirëpo këtë gjë e lë vetëm në kuadrin e zotimeve pasive.
Padyshim, ai që mendon se do të arrijë mbrëmjen, gjatë ditës do të ecë me hapa të pafuqishëm; e ai që shpreson të arrijë mëngjesin, gjatë natës do të veprojë me përpjekje të dobtë. Ndërsa ai që e përqas vdekjen si një realitet të afërt, ai përvishet me seriozitet të plotë.
Për këtë arsye në hadith është thënë: «Falu ashtu siç falet ai që po i jep lamtumirën kësaj bote!» Sahih el Xhami me nr 3670.
Disa nga të parët tanë të mirë (Es-Selef) kanë thënë: «Ju tërheq vërejtjen nga fjala “më vonë” (sevfe), sepse ajo është ushtria më e madhe e Iblisit!»
Shembulli i atij që vepron me maturi përkundrejt atij që ushqehet me shpresë të rreme është si shembulli i disa udhëtarëve që hyjnë në një fshat. I maturi shkoi menjëherë, blen gjithçka që i nevojitej për përmbylljen e udhëtimit dhe ulet i përgatitur për nisje.
Ndërsa i pakujdesshmi thotë: ‘Do të përgatitem më vonë, sepse ndoshta do të qëndrojmë këtu një muaj.’ Por në atë çast bëhet thirrja e nisjes! I kujdesshmi u gëzua për parapërgatitjen e tij, kurse i pakujdesshmi mbeti i kapluar nga hidhërimi i pafund.
Ky është shembulli i njerëzve në këtë botë: prej tyre ka nga ata që janë të kthjellët e të përgatitur, prandaj kur t’u vijë Engjëlli i Vdekjes nuk ndiejnë pendesë.
Ka të tjerë që janë të mashtruar e neglizhentë, të cilët e pijnë me pikatore hidhërimin e pendimit në çastin e largimit.
Nëse në natyrën e njeriut është e mbjellë prirja për plogështi e shpresë të gjatë, e pastaj vjen Iblisi për ta nxitur të veprojë sipas kësaj natyre, atëherë vetëpërmbajtja dhe përpjekja me veten bëhet jashtëzakonisht e vështirë. Mirëpo, kushdo që zgjohet nga kjo gjendje dhe ndërgjegjësohet, e kupton se ndodhet në fushëbetejë dhe se armiku i tij nuk pushon kurrë. Edhe nëse duket sikur po tregon plogështi, në fakt ai përbrenda po thur kurthe e po ngre pritë.
Allatut i kërkojmë të na shpëtojë nga kurthet e armikut, nga sprovat e kësaj bote dhe nga e keqja e vetvetes; me të vërtetë Ai është i Afërt dhe Dëgjues i lutjeve!”
“Telbis Iblis” (Mashtrimet e Iblisit) fq 921-922 — Ibn el-Xheuzi (Allahu e mëshiroftë!)
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Shpresat