Djegia e librave të Bagdadit mes mitit dhe të vërtetës

• November 25, 2026

Dhjetëra mijëra vëllime librash pluskonin mbi ujërat e lumit Tigër, aq sa uji i tij u shndërrua në ngjyrë të zezë.
Kjo është ajo që thuhet se ndodhi kur mongolët hynë në Bagdad, ku mbi ujërat e lumit u ngritën ura prej librash që pushtuesit të kalonin mbi to, duke bërë që atëherë të humbitnim përgjithmonë mjaft prej veprave më të rralla.
Por prisni pak! A ju duket kjo histori me të vërtetë logjike?
Bagdadi ra në vitin 1258. Mongolët, nën udhëheqjen e Holakos, hynë në Bagdad pas një rrethimi që zgjati 12 ditë. Asokohe, Bagdadi ishte kryeqendra e Kalifatit Abasid dhe metropoli më i rëndësishëm islam. Kur depërtuan mongolët, shkatërrimi përfshiu çdo gjë: u masakruan njerëzit dhe u rrafshuan godinat.
Megjithatë, historia e shkatërrimit të bibliotekave të Bagdadit dhe e nxirjes së ujërave të lumit Tigër mbeti tregimi më i famshëm që u ngulit në kujtesën historike si simbol i rënies së Bagdadit.
Por a ndodhi kjo në të vërtetë?
Ditën kur ra Bagdadi, Holako realizoi atë që kish kërcënuar në letrën e tij drejtuar kalifit El-Musta’sim Bilah: mongolët ekzekutuan dhjetëra mijëra banorë — numri i viktimave sipas disa vlerësimeve arriti deri në 200 mijë vetë. Po ashtu, Holako ekzekutoi vetë kalifin El-Musta’sim Bilah dhe shkatërroi shumë biblioteka. Të gjitha këto janë fakte plotësisht të konfirmuara historikisht.
Mirëpo, ekziston një transmetim — ndoshta më i famshmi prej tyre — rreth të cilit janë ngritur shumë polemika.
Rënia e Bagdadit u bë e njohur me pretendimin se lumi Tigër mori ngjyrë të zezë nga boja e librave që u hodhën në të, si dhe mongolët ndërtuan mbi lumë ura me libra për të kaluar mbi to.
Përtej pyetjes se sa logjike është kjo histori, çfarë thonë burimet historike për të?
Ndoshta i vetmi libër më i famshëm që dokumentoi këtë katastrofë e që i qëndron më afër ngjarjes ishte “El-Hawadith el-Xhami’ah” i Ibn el-Fuatit.
Ibn el-Fuati ishte një historiograf që jetonte në Bagdad gjatë pushtimit dhe i shpëtoi vetë masakrës. Në librin e tij gjejmë një dokumentim mjaft të saktë të shkatërrimit që kaploi qytetin, por ai nuk përmend asgjë lidhur me ngjarjen e lumit Tigër.
Edhe në librin “Xhami’ et-Tawarikh” të Rashidedin el-Hamadhanit — që është një nga burimet më kryesore që dokumentoi historinë e mongolëve — nuk gjejmë asnjë përmendje të episodit të lumit.
Mund të pyesni tani: Si u shfaq atëherë ky transmetim?
Studiuesit mendojnë se kjo histori u shpik në shekujt pas pushtimit, dhe shkaktarët kryesorë për këtë ishin historiografët persianë, të cilët prireshin drejt shprehjeve me metafora të forta letrare, edhe nëse kjo cenonte të vërtetën historike.
Më vonë, ky tregim u përhap në një shkallë shumë më të gjerë gjatë shekujve XIX dhe XX, duke u shndëruar në narrativën më mbizotëruese.
E vërteta thotë se ka tregues të shumtë që dëshmojnë se tregtia e librave lulëzoi në Bagdad vetëm pak muaj pas pushtimit mongol — që do të thotë se një numër i madh veprash i shpëtuan shkatërrimit.
Gjithashtu, kur udhëtari i famshëm Ibn Batuta vizitoi Bagdadin 70 vjet pas pushtimit mongol, ai gjeti një lulëzim të madh të rretheve të dijës e të shkrimit të librave.
Domethënë, mongolët shkatërruan mijëra vëllime, por nuk e rrafshuan e fshijnë të tërë trashëgiminë e shkruar të Bagdadit siç përflitet; ujërat e lumit Tigër nuk morën ngjyrën e bojës së librave dhe as nuk u ngritën ura prej vëllimesh për të kaluar mbi to. Këto ishin thjesht hiperbola letrare të panevojshme, sepse rënia e Bagdadit — edhe pa asnjë ekzagjërim — mbetet një nga katastrofat më të mëdha në historinë islame.

Pershtati: Fatjon Isufi

Dosje: , ,

Loading...