Allahu i urren për ju tri gjëra

• November 27, 2026

Allahu i urren për ju tri gjëra

I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem!) ka thënë:

“Vërtet, Allahu i urren për ju tri gjëra: fjalët e kota, shpërdorimin e pasurisë dhe pyetjet e shumta.”

Burimi: Sahihu i Buhariut, nr. 1477; Sahihu i Muslimit, nr. 593.

Shpjegimi i hadithit

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem!) i udhëzonte njerëzit drejt virtyteve të larta morale dhe i paralajmëronte që të ruheshin nga sjelljet e këqija.

1. Fjalët e kota dhe thashethemet

Kjo nënkupton:

• Të folurit e tepërt pa pasur nevojë.

• Përcjelljen e lajmeve dhe fjalëve pa u siguruar për vërtetësinë e tyre.

• Të folurit për gjëra që sjellin dëm dhe nuk kanë asnjë dobi.

Pra, këtu përfshihet çdo angazhim i tepruar me fjalë të panevojshme, sidomos kur ato bëhen shkak për përhapjen e gënjeshtrave, përgojimin dhe bartjen e fjalëve.

2. Shpërdorimi i pasurisë

Kjo nënkupton teprimin në shpenzime, përdorimin e pasurisë në vende të papërshtatshme dhe shpenzimin e saj në gjëra që nuk janë të lejuara sipas fesë, siç është shpenzimi në mëkate.

Pasuria është mirësi dhe amanet nga Allahu, prandaj duhet të përdoret në mënyrë të dobishme dhe në përputhje me udhëzimet e fesë.

3. Pyetjet e shumta

Kjo shprehje përfshin disa kuptime:

• Kërkimi i vazhdueshëm i pasurisë nga njerëzit pa pasur nevojë për të.

• Teprimi në pyetjet që kanë të bëjnë me çështjet e fesë dhe të kësaj bote, duke u marrë me çështje të ndërlikuara, përgjigjen e të cilave nuk është e domosdoshme ta dijë njeriu.

• Pyetjet për çështje që nuk i sjellin ndonjë dobi pyetësit.

• Pyetjet e shumta rreth gjendjes dhe çështjeve personale të njerëzve, në mënyrë që ata të vihen në vështirësi dhe siklet.

Pra, hadithi nuk ndalon pyetjen për të kërkuar dije dhe për të kuptuar fenë, por qorton teprimin në pyetje të panevojshme, të cilat nuk sjellin dobi ose bëhen shkak vështirësie për njerëzit.

Ed Durar es Senije

Përshtati: Rexhep Milaqi

Dosje:

Loading...