Njerëzit në lidhje me adhurimin dhe kërkimin e ndihmës prej Allahut

September 2, 2013

Ibnul Kajjim (Allahu e mëshiroftë!) duke shpjeguar se njerëzit në lidhje me adhurimin dhe kërkimin e ndihmës prej Allahut janë katër lloje, thotë: “Lloji i dytë: Janë ata që ja kanë kthyer shpinën adhurimit të Tij dhe kërkimit të ndihmës prej Tij. Këta s’kanë as adhurim e as kërkim ndihme, madje nëse ndonjëri prej tyre i kërkon ndihmë Atij (Allahut), i kërkon ndihmë për plotësimin e dëshirave dhe tekave të tij dhe jo për të arritur kënaqësinë e Zotit të tij dhe për të drejtat e Tij (sh.p.: pra nuk i kërkon ndihmë Allahut që ta ndihmojë në arritjen e kënaqësisë së Tij dhe tja lehtësojë adhurimet që ka detyrë kundrejt Tij, por i kërkon ndihmë që ti plotësojë dëshirat dhe nevojat e tija personale).

Sepse Atij – të Pastrit nga te metat – i lutet (i kërkon) çdokush në qiej dhe në tokë, i kërkojnë të dashurit e Tij dhe armiqtë e Tij, dhe Ai u jep këtyre dhe atyre. Madje krijesa më e urryer e Tij është armiku i Tij, iblisi – Allahu e mallkoftë – e, megjithkëtë, ai i kërkoi diçka dhe Allahu ja dha, dhe e bëri të kënaqet me të, por kur ajo nuk ishte ndihmuese për të në arritjen e kënaqësisë së Tij, veç sa ja shtoi (iblisit) dëshpërimin e tij dhe largësinë nga Allahu dhe e dëboi atë prej Tij. Dhe kështu, kushdo që i kërkon ndihmë Allahut për diçka dhe ja kërkon Atij atë, por ajo nuk është ndihmesë për të në bindjen ndaj Tij, patjetër është largim për të prej kënaqësisë së Tij, ndërprerëse e tij prej Tij.

Prandaj le të meditojë i logjikshmi rreth kësaj, në veten e tij dhe tek të tjerët, dhe le ta dijë se përgjigja e Allahut ndaj atyre që i kërkojnë, nuk është për shkak të fisnikërisë së kërkuesit tek Ai (pra se ai ka një pozitë të lartë tek Zoti i tij prandaj Ai i përgjigjet lutjes së tij), por robi i kërkon Atij diçka dhe Ai ja plotëson nevojën që ka, dhe në të gjendet shkatërrimi dhe trishtimi i tij, dhe plotësimi i dëshirës së tij është për shkak se ai ka pozitë të ulët tek Allahu, dhe ka rënë në sytë e Tij. Dhe ia ndalon atij nevojën që ka, për shkak të fisnikërisë së tij tek Ai, dhe dashurisë që ka për të, pra ja pengon për ta ruajtur, për ta mbrojtur dhe për ta shpëtuar, dhe jo se është koprrac (i Lartë është Ai prej kësaj). Dhe këtë gjë Ai e bën me robin e Tij që dëshiron fisnikërimin e tij dhe e do atë, kështu e trajton atë me butësinë e Tij, dhe ai mendon – me injorancën e vet – se Allahu nuk i përgjigjet dhe nuk e nderon! Dhe ndërkohë shikon se si i plotëson dëshirat e të tjerëve dhe mendon keq për Zotin e tij!

Kjo është brendësia e zemrës së tij të cilën ai nuk e ndjen (këto ndjenja dhe mendime i shkojnë në mendje). Dhe i mbrojtur (prej këtyre) është ai që e mbron Allahu. Dhe njeriu është dëshmitar i vetes (e njeh mirë atë). Dhe shenja e kësaj (e këtyre mendimeve) është zemërimi i tij me paracaktimin (kaderin), dhe qortimi i tij i brendshëm për të. Siç kanë thënë:
I paafti në mendime është humbës i madh i rasteve te tij,
aq sa kur i largohet një gjë, qorton paracaktimin.

Pasha Allahun, sikur ta zbulonte brendësinë dhe sekretin e tij, do të shikonte atje qortimin e kaderit dhe akuzimin e tij, dhe se ‘Duhet te ndodhte kështu dhe kështu, por çfarë fuqie kam unë? Çështja nuk është në dorën time!’ Dhe i logjikshmi është kundërshtar (akuzues) i vetes së tij, ndërsa injoranti kundërshtar i caktimit të Zotit të tij.

Prandaj ki kujdes të madh nga të kërkuarit prej Tij ndonjë gjë të caktuar, mirësia dhe përfundimi i së cilës është e panjohur për ty. E nëse duhet patjetër të kërkosh prej Zotit tënd diçka, atëherë kushtëzoje këtë me dijen e Tij për mirësinë (dobinë) e saj, dhe parapriji lutjes tënde me ‘istikharah’ (kërkimi prej Allahut që të zgjedhë për ty atë që është më e mira), dhe të mos jetë ajo istikharah e gjuhës dhe pa njohuri, por istikharah e atij që nuk ka dije për ato gjëra që i bëjnë dobi, dhe nuk ka fuqi për to, dhe nuk udhëzohet dot për tek hollësitë e tyre, dhe nuk posedon për veten e tij dëm e as dobi, madje nëse lihet në dorë të vetvetes shkatërrohet krejtësisht dhe e humbet gjithë çështjen e tij.

E nëse të jep (Allahu) atë që ta jep pa e kërkuar prej Tij, atëherë kërko prej Tij që ta bëjë atë ndihmuese në bindjen ndaj Tij dhe mjet për të arritur kënaqësinë e Tij dhe të mos e bëjë atë ndërperëse prej Tij (që të shkëput nga Ai) dhe as larguese nga kënaqësia e Tij. E mos mendo se dhënia e Tij e çfarëdo gjëje që jep, është për shkak të fisnikërisë së robit të Tij tek Ai, dhe as pengimi i Tij (mosdhënia) e çdogjëje që e pengon (nuk e jep), për shkak të pozitës së ulët që ka robi tek Ai, por dhënia dhe pengimi i Tij është sprovë, dhe provim, me të cilat sprovon robërit e Tij.

Thotë Allahu i Lartësuar: “Për sa i përket njeriut, kur e sprovon atë Zoti i tij dhe e nderon e i jep të mira, ai thotë: ‘Zoti im më nderoi’. Ndërsa kur e sprovon duke ja pakësuar rizkun (furnizimin) thotë: ‘Zoti im më nënçmoi’. Kurrsesi jo!” (Fexhr: 15-17)

Nuk është ashtu siç mendoni. Jo çdonjërit që i jap dhe e begatoj me të mira e pasuri, e kam nderuar, dhe nuk është kjo për shkak të pozitës së tij të lartë tek Unë, por ajo është sprovë, dhe provim për të, a do të më falenderojë dhe t’i jap më tepër se aq, apo do të më mohojë (do të tregohet mosmirënjohës) dhe tja largoj ato që i dhashë, dhe t’ja jap dikujt tjetër. Dhe jo çdonjërin që e kam sprovuar duke ja ngushtuar rizkun, duke i dhënë aq sa nuk i mbetet më (nuk i tepron më gjë për ditën tjetër), e bëj për shkak të pozitës së tij të ulët tek Unë, por ajo është sprovim prej Meje për të, a do të durojë? Dhe t’i jap shumfish nga ajo që i ka ikur prej rizkut. Apo do të zemërohet? Dhe të jetë pjesa (hiseja) e tij zemërimi (i Allahut).

Kështu ju përgjigj Allahu duke i kundërshtuar ata që mendonin se gjerësia e furnizimit është nderim, dhe se varfëria është poshtërim. Dhe tha: Nuk e sprovova robin Tim me pasuri për shkak të fisnikërisë së tij tek Unë, dhe as nuk e sprovova atë me varfëri për shkak të poshtërimit të tij tek Unë. Dhe kështu njoftoi se nderimi dhe poshtërimi, nuk sillen rreth pasurisë dhe gjerësisë së furnizimit apo ngushtësisë së tij, sepse Ai – i Patëmeta – ja zgjeron (furnizimin) pabesimtarit jo për shkak të fisnikërisë së tij, dhe ja redukton besimtarit jo për shkak të nënçmimit të tij. Por atë që do vërtetë ta nderojë, e nderon duke i mundësuar ta njohë Atë, ta dojë dhe t’i bindet Atij, dhe atë që do ta poshtërojë, e poshtëron kur e lë të largohet prej Tij dhe e lë t’i shtojë gjynahet e tij. Dhe lavdërimi i takon Allahut për këtë dhe atë dhe Ai është i Panevojshmi (i Pasuri), i Lavdëruari. Kështu lumturia e dynjasë dhe Akhiretit u kthye tek : “Vetëm Ty të adhurojmë, dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.

‘Medarixhus-salikin’ ‘Muessesetur-risaleh nashirun’/ botimi i parë/ fq. 63-65

Pershtati: Emin Bilali

Loading...