Kitabu Teuhid (1)

March 26, 2008

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Unë nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për diçka tjetër përveçse të më adhurojnë.” | Edh Dharijat: 56. Dhe ka thënë: “Vërtetë, Ne kemi dërguar në çdo popull të dërguar (tu thonë): Adhurojeni vetëm Allahun dhe largojuni tagutëve.” | En Nahl: 36. Dhe ka thënë: “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni dikë tjetër përveç Tij dhe me prindërit të silleni mirë.” | El Isra: 23. Dhe ka thënë: “Adhurojeni Allahun dhe mos i bëni shok asgjë.” | En Nisa: 36. Dhe ka thënë: “Thuaj: Ejani tu lexoj çfarë u ka ndaluar Zoti juaj. U ka porositur që të mos i bëni shok Atij asgjë.” | El Enam: 151.

Ibën Mesudi ka thënë: Kush dëshiron të dijë se cila është porosia e vulosur (e fundit) e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, atëherë le të lexojë fjalën e të Lartësuarit: “Thuaj: Ejani tu lexoj çfarë u ka ndaluar Zoti juaj. U ka porositur që të mos i bëni shok Atij asgjë.” Deri tek fjala: “Kjo është rruga ime e drejtë, ndaj pasojeni atë.[1]

Transmetohet nga Muadh bin Xhebeli i cili tha: Isha hipur së bashku me Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem mbi gomar, dhe ai më tha: “O Muadh, a e di se cila është e drejta e Allahut ndaj robërve të Tij dhe e drejta e robërve ndaj Tij? Thashë: Allahu dhe i Dërguari Tij e dinë më së miri. Ai tha: E drejta e Allahut ndaj robërve është ta adhurojnë dhe të mos i bëjnë shok Atij asgjë, ndërsa e drejta e robërve ndaj Allahut është të mos i dënojë ata që nuk i bëjnë shok Atij asgjë. Thashë: A t’i përgëzoj njerëzit? Tha: Jo, mos i përgëzo se pastaj do i mbështeten kësaj.” Transmetohet në dy Sahihet. [2]

 

Nga kjo përfitohen dobitë e mëposhtme:

1)   Urtësia në krijimin e xhinëve dhe njerëzve.

2)   Adhurimi është vetë teuhidi sepse armiqësia rreth tij ka ndodhur (mes profetëve dhe popujve të tyre).

3) Kush nuk ka teuhid nuk e ka adhuruar Allahun. Kësaj i përputhet kuptimi i ajetit Kuranor: “As ju nuk adhuroni atë që unë adhuroj.

4)    Urtësia në dërgimin e profetëve.

5)    Dërgesa (shpallja) ka përfshirë çdo popull.

6)   Feja e profetëve ka qenë e njëjtë.

7) Çështja madhore është se adhurimi i Allahut nuk mund të arrihet veçse duke mohuar tagutët (çdo gjë adhurohet përveç Allahut). Ky është kuptimi i ajetit Kuranor: “Kush i mohon tagutët dhe i beson Allahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë.

8)   Termi tagut është i përgjithshëm që përfshin çdo gjë që adhurohet përveç Allahut.

9)  Rëndësia e madhe që kishin tek selefët tre ajetet e qarta dhe të përsosura të sures Enam, ajete të cilat përmbajnë në vetvete 10 çështje ku e para e tyre është ndalimi nga shirku.

10)  Ajetet e qarta në suren Isra përmbajnë në vetvete 18 çështje, të cilat Allahu i filloi me fjalën: “Mos shoqëro me Allahun një të adhuruar tjetër sepse do të jesh (ngelesh) i nënçmuar dhe i poshtëruar”, dhe i mbylli me fjalën e Tij: “Mos bëj me Allahun një të adhuruar tjetër se do hidhesh në Xhehenem i qortuar dhe i përzënë.” Allahu na e tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e çështjeve të përmendura duke thënë: “Kjo është nga urtësia që Zoti yt ka shpallur tek ti.

11)  Ajetin e sures Nisa që njihet dhe si ajeti i dhjetë të drejtave, Allahu e filloi me fjalën e Tij: “Adhurojeni Allahun dhe mos i bëni shok Atij asgjë.

12)  Vërejtja rreth porosisë së Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në prag të vdekjes.

13)  Njohja e detyrës që kemi ndaj Allahut.

14)  Njohja e të drejtës së robërve ndaj Allahut nëse e kryejnë obligimin e tyre.

15)  Këtë çështje nuk e dinin shumica e sahabëve.

16)  Lejimi i fshehjes së diturisë kur ka dobi.

17)  Pëlqyeshmëria e përgëzimit të muslimanit me çfarë e gëzon atë.

18)  Frika se mos mashtrohet robi duke iu mbështetur mëshirës së Allahut.

19)  Thënia: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, kur ai që pyetet nuk e di atë gjë.

20)  Lejimi i dhënies së diturisë vetëm disa njerëzve veçmas të tjerëve.

21)  Modestia e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, gjë e cila duket në hipjen e gomarit dhe në shoqërimin e dikujt me të në kafshë.

22)  Lejimi i shoqërimit mbi kafshë.

23)  Vlera e Muadh bin Xhebelit.

24)  Vlera dhe rëndësia e madhe e kësaj çështje.

Vazhdon . . .

Autor: Muhamed AbdulUehab

Përktheu: Shuajb Rexha 


[1] Transmeton  këtë ether Tirmidhiu 3072 dhe Bejhakiu në “Shuabul iman”, siç thuhet në “Durrul menthur” 3/381.

[2] Transmeton Buhariu 128, 2856, 5967 dhe Muslimi me nr. 30.

Dosje:

Loading...