Hadithe rreth vlerës së prindërve dhe mirësjelljes me ta

October 16, 2013

E pyeta të Dërguarin sal-Allahu alejhi ue sel-lem:
“- Cila vepër është më e dashur për Allahun?
Tha: – Namazi në kohën e tij.
I thashë: -Pastaj cila?
Tha: Pastaj bamirësia ndaj prindërve.”

“El Irua” 1197. Hadith i saktë.

—————

Trasmetohet nga Abdullah ibn Umeri radijallahu anhuma:

“Kënaqësia e Zotit është në kënaqësinë e prindit, dhe hidhërimi i Zotit është në hidhërimin e prindit.”

“Es-sahihah” 515. Hadith i saktë.

—————

Trasmeton Behz ibn Hakim nga babai i tij, e nga gjyshi i tij se ka thënë:

“O i Dërguar i Allahut! Kujt t`i bëj bamirësi?
Tha: Nënës tënde.
I thashë: Kujt t`i bëj bamirësi?
Tha: Nënës tënde.
I thashë: Kujt t`i bëj bamirësi?
Tha: Nënës tënde.
I thashë: Kujt t`i bëj bamirësi?
Tha: Babait tënd, pastaj atë që ke të afërt e kështu me radhë.”

“El Irua” 829. Hadith hasen.

——————–

Nga Ibn Abasi radiAllahu anhuma transmetohet se i erdhi një njeri dhe i tha:

“U fejova me një grua dhe ajo refuzoi të martohej me mua. U fejua me të një tjetër dhe ajo donte të martohej me të. Kisha xhelozi për të dhe e vrava. A ka pendesë për mua?

Tha: A është nëna jote gjallë?

Tha: Jo.

Tha: Pendohu para Allahut të Madhëruar dhe afroju Atij me adhurime aq sa të kesh mundësi.”

Ata ibn Jesari, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
“Shkova e pyeta Ibn Abasin:
– Pse e pyete a e ka nënën gjallë?

Tha: Nuk di ndonjë vepër që të afron tek Allahu më shumë sesa bamirësia ndaj nënës.”

“Es Sahihah” 2799. Hadith i saktë.

————————-

Trasmetohet nga Tajseleh ibn Mejas:

“Isha me nexhedat (hauarixhët) dhe bëra një gjynah që e dija se është nga gjynahet e mëdha, e ja përmenda këtë Ibn Umerit.

Me tha: Cili është ky gjynah?

I thashë: Kështu e kështu.

Tha: Nuk është prej gjynaheve të mëdha, sepse ato janë nëntë:

– adhurimi i dikujt tjetër përvec Allahut,
– vrasja e të pafajshmit,
– ikja nga fronti,
– akuzimi i grave të ndershme,
– marrja e kamatës,
– prekja e pasurisë së jetimit,
– mohimi i Allahut në xhaminë (e shenjtë),
– pirja e pijeve dehëse,
– mërzia e prindit nga sjellja e keqe e fëmijës ndaj tij.

A ke frikë nga zjarri e do të hysh në Xhenet?

I thashë: Po, pasha Allahun!

Tha: A e ke gjallë babën?

I thashë: Kam vetëm nënën.

Tha: Pasha Allahun, nëse do t`i flasësh butë asaj dhe do t`i japësh për të ngrënë, padyshim që do të hysh në Xhenet nëse i largohesh gjynaheve të mëdha.”

“Es Sahihah” 2898. Hadith i saktë.

———————

“Dhe shtrije për ta krahun e nënshtrimit, të mirësisë e të përuljes me mëshirë…” | El Isra: 24.

Transmetohet nga Eruah se ai në koment të këtij ajeti ka thënë:
D.m.th. mos ia le pa plotësuar atë që dëshirojnë.

Zinxhir transmetimi i saktë. “Sahih edeb el mufrad” 36.

——————–

Ebu Hurejra radijallahu anhu  trasmeton se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Nuk arrin të ia shpërblejë fëmija prindit në asnjë rast përvec kur e gjen të robëruar, e blen dhe e liron.”

“El Irua” 1747. Hadith i saktë.

—————

Trasmetohet nga Abdullah ibn Amri adijallahu anhuma se ka thënë:

Erdhi një burrë tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për t`i dhënë besën për hixhret (për tu shpërngulur bashkë me Pejgamberin alejhi selam), por ndërkohë i kishte lënë prindërit duke qarë.
Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha:

“Kthehu tek ata dhe bëji të qeshin ashtu sic i bëre të qajnë.”

“Tealijk er-ragijb” 3/213. Hadith i saktë.

————————

Trasmetohet nga Ebu Murrah, shërbëtori i Um Hani, vajza e Ebu Talibit se:

Ai shkoi bashkë me Ebu Hurejran mbi të njëjtën kafshë udhëtimi, tek toka e tij (atdheu i tij, El Akik). Sa hyri thirri me sa kishte fuqi: “Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ty o nëna ime!
Ajo tha: Edhe mbi ty!
Tha: Allahu të mëshiroftë që më rrite kur isha i vogël!
Ajo tha: Edhe ty biri im, Allahu ta shpërbleftë me të mira e qoftë i kenaqur prej teje që bën bamirësi ndaj meje kur u plaka.”

Zinxhir transmetimi i saktë. “Sahih edeb el mufred” 37.

——————–

Trasmetohet nga Ebu Bekrah radijallahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“A doni t`iu tregoj për gjynahet më të mëdha?
A doni t`iu tregoj për gjynahet më të mëdha?
A doni t`iu tregoj për gjynahet më të mëdha?

Thanë: Padyshim që po o i Derguar i Allahut!

Tha: Adhurimi i dikujt tjetër bashkë me Allahun, sjellja e keqe ndaj prindërve…”

“Gajetul meram” 277. Hadith i saktë.

—————–

Ka thënë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

“E ka mallkuar Allahu atë që pret kurban për dikë tjetër përvec Allahut, e ka mallkuar Allahu atë që vjedh tokë (duke ndryshuar kufinjtë e truallit), e ka mallkuar Allahu atë që mallkon prindërit e tij.”

“El mishkat” 4070. Hadith i saktë.

——————

Trasmetohet nga Ebu Derda radijAllahu anhu se ka thënë:

Më porositi i Dërguari i Allahut me nëntë gjëra:

-Mos adhuro bashkë me Allahun asgjë edhe nëse të presin në copa apo të djegin!.

-Mos e ler kurrsesi namazin! Ai që e lë namazin me dashje, Allahu ka hequr dorë prej tij (nuk është më nën besën dhe mbrojtjen e Allahut).

-Mos pi pije dehëse në asnjë mënyrë! Me të vërtetë që kjo është celësi i cdo të keqeje.

-Bindu prindërve të tu! Edhe nëse të urdhërojnë të dalësh nga dunjaja, dil për ta. (d.m.th. bindju në cdo gjë përvec kur të urdhërojnë t`i bësh gjynah Allahut).

-Mos hiq kurrë dorë nga bindja ndaj prijësave edhe nëse e sheh që je i vetmi që je në hak.

-Mos ik nga fronti edhe nëse po të vjen shkatërrimi e shokët e tu kanë ikur.

-Shpenzo për familjen tënde sa të kesh mundësi.

-Mos vër dorë mbi ta kot pa arsye.

-Përkujtoji ata t`i ruhen kufijve të Allahut.”

“El Irua” 2026. Hadith hasen.

———————

Trasmetohet nga Abdullah ibn Amr radijallahu anhuma:

“Erdhi një burrë tek i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, dhe donte të shkonte në xhihad.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha: A i ke gjallë prindërit?

Tha; – Po.

I tha: Tek ata të dy bëje xhihadin.” (duke u kujdesur per ta)

“El irua” 1199. Hadith i saktë.

—————-

Nga Ebu Hurejra radijallahu anhu trasmetohet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“I poshtëruar është ai! I poshtëruar është ai! I poshtëruar është ai!

Thanë: O i Dërguar i Allahut, cili?

Tha: Ai të cilit i arritën prindërit ose njëri prind në moshën madhore, dhe hyri në zjarr.” (ngaqë nuk u kujdes për ta e nuk bëri bamirësi ndaj tyre)

“Talijk er-ragijb” 3/215. Hadith i saktë.

———————–

Trasmetohet nga Sad ibn Ebi Uekas radijallahu anhu se ka thënë:

“Kanë zbritur për shkakun tim katër ajete nga Libri i Allahut:

(1) Ishte betuar nëna ime qe as nuk do hante e as nuk do pinte derisa të ndahesha nga Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Atëherë Allahu zbriti ajetin:
“Por nëse ata të dy (prindërit) përpiqen të të shtyjnë ty që ti të bashkosh në adhurimin e Allahut të tjerë për të cilët ti nuk ke asnjë fakt (argument), atëherë mos iu bind atyre, por sillu me ta në dynja me dashamirësi dhe ndiq rrugën e atij i cili më kthehet Mua me pendim dhe nënshtrim. Pastaj tek Unë do të jetë kthimi juaj dhe Unë do t’ju tregoj çfarë keni punuar.” | Lukman: 15.

(2) Mora një shpatë që më pëlqeu (nga placka e luftës), dhe thashë: O i Dërguar i Allahut! A ma dhuron mua këtë? Dhe për këtë zbriti ajeti:
“Të pyesin ty për plackën e luftës.” | El Enfal: 1.

(3) U sëmura dhe më erdhi i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. I thashë: “Dua të ndaj pasurinë time. A bën ta lë amanet për dikë (jo trashëgimtarëve të mi) gjysmën? Tha: Jo! I thashë: Një të tretën? Heshti, e pastaj tha: Një të tretën maksimumi!”

(4) Piva alkool me disa ensarë dhe njëri nga ata më goditi në hundë në Lahja Xhemel (vend rrugës së Mekes). Unë shkova te i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alehi ue sel-lem dhe Allahu zbriti ndalimin e pirjes se alkoolit.”

“El mishkat” 3072. Hadith i saktë.

———————-

Transmetohet nga Abdullah ibn Amri radijallahu anhuma se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Prej gjynaheve të mëdha është që njeriu të shajë prindërit e tij.
Thanë: Si i shan njeriu prindërit e tij?
Tha: Shan ndonjërin, e ai shan babain dhe nënën e tij.”

“Talijk er-ragijb” 3/221. Hadith i saktë.

————————

Transmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Tre dua janë të pranuara dhe s’ka dyshim në to; duaja e atij që i është bërë padrejtësi, duaja e udhëtarit, dhe duaja e prindërve për fëmijen e tyre.”

“Es sahihah” 598. Hadith hasen.

————————-

Trasmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu  se ka thënë:

“I rriten gradët të vdekurit pas vdekjes, dhe thotë: O Zot! Cfarë është kjo? Si është e mundur?

I thuhet: Nga fëmija yt i cili kërkon falje për ty.”

Hadith hasen. “Sahih edeb el mufrad”.

————————–

Trasmetohet nga Ebu Hurejra radijallahu anhu se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Kur vdes robi i ndërpriten veprat, përvec në tri raste: sadakaja e vazhdueshme (vakëf), dije prej së cilës përfitojnë të tjerët, dhe fëmijë i hajrit që bën dua për të.”

“El irua” 1580. Hadith i saktë.

——————————–

Transmetohet nga Ibn Abasi radijallahu anhuma se një njeri tha:

“O i Dërguar i Allahut! Nëna ime ka vdekur e nuk ka lënë testament. A i bën dobi asaj nëse unë jap sadaka (lëmoshë) për të?

Tha: Po.”

“Sahih Ebi Daud” 2566. Hadith i saktë.

—————————-

Ibn Umeri radiAllahu anhuma trasmeton nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë:

“Bamirësia më e mirë që mund të bëjë njeriu është të mbajë lidhjet me miqtë e dashamirët e babait të tij (pas vdekjes).”

” Es Sahihah” 3063. Hadith i saktë.

—————————-

Nga Erua trasmetohet se Ebu Hurejra radijallahu anhu pa dy burra, dhe i tha njërit prej tyre:
“Cfarë e ke këtë?
Tha: Babai im.
I tha: Mos e thirr në emër (pa respekt: O filan!), mos ec para tij, dhe mos u ul para tij.”

Hadith sahih. “Sahih edeb el mufrad”.

——————————–

“Adhuroni Allahun dhe mos i vini Atij shok në adhurim. U bëni mirësi; prindërve, të afërmve, jetimëve, të varfërve që lypin, fqinjit të afërt, fqinjit të ardhur, shokut pranë, udhëtarit (që takoni), dhe atyre (robërve) që i keni nën pushtetin tuaj. Vërtet, Allahu nuk i do ata që janë kryelartë e që mburren.” | En Nisa: 36.

23. “Ndërsa Zoti yt ka përcaktuar që mos të adhurosh askënd e asgjë veç Atij, dhe të jesh i përkushtuar ndaj prindërve të tu. Në qoftë se njëri prej tyre ose të dy arrijnë moshën e pleqërisë dhe ti je gjallë me ta, mos u thuaj ndonjë fjalë pakënaqësie e mosrespekti, as mos e ngritni zërin (duke u thënë “uf!”). Por tu drejtoheni atyre me shprehje nderuese e me respekt.”

24. “Dhe ule mbi ta krahun e nënshtrimit, të mirësisë e të përuljes me mëshirë, dhe thoni: Zoti im! Dhuro mbi ta përkujtimin Tënd, siç më rritën mua kur unë isha i mitur.” | El Isra.

“Ne i kemi përcaktuar njeriut që të jetë i mirë dhe i përkushtuar ndaj prindërve të tij. Nëna e tij e mbart atë me mundime dhe e lind me mundime; mbartja e tij dhe gjidhënia është tridhjetë muaj. Derisa të arrijë moshën e fuqisë dhe arrin dyzet, thotë: ‘Zoti im! Më dhuro fuqi e mundësi që të mund të jem falënderues për mirësitë e Tua që më ke dhuruar, mua dhe prindërve të mi. Dhe të mund të punoj mirësi e drejtësi, vepra që gjejnë kënaqësinë Tënde. Më dhuro pasardhës të mirë. Vërtet të jam kthyer me pendim, dhe vërtet që unë jam prej muslimanëve (duke iu nënshtruar vullnetit Tënd).” | Ahkaf: 15.

Trasmetohet nga Ebu Bekrah radijallahu anhu se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“Nuk ka gjynah  me të cilin t`i shpejtohet gjynahqarit dënimi më shumë, përvec asaj pjese të dënimit që është ruajtur për në ahiret, sesa padrejtësia dhe shkëputja e lidhjeve farefisnore.”

“Es Sahihah” 915. Hadith i saktë.

Trasmetohet nga Esma bija e Ebu Bekrit radijallahu anhu, se ajo ka thënë:

“Erdhi nëna ime (mushrike) në kohën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe donte të mbante lidhjet me mua, dhe pyeta Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: A t`i mbaj lidhjet me të? Tha: Po.”

Ka thënë Ibn Ujejneh rahimehullah:

Allahu i Madhëruar zbriti për të ajetin:
“Allahu nuk u ndalon të mbani drejtësi e të silleni mirë me ata të cilët nuk u luftuan për çështje të fesë, dhe nuk u dëbuan nga shtëpitë tuaja. Vërtet që Allahu i do ata që mbanjnë drejtësi .”
“El Mumtehineh: 8.

“Sahih Ebi Daud” 1468. Hadith i saktë.

Përktheu: Anis Agovi

Dosje:

Loading...