Tema: Ndalimi i hipokrizise dhe sqarimi i shenjave te saj (hipokrizise):
Allahu i Madhëruar thote: “Paralajmëroji hipokritët (o Muhamed) për dënimin e mjerueshëm që i pret.” Nisa 138.
Gjithashtu ka thënë: “Në të vërtetë, hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Ai që i mashtron ata. Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë, vetëm sa për t’u dukur para botës dhe Allahun e përmendin fare pak. Luhaten në mëdyshje, – nuk janë as me këta, as me ata. Këdo që Allahu shpie në humbje, ti (o Muhamed!) nuk do të mundesh t’ia gjesh rrugën.” Nisa 142-143.
“Pa dyshim që hipokritët do të jenë në thellësinë më të madhe të Xhehenemit dhe ti kurrsesi nuk do t’u gjesh atyre ndihmës.” Nisa 145.
“Hipokritët druajnë se do të shpallet ndonjë sure e cila do t’i demaskojë për atë që kanë në zemrat e tyre. Thuaj: Talluni po deshët! Allahu sigurisht që do ta nxjerrë në pah atë së cilës ju i druheni”. Nëse i pyet, ata do të të përgjigjen: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim”. Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?” Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar. Nëse Ne i falim disa prej jush (për shkak se u penduan), do t’i ndëshkojmë të tjerët, ngase janë fajtorë (nuk u penduan për talljen që bënë). Hipokritët dhe hipokritet janë të ngjashëm me njëri – tjetrin: kërkojnë që të bëhen vepra të këqija e pengojnë të mirat dhe janë dorështrënguar. Ata e kanë harruar Allahun, por edhe Ai i ka harruar ata. Me të vërtetë, hipokritët janë keqbërës. Allahu u ka premtuar hipokritëve, hipokriteve dhe mosbesimtarëve zjarrin e Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë; ai do t’iu mjaftojë atyre! Allahu i ka mallkuar dhe ata do të kenë dënim të vazhdueshëm.” Teube 64-68.
Gjithashtu i drejtohet Profetit (alejhis-salatu ues- selam) duke i thene: “O i Dërguar! Lufto kundër mohuesve dhe hipokritëve dhe bëhu i ashpër ndaj tyre! Strehimi i tyre është Xhehenemi; sa vendbanim i shëmtuar. Hipokritët betohen për Allahun se nuk thanë asgjë (të keqe). Por, në të vërtetë, ata thanë fjalën e mosbesimit, mohuan pas (pranimit të) Islamit dhe synuan të bënin gjëra të cilat nuk i arritën dot. Ata u bënë keqdashës, vetëm sepse Allahu dhe i Dërguari i Tij u kishin dhënë (besimtarëve) nga të mirat e Tij. Nëse pendohen, do të jetë më mirë për ta; por, nëse kthejnë shpinën, Allahu do t’i ndëshkojë me dënim të rëndë në këtë jetë dhe në tjetrën dhe ata nuk do të kenë kurrfarë mbrojtësi apo ndihmësi në Tokë.” Teube 73-74.
“Si pasojë, Allahu do t’i dënojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, ndërsa do t’ua pranojë pendimin besimtarëve dhe besimtareve. Vërtetë Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” Ahzabe 73.
Ajetet që flasin për hipokrizinë dhe hipokritët janë të shumta.
-Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tre: Kur flet gënjen, kur e jep premtimin nuk e mban dhe kur i lihet diçka në amanet (mirëbesim) tradhëton.”
[Buhariu me nr 33 dhe Muslimi me nr 59].
-Ne nje version tjeter thuhet: “Edhe nëse agjëron, falet dhe pretendon se është Musliman.”
[Muslimi me nr 59,109].
-Abdullah bin Amër (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) përcjell se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë: “Katër cilësi nëse ndodhen tek një person konsiderohet hipokrit i vërtetë, ndërsa ai që ka vetëm një cilësi prej këtyre i bie të ketë cilësi munafiku derisa ta braktisë atë: Kur i lihet diçka në mirëbesim tradhëton, kur flet gënjen, kur lidh një marrëveshje e thyen atë dhe kur armiqëson i kalon kufijtë”.
[Buhariu me nr 34 dhe Muslimi me nr 58].
-Hudhejfeja (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thoshte: “Nifaku (hipokrizia) ekzistonte në kohën e Profetit (alejhi salatu ue selam) ndërsa sot nifak (dyfytyrësi) konsiderohet mohimi pas besimit.”[1]
Dobi dhe mësime:
1- Nifaku (hipokrizia) ndahet në:
a- Hipokrizi mohimi, e cila konsiderohet kufër që të nxjerr nga rrethi i Islamit. b- Hipokrizi në vepra, e cila nuk mer dispozitat e mësipërme. Një ndarje e tillë është e pohuar tek selefët (të parët tanë të mirë).
Tirmidhiu (Allahu e mëshiroftë) në Sunenin e tij (20/5) thotë: Kuptimi i këtyre (teksteve) tek selefët është për hipokrizinë në vepra, sepse hipokrizia e përgënjeshtrimit ka ekzistuar në kohën e Profetit (alejhi salatu ue selam). Kështu është përcjellë nga Hasan el Basriu se ka thënë: Nifaku (hipokrizia) është dy llojesh: Hipokrizi në vepra dhe hipokrizi mohimi.”
2- Nifaku (dyfytyrësia), është thelbi i të gjitha problemeve.
Ibn Kajim el Xheuzije në librin “Medarixh es Salikin” (1/347-359) e ka përmbledhur këtë sëmundje (të rrezikshme) duke thënë:
“Sa i përket nifakut (dyfytyrësisë), ajo është sëmundja e brendshme shkatërruese, me të cilën njeriu mund të jetë mbushur pa e kuptuar. Eshtë sëmundje shumë e fshehtë për njerëzit, madje në shumë raste edhe për ata që kanë rënë pre` e saj. Deri aty sa u krijohet ideja se janë përmirësues, edhe pse realisht janë çrregullues (në tokë).
Nifaku (Hipokrizia) ndahet në dy shkallë: Hipokrizi e madhe dhe hipokrizi e vogël.
Hipokrizia e madhe: Shkakton përjetësim në zjarrin e xhehenemit, madje në thellësinë më të madhe të tij.
Ajo nënkupton: Shfaqjen e besimit në Allahun, engjëjt, librat, profetët dhe ditën e fundit para muslimanëve, ndërkohë që në brendësinë e tij është i zbrazur prej këtij besimi, përgënjeshtrues ndaj tij dhe mosbesues që Allahu të ketë folur me fjalë që ua ka transmetuar profetëve, të cilët i dërgoi tek njerëzit që t`i udhëzojnë me lejen e Tij dhe t`i paralajmërojnë nga ndëshkimi i Tij.
Allahu i Lartësuar, i çorri maskat e munafikëve, i zbuloi fshehtësitë e tyre në librin e Tij Fisnik dhe ua tregoi besimtarëve çështjet e hipokritëve me qëllim që të jenë syçelë dhe të ruhen prej tyre. Në ajetet e para të sures El BEKARE, Allahu i Madhëruar përmendi tri kategoritë e njerëzve që jetojnë në këtë botë: besimtarët, mohuesit dhe hipokritët. Për besimtarët, përmendi katër ajete. Për mohuesit përmendi dy ajete, ndërsa për hipokritët përmendi trembëdhjetë ajete. Kjo për faktin se janë të shumtë në numër, belatë dhe sprovat që ata kanë shkaktuar ndaj islamit dhe Muslimanëve i kanë kapluar njerëzit, madje duke qenë edhe mjaft tronditëse.
Islami është sprovuar me ta, sepse në aparencë janë pjesë e tij. Duken sikur e ndihmojnë dhe e duan (ISLAMIN) por në realitet, janë armiq që nxjerrin mllefin në çdo formë. Injorantët i mendojnë si njerëz të ditur dhe përmirësues, ndërkohë janë në kulmin e injorancës madje edhe çrregullues.
Sa e sa fortesa të Islamit i kanë shembur! Sa e sa fortifikata të (islamit) i kanë çrrënjosur e i kanë shaktërruar! Sa simbole islame kanë damkosur! Sa e sa flamuj te ngritur lart, i kanë përdhosur! Sa çekanë dyshimesh kanë gjuajtur në themelet dhe filizat e islamit për t`i crrënjosur! Sa mund kanë dhënë që burimet (e islamit) t`i varrosin e t`i thajnë, duke përdorur mendime të sëmura!
Islami dhe muslimanët gjithmonë do të jenë të sprovuar dhe në bela prej tyre, sepse ata akoma vazhdojnë të godasin me dyshimet e tyre çetë pas çete e megjithatë pretendojnë se jane përmirësues: “Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkaktarët e çrregullimeve, ndonëse nuk e ndiejnë.” Bekare 12.
“Ata dëshirojnë të shuajnë dritën e Allahut me gojën e tyre, por Allahu e përsos dritën e Vet, edhe nëse (këtë gjë) e urrejnë jobesimtarët.” Saf 8.
Munafikët u bënë një mendje për ta kundërshtuar shpalljen e Allahut dhe në braktisjen e të udhëzuarit, për këtë ishin të një fjale:
“Por ata (popuj ku u çuan të dërguarit) u ndanë në grupe në çështje të fesë së tyre. Çdo grup ishte i kënaqur me atë që kishte.” Mu’minunë 53.
“E frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë boshe të zbukuruara për mashtrim.” En’ame 112.
Per kete arsye: “E shpërfillën Kuranin, si (diçka) të urryer”. Furkan 30.
Shenjat e imanit u shuan në zemrat e tyre prandaj nuk e njohin atë (besimin).
Zotimet qe dhanë u shembën dhe as që u shkon në mendje t`i rimëkëmbin.
Pishtarët ndicues që i kishin lidhur në zemër u shkëputën dhe as që duan t`i ngjallin. Dielli bëri eklips kur hasi në idetë e tyre të zymta dhe as që kanë shpresë për ta parë.
Vijon….
“Enciklopedia e ndalesave ne Islam” Selim el Hilali.
Përshtati Fatjon Isufi.
[1] Ibn Haxheri në librin Fet’hul Bari 13/74 thotë: Hudhejfeja me mohimin e tij nuk kishte për qëllim se ai ndodh përkundrazi ai mohoi përputhjen e gjykimit sepse nifaku është të shfaqësh besimin dhe të fshehësh kufrin dhe kjo është e realizueshme në cdo kohë por ajo që ndryshon është gjykimi sepse Profeti alejhi selam i afronte dhe e pranonte atë që shfaqnin prej islamit edhe nëse shfaqnin diçka ndryshe nga realiteti që kishin. Por pas kohës së Profetit ai që shfaq dicka merret në llogari dhe nuk lihet për ndonjë dobi afrimi sepse kjo tashmë nuk është e nevojshme.”
Them: Këtë e pohon edhe më tej ajo që përcjell Buhariu me nr 2641 nga Abdullah bin Utbeh i cili ka thënë: E kam dëgjuar Omer bin Hatabin duke thënë: Disa njerëz vlerësoheshin sipas shpalljes që zbriste në kohën e Profetit (alejhis-salatu ues- selam) por ta dini se shpallja është ndërprerë. Sot ne marrim në llogari në bazë të punëve që shfaqen ai që na tregon vepra të mira e sigurojmë dhe e afrojmë dhe s`kemi të bëjmë me anën e tij të brendshme, vetëm Allahu ka për ta gjykuar zemrën e tij. Ndërsa ai që na shfaq të keqen ne nuk e sigurojmë dhe nuk i besojmë edhe nëse na thotë: Kam zemër dhe shpirt të mirë.”
Dosje: Hipokrizia, Syfaqësia
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve