Atij që Allahu i jep e do dhe atë që e privon nuk e do?!

March 9, 2014

Më poshtë është përgjigjia e pyetjes madhore që lind herë pas here: Atij që Allahu i jep e do, dhe atë që e privon nuk e do, apo…?
Ibën Kajimi duke shpjeguar se njerëzit në lidhje me adhurimin dhe kërkimin e ndihmës prej Allahut janë katër llojesh, thotë:
“Lloji i dytë janë ata që ja kanë kthyer shpinën adhurimit të Tij dhe kërkimit të ndihmës prej Tij.
Këta s’kanë as adhurim e as kërkim ndihme, madje nëse ndonjëri prej tyre i kërkon ndihmë Atij (Allahut) i kërkon për plotësimin e dëshirave dhe tekave të tij, dhe jo për të arritur kënaqësinë e Zotit dhe për të drejtat e Tij (sh.p. nuk i kërkon ndihmë Allahut ta ndihmojë në arritjen e kënaqësisë së Tij dhe t’ja lehtësojë adhurimet që ka detyrë kundrejt Tij, por i kërkon ndihmë t’i plotësojë dëshirat dhe nevojat e tij personale).

Atij, të Pastrit nga te metat, i lutet (i kërkon) çdokush në qiej dhe në tokë, i kërkojnë të dashurit e Tij dhe armiqtë e Tij dhe Ai u jep këtyre dhe atyre. Madje krijesa më e urryer e Tij është armiku i Tij Iblisi, Allahu e mallkoftë, e megjithatë ai i kërkoi diçka dhe Allahu ja dha dhe e bëri të kënaqet me të. Por ajo nuk ishte ndihmuese për të në arritjen e kënaqësisë së Tij, por vetëm sa ja shtoi (Iblisit) dëshpërimin dhe largësinë nga Allahu dhe e dëboi atë prej Tij. Kushdo që i kërkon ndihmë Allahut për diçka por ajo nuk është ndihmesë për të në bindjen ndaj Tij, patjetër se është largim prej kënaqësisë së Tij dhe ndërprerëse e robit prej Tij.

Prandaj le të meditojë i logjikshmi rreth kësaj në veten e tij dhe tek të tjerët, dhe ta dijë se përgjigja e Allahut ndaj atyre që i kërkojnë nuk është për shkak të fisnikërisë së kërkuesit tek Ai (se ai ka një pozitë të lartë tek Zoti prandaj i përgjigjet lutjes). Robi i kërkon diçka dhe Ai ja plotëson nevojën që ka por në të gjendet shkatërrimi dhe trishtimi i tij. Plotësimi i dëshirës është për shkak se ai ka pozitë të ulët tek Allahu dhe ka rënë në sytë e Tij, dhe ja ndalon nevojën që ka për shkak të fisnikërisë dhe dashurisë së tij tek Allahu. Pra ja pengon për ta ruajtur, për ta mbrojtur dhe për ta shpëtuar dhe jo se është koprrac (i Lartë është Allahu prej kësaj).

Këtë gjë e bën me robin që dëshiron fisnikërimin e tij dhe e do atë, kështu që e trajton me butësi dhe ai mendon me injorancën e vet se Allahu nuk i përgjigjet dhe nuk e nderon! Ndërkohë shikon sesi i plotëson dëshirat e të tjerëve dhe mendon keq për Zotin e tij, dhe kjo është brendësia e zemrës të cilën ai nuk e ndien (këto ndjenja dhe mendime i shkojnë në mendje). I mbrojtur (prej këtyre) është ai që e mbron Allahu dhe njeriu është dëshmitar i vetes (e njeh mirë atë).

Shenja e kësaj (e këtyre mendimeve) është zemërimi me paracaktimin (kaderin) dhe qortimi i brendshëm për të, siç kanë thënë: “I paafti në mendime është humbës i madh i rasteve të tij, aq sa kur i largohet një gjë qorton paracaktimin.” Pasha Allahun, sikur ta zbulonte brendësinë dhe sekretin e tij do shikonte atje qortimin e kaderit dhe akuzimin e tij, dhe se; “Duhet të ndodhte kështu dhe kështu, por çfarë fuqie kam unë? Çështja nuk është në dorën time!” I logjikshmi është kundërshtar (akuzues) i vetes së tij, ndërsa injoranti kundërshtar i caktimit të Zotit të tij.

Prandaj ki kujdes të madh nga të kërkuarit ndonjë gjë të caktuar, mirësia dhe përfundimi i së cilës është e panjohur për ty. Nëse duhet patjetër të kërkosh prej Zotit tënd diçka, atëherë kushtëzoje këtë me dijen e Tij për mirësinë (dobinë) e saj. Parapriji lutjes tënde me istiharah (kërkimi prej Allahut që të zgjedhë për ty atë që është më e mira), dhe të mos jetë ajo istiharah e gjuhës dhe pa njohuri por istiharah e atij që nuk ka dije për ato gjëra që i bëjnë dobi dhe nuk ka fuqi për to. Nuk udhëzohet dot për tek hollësitë e tyre dhe nuk posedon për veten e tij as dëm e as dobi, madje nëse lihet në dorë të vetvetes shkatërrohet krejtësisht dhe e humbet gjithë çështjen.

Nëse të jep (Allahu) atë që ta jep pa e kërkuar, atëherë kërko që ta bëjë atë ndihmuese në bindjen ndaj Tij dhe mjet për të arritur kënaqësinë e Tij, dhe të mos e bëjë atë ndërperëse (që të shkëput nga Ai) dhe as larguese nga kënaqësia e Tij. Mos mendo se dhënia e çfarëdo gjëje që jep është për shkak të fisnikërisë së robit tek Ai, dhe as pengimi (mosdhënia) i çdo gjëje që e pengon (nuk e jep) për shkak të pozitës së ulët që ka robi tek Ai. Por dhënia dhe pengimi është sprovë dhe provim me të cilat Allahu sprovon robërit e Tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “Përsa i përket njeriut kur e sprovon Zoti i tij dhe e nderon e i jep të mira, ai thotë: ‘Zoti im më nderoi’. Ndërsa kur e sprovon duke ja pakësuar rizkun (furnizimin) thotë: ‘Zoti im më nënçmoi’. Kurrsesi jo!” | El Fexhr: 15-17.
Nuk është ashtu si mendoni. Jo çdonjërit që i jap dhe e begatoj me të mira e pasuri e kam nderuar, dhe nuk është kjo për shkak të pozitës së tij të lartë tek Unë. Ajo është sprovë dhe provim për të a do të më falënderojë dhe t’i jap më tepër se aq, apo do të më mohojë (do tregohet mosmirënjohës) dhe t’ja largoj ato që i dhashë dhe t’ja jap dikujt tjetër. Jo çdonjërin që e kam sprovuar duke ja ngushtuar rizkun dhe duke i dhënë aq sa nuk i mbetet më (nuk i tepron gjë për ditën tjetër) e bëj për shkak të pozitës së tij të ulët tek Unë. Ajo është sprovim prej Meje a do të durojë dhe t’i jap shumëfish nga ajo që i ka ikur prej rizkut, apo do të zemërohet dhe të jetë pjesa (hiseja) e tij zemërimi (i Allahut).

Kështu ju përgjigj Allahu duke i kundërshtuar ata që mendonin se gjerësia e furnizimit është nderim dhe se varfëria është poshtërim, dhe tha: “Nuk e sprovova robin Tim me pasuri për shkak të fisnikërisë së tij tek Unë, dhe as nuk e sprovova atë me varfëri për shkak të poshtërimit të tij tek Unë.” Kështu Ai njoftoi se nderimi dhe poshtërimi nuk sillen rreth pasurisë dhe gjerësisë së furnizimit apo ngushtësisë së tij. Ai ia zgjeron (furnizimin) pabesimtarit jo për shkak të fisnikërisë së tij, dhe ja redukton besimtarit jo për shkak të nënçmimit të tij. Atë që do vërtetë ta nderojë e nderon duke i mundësuar ta njohë Atë, ta dojë dhe t’i bindet Atij, dhe atë që do ta poshtërojë e poshtëron kur e lë të largohet prej Tij dhe e lë t’i shtojë gjynahet. Lavdërimi i takon Allahut për këtë dhe Ai është i Panevojshmi (i Pasuri), i Lavdëruari! Lumturia e dynjasë dhe ahiretit u kthye tek ajeti: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!”

Burimi:  “Medarixhu salikin”, “Muessesetur-risaleh nashirun”, botimi i parë, fq. 63-65.

Dosje:

Loading...