Në këtë kohë është përhapur një dukuri ku një pjesë njerëzish që i referohen diturisë dhe thirrjes në të mirë nëpërkëmbin nderin e shumicës së vëllezërve të tyre thirrësa të njohur, duke cënuar personalitetin e kërkuesve të dijes, thirrësave dhe ligjëruesve. E bëjnë këtë fshehurazi në ndejat e tyre ose i ruajnë në kaseta për t’ua publikuar më pas njerëzve. Apo e bëjnë edhe haptazi në ligjëratat e përgjithshme nëpër xhamia. Kjo metodologji është në kundërshtim me atë që ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij sal-lAllahu alejhi ve sel-lem nga kënde të shumta:
1. Kjo dukuri është shkelje mbi të drejtat e njerëzve nga radhët e muslimanëve, bile mbi më të veçantët e tyre nga radhët e kërkuesve të dijes dhe thirrësve të cilët janë munduar në vetëdijësimin e njerëzve dhe orientimin e tyre, në korrigjimin e besimit dhe metodologjisë së tyre. Ata janë përpjekur në mbajtjen e mësimeve dhe ligjërimeve si dhe në shkruarjen e librave të dobishëm.
2. Kjo dukuri shkakton përçarje në unitetin e muslimanëve dhe në prishjen e radhëve të tyre. Ata janë shumë të nevojshëm për unitet dhe distancim nga ndarja dhe përçarja dhe thashethemet mes tyre. Posaçërisht thirrësit nderi i të cilëve është prekur janë nga radhët e ehli sunetit dhe xhematit dhe janë të njohur për luftimin e risive dhe përrallave, për qëndrimin përballë thirrësave të risive. Ata janë marrë me zbulimin e planeve dhe lojrave të tyre.
Ne në këtë dukuri nuk jemi duke parë kurrfarë përmirësimi veçse interes në favor të armiqve vëzhgues nga pabesimtarët dhe hipokritët, ose nga bidatçijtë dhe të devijuarit.
3. Kjo dukuri ndihmon ata që kanë qëllime të këqija nga radhët e sekularistëve, pro-degjeneruesve dhe ateistëve të tjerë të cilët janë të famshëm në sulmin ndaj thirrësve, në shpifjen ndaj tyre dhe në nxitjen kundër tyre përmes shkrimeve dhe audiove. Prandaj ata duhet ta dinë se nuk është prej obligimit vëllazëror islam ndihma e atyre armiqve kundër vëllezërve të tyre nga radhët e kërkuesve të dijes, thirrësave dhe të tjerëve të ngjashëm me ta.
4. Kjo dukuri gjithashtu shkakton prishjen e njerëzve të rëndomtë dhe të të dalluarve, shkakton përhapje dhe promovim të gënjeshtrave dhe thashethemeve të kota, bëhet shkas i përgojimeve të shumta dhe i mbartjes së fjalëve, bëhet shkak për hapjen e derës së sherrit para shpirtrave të ligj të cilët janë mësuar me përhapjen e dyshimeve dhe nxitjen e trazirave, dhe janë të kujdesshëm në ngacmimin e besimtarëve pa kurrfarë të drejte.
5. Po ashtu shumica e thashethemeve janë të pavërteta dhe aspak reale, dhe nuk janë veçse hamendësime të zbukuruara nga shejtani për njerëzit e hamendësimeve të mashtruar nga ai. Allahu i lartësuar ka thënë: “O ju që keni besuar! Shmanguni prej shumë dyshimeve meqë disa dyshime janë mëkat” | Huxhurat: 12.
Besimtari duhet që fjalën e vëllait të vet ta interpretojë siç është më së miri, siç kanë thënë disa nga pararendësit (Umer ibën Hatabi): “Për një fjalë të thënë nga vëllai yt mos mendo keq përderisa mund ta interpretosh atë pozitivisht.”
6. Ixhtihadatet (hulumtimet shkencore të) e disa dijetarëve dhe kërkuesve të dijes në çështjet ku lejohet ixhtihadi (hulumtimi) dhe janë të aftë për të, ata nuk qortohen për to e as nuk turpërohen. Nëse është ndokush që i kundërshton në to atëherë le t’i polemizojë ata me mënyrën më të mirë, duke pasur për qëllim arritjen tek e vërteta nga rruga më e afërt dhe të largojë cytjet e shejtanit dhe përplasjet mes besimtarëve. Nëse kjo nuk është e mundur dhe ndokujt ia merr mendja që patjetër duhet të sqarojë kundërshtimin, atëherë kjo le të jetë me shprehjet më të mira dhe me fjalët më të buta pa kurrfarë sulmi, kritike apo ngacmim në fjalë. Mundet të thërrasë në të vërtetën apo të distancohet (nga ai ixhtihad) pa e cënuar nderin e askujt (pa e sulmuar), pa akuza në qëllime (nijete) dhe pa fjalë të pahijshme. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në të tilla raste u drejtohej njerëzve duke u thënë: “Ç’është me disa njerëz që thanë kështu e ashtu?” “Sahih Ebi Daud” (Es Sahiha, 2064).
Burimi: Artikull i Shejhut në disa gazeta ditore të Arabisë Saudite, si në; “El Xhezire”, “Er Rijad” dhe “Esh-Sherkul Eusat”, ditën e shtunë më 22/6/1412.
Përshtati në shqip: Zejd Haziri
Dosje: Gibeti
Të Ngjashme
- Prezantim i shkurtër mbi Islamin Udha e Besimtarëve
- Këshilla të vyera në kohë sprovash dhe trazirash Shehul-Islam Ibn Tejmie
- Mjetet e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Është detyra jonë që t’i ndihmojmë besimtarët Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Cila është metodologjia e grupit të shpëtuar? Shejh Muhamed Xhemil Zejno