Rrëzimi i parimeve të ateizmit: Parimi i dyshimit.

November 12, 2014

Rrëzimi i parimeve të ateizmit: Parimi i dyshimit.

Dyshimi është ashti dhe mishi i ateizmit. Ateisti nuk është gjë tjetër veçse një përzierje e përbërë nga dyshimi dhe paqartësia e mendimeve. E ndoshta, përshkrimi më i mirë për gjendjen e tij, përmendet në këtë poezi, ku njëri prej tyre thotë:

Erdha, nuk e di se nga, por di që erdha,
Pashë para meje rrugë dhe në të eca,
Dhe do vazhdoj të eci, desha apo nuk desha,
Si erdha? Si e pashë rrugën time?
Nuk e di!…

Dhe rruga ime, ç’është rruga ime?
A është ajo e gjatë apo e shkurtër?
Në të, jam duke u ngjitur, apo duke zbritur?
Jam unë ai qe eci në rrugë,
Apo është rruga që lëviz?
Apo të dy qëndrojmë ngurosur, ndërsa ajo që ecën është koha?
Nuk e di!…

Jam i ri apo i vjetër në këtë ekzistencë?
A jam i lirë dhe i papërmbajtur, apo eci i lidhur me zinxhir?
A jam drejtues i fatit tim, apo fati është caktuar?
Do të doja ta dija , por……
Nuk e di!

Po më herët se të bëhesha njeri,
A thua kam qenë gjësend? Apo isha inekzistent?
A ka përgjigje ky mister, apo i tillë do të mbetet përherë?
Nuk e di!…
E përse nuk e di?!
Nuk e di!

Ky parim – pra parimi i dyshimit – është strumbullari i ateizmit. Farën e dyshimit ateistët duan ta mbjellin sa më shumë të jetë e mundur, e sidomos te brezi i ri, duke filluar që në vegjëli. Ata e shohin këtë kategori të shoqërisë si prenë më të lehtë për ta orientuar drejt ateizmit, e këtë e bëjnë duke mbjellur dyshime nëpërmjet mënyrave nga më të ndryshmet, duke filluar që nga bankat shkollore, në të cilat pikëpamjet ateiste serviren si të vërteta shkencore.

Ndër të parët që ka folur rreth këtij parimi, ka qenë Aristoteli, i cili ka thënë: “Cilido që dëshiron të thellohet në njohuritë hyjnore, duhet që fillimisht të fshijë nga zemra e tij të gjitha njohuritë dhe bindjet që ka, e pastaj të dyshojë në gjithçka. Pasi të ketë vepruar në këtë mënyrë, le të mjaftohet me atë që i thotë mendja dhe imagjinata e tij.”[1]

Parimit të dyshimit, ateistët i shtuan edhe një tjetër parim, atë të së vërtetës relative.

E vërteta është relative tek ata dhe asgjë sipas tyre nuk është e vërtetë absolute. Me parimin e dyshimit dhe me atë të së vërtetës relative, doktrina ateiste është gati për marshim, dhe nuk i nevojitet gjë tjetër, përveç disa ithtarëve fanatik, mbajtës të flamurit të ateizmit, të cilët vazhdimisht dhe pa u lodhur i ngasin njerëzit drejt tij.

Është për t’u çuditur prej faktit se ata edhe pse shprehen se parimi i dyshimit është i rëndësishëm tek ata, përsëri nuk i qëndrojnë besnik. E themi këtë sepse kur bëhet fjalë për teoritë ateiste, ata nuk dyshojnë aspak në to, por përkundrazi, i mbrojnë ato me fanatizëm dhe i paraqesin si të vërteta absolute. Askush nuk guxon t’i kundërshtojë apo të dyshojë rreth saktësisë së tyre, e natyrisht që kjo është një tjetër kontradiktë e tyre.

Në çdo rast ne themi se parimi i dyshimit është i gabuar dhe i papranueshëm logjikisht. E si të mos jetë kështu, kur sipas atij parimi kërkohet që çdo njeri i cili beson në disa të vërteta, duhet t’ia nisë të dyshojë në lidhje me saktësinë e tyre, e vetëm pasi të ketë dyshuar, mund t’i besojë përsëri! Kjo është si t’i thuash dikujt: ‘Ti duhet që fillimisht të pish helmin, në mënyrë që t’i gëzohesh efektit pozitiv të kundërhelmit.’ Natyrisht që asnjë njeri me mend nuk do ta pranonte një gjë të tillë.

Ndërsa sa i përket teorisë tjetër, sipas së cilës e vërteta është relative dhe se nuk ka të vërteta absolute, themi se gabimi në të është edhe më i qartë dhe i dukshëm, kjo për vet faktin se do të mjaftonte për ta rrëzuar këtë teori, të argumentuarit me vet atë, pasi përderisa të gjitha të vërtetat janë relative, atëherë edhe kjo teori e së vërtetës relative është gjithashtu relative. Pra si mund ta konsiderojmë si të mirëqenë një teori e cila dëshmon për vetveten se është relative?! Kështu pra, kjo teori rrëzon vetveten që nga themeli.

E sikur ta konsideronim si të vërtetë e të bazoheshim në këtë teori, atëherë çdo normë dhe ligj do të ishte i pavlefshëm dhe gjithçka do të merrte tatëpjetën, pasi duke u nisur prej kuptimit të saj, dikush fare lehtë mund t’i shkelte të drejtat e tjetrit apo ta dëmtonte atë. E nëse ti i thua se ai veprim i tij është i gabuar dhe se nuk i lejohet ta cenojë të drejtën e tjetrit, ai do të thoshte: ‘Çfarë e shikon ti si të gabuar, unë nuk e shoh ashtu, pasi e vërteta është relative.’ – E nëse atij i thuhet: ‘Ti e di që nuk të lejohet ta dëmtosh tjetrin!’ – do të thoshte: ‘Atë që ju e konsideroni si dëmtim, unë e konsideroj ndryshe.’

A nuk do ishte absurde dhe tepër e çuditshme kjo situatë? Natyrisht që teoria e së vërtetës relative do të shkaktonte trazira dhe probleme të shumta.

Ndryshe është gjendja te ne muslimanët, e për këtë Allahun falënderojmë! Ne jemi plotësisht të bindur dhe besojmë me besim të palëkundur, sikur malet, se Allahu i Madhëruar është i vërtetë, ashtu siç ka dëshmuar për Veten e Tij në Kuranin famëlartë:

ذَٰلِكَ بِأَنَّ اللَّهَ هُوَ الْحَقُّ

Këtë (e themi për ta bërë të qartë) se Allahu është Ai i Vërteti” (Haxh: 6)

E po ashtu i Dërguari i Tij, Muhamedi – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të – është i vërtetë. Edhe shpallja të cilën Allahu i Madhëruar ia zbriti të Dërguarit të Tij është e vërtetë absolute, rreth së cilës nuk ka dyshim. Allahu i Madhëruar thotë:

وَبِالْحَقِّ أَنزَلْنَاهُ وَبِالْحَقِّ نَزَلَ ۗ وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا مُبَشِّرًا وَنَذِيرًا

“Ne me urtësi e zbritëm atë (Kur’anin) dhe me urtësi është zbritur. E ty (o Muhamed) nuk të dërguam tjetër vetëm se përgëzues dhe qortues.” (Isra: 105)

Ndërsa në një tjetër ajet, thotë:

وَيَسْتَنبِئُونَكَ أَحَقٌّ هُوَ ۖ قُلْ إِي وَرَبِّي إِنَّهُ لَحَقٌّ

 “E ata kërkojnë t’u tregosh: a është e vërtetë ajo (që thua)? Thuaj: ‘Po, pasha Zotin tim, ajo është më se e vërtetë.’ ” (Junus: 53)

Ajo që ne besojmë është e vërtetë, “E pas të vërtetës, ç’mund të ketë tjetër, përveçse iluzione (humbje).” (Junus: 32)

Nga kjo që kemi përmendur deri tani, na bëhet më se e qartë se ateizmi është kazma më shkatërrimtare e cila po përdoret për rrënimin e shumë të vërtetave shkencore, e po në të njëjtën kohë, është mjeti më efikas për të shkaktuar çoroditje masive dhe për të përhapur paturpësi dhe shthurje morale.

Doktrina ateiste është promovuesja kryesore e anarkisë dhe kaosit, pasi ajo nuk pranon dhe nuk dëshiron ta njohë Allahun Fuqiplotë, i Cili është Mbikëqyrësi, e tek i Cili çdo njeri do të japi llogari për atë që ka punuar.

Duke mos e pranuar se ka një Zot, i Cili do t’i shpërblejë dhe ndëshkojë njerëzit në varësi të asaj që kanë punuar, rrjedhimisht ateistët mohojnë çdo parim i cili kërkon rregull, vetëpërmbajtje dhe disiplinë.

Pikërisht për këtë shkak, kjo doktrinë nuk mundet kurrsesi të prodhojë qetësi, lumturi dhe rehati. Për këtë dëshmojnë shumë studime dhe statistika botërore të cilat tregojnë se atje ku përhapja e ateizmit është më e madhe, edhe numri i vetëvrasjeve është më i lartë. Sipas statistikave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vërehet se numri më i lartë i vetëvrasjeve në shkallë botërore, është në shtete si: Japonia, Koreja, Finlanda, Franca, Danimarka dhe Suedia. Siç e sheh, numri më i lartë i vetëvrasjeve ndodh pikërisht në ato vende të cilat kanë një teknologji tepër të zhvilluar dhe nuk u mungojnë aspak kushtet e mira të jetesës, mirëpo të vërtetën e ka thënë Allahu i Madhëruar:

وَمَنْ أَعْرَضَ عَن ذِكْرِي فَإِنَّ لَهُ مَعِيشَةً ضَنكًا

“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, ai do të ketë jetë të vështirë…” Ta Ha, 124.

E mbase nuk është nevoja të shkoj aq larg, pasi ne kishim në mesin tonë – në vendet arabe – profesorin dhe akademikun Ismail Ed’hem, i cili gjithë jetën e tij e harxhoi në shërbim të promovimit të doktrinës ateiste, e si përfundim kreu vetëvrasje duke u hedhur në det në bregdetin e Aleksandrisë, pasi kishte lënë më parë një amanet të cilin ia kishte dërguar zëvendëspresidentit, e në të cilën shkruante: “Vendosa t’i jap fund jetës, pasi nuk kam dëshirë të jetoj, madje e urrej jetën. Kërkoj që kufoma ime të digjet!”

Përsëri themi: Të vërtetën e ka thënë Allahu. E fjala e kujt mund të jetë më e vërtetë sesa fjala e Allahut, i Cili thotë:

قُلْ أَنَدْعُو مِن دُونِ اللَّهِ مَا لَا يَنفَعُنَا وَلَا يَضُرُّنَا وَنُرَدُّ عَلَىٰ أَعْقَابِنَا بَعْدَ إِذْ هَدَانَا اللَّهُ

كَالَّذِي اسْتَهْوَتْهُ الشَّيَاطِينُ فِي الْأَرْضِ حَيْرَانَ لَهُ أَصْحَابٌ يَدْعُونَهُ إِلَى الْهُدَى ائْتِنَا ۗ

 قُلْ إِنَّ هُدَى اللَّهِ هُوَ الْهُدَىٰ ۖ وَأُمِرْنَا لِنُسْلِمَ لِرَبِّ الْعَالَمِينَ

“Thuaj: ‘A përveç Allahut të adhurojmë (a dikujt tjetër veç Allahut t’i lutemi?!) (a t’i lutemi) atij që nuk na sjell as dobi as dëm dhe të kthehemi mbrapa (në mosbesim) pasi që Allahu na vuri në rrugë të drejtë!? Dhe atëherë të bëhemi sikur ai, të cilin djajtë e kanë rrëmbyer (e kanë hedhur) në tokë (në një humnerë) dhe e kanë lënë të hutuar që, edhe pse ai ka shokë që e thërrasin në rrugë të drejtë (e i thonë): ‘Eja te ne!’ (ai nuk përgjigjet). Thuaj: ‘I vetmi udhëzim është udhëzimi i Allahut, dhe ne jemi urdhëruar që t’i dorëzohemi Zotit të botëve’ ” (En’am: 71)

“Ateizmi” Dr. Salih Sindi

Përktheu: Enes Ajdini

[1] Kjo thënie e tij të kujton ajetin kuranor: “A e ke parë ti atë që ka marrë si të adhuruar (Zot) atë çfarë epshi dhe tekat i kanë sugjeruar? A do t’i bëhesh mbrojtës atij? A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër, veçse si bagëtitë (kafshët). Madje ata janë edhe më të humbur (se sa kafshët) nga rruga e drejtë.” (Furkan: 43-44)

Loading...