Shpjegimi i poemës që mbaron me shkronjën ‘Ha’ (1)

January 26, 2015

Imam Ebi Bekr Abdullah bin Ebi Daud es Sixhistani, Allahu e mëshiroftë, thotë:

“Kapu fort pas litarit (Librit) të Allahut dhe ndiqe udhëzimin,
e assesi mos u bën bidatçi të mund të arrish shpëtimin.”

* * *

Të kapurit pas Kuranit dhe Sunetit.

Shejhu i nderuar Salih el Feuzani ka thënë: Autori e fillon poezinë e tij me fjalën: “Kapu fort pas litarit të Allahut”, pra kapu fort o ti musliman pas litarit të Allahut i cili është Kurani dhe Suneti. Kjo është marrë (bazuar) në fjalën e të Madhëruarit: “Dhe mbahuni fort për litarin e Allahut që të gjithë dhe mos u përçani! ”| Al Imran: 103.

Dhe nga fjala e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Ai që do të jetojë prej jush do të shohë shumë kundërshtime, prandaj kapuni pas sunetit tim dhe sunetit të prijësve të drejtë pas meje. Kapuni fort pas saj dhe shtrëngojeni me dhëmballë, dhe ruhuni nga gjërat e shpikura sepse çdo shpikje është bidat e çdo bidat është humbje.” Transmeton Ebu Daudi 4607, Et Tirmidhi 2676 etj. Tirmidhiu ka thënë se hadithi është hasen sahih. E ka saktësuar shejh Albani  në “Sahihul xhami” 4314.

Ky varg është marrë nga Kurani dhe Suneti e ajo është urdhëri për t’u kapur fort pas litarit të Allahut. Litari i Allahut është Kurani dhe Suneti i të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Ose nëse do shprehemi në formë tjetër themi: Litari i Allahut është shpallja e Tij që e zbriti tek i Dërguari i Tij, qoftë ai Kurani apo Suneti.

Fjala e tij: “Kapu fort pas litarit të Allahut” d.m.th. mbahu fort në të, siç thotë i Madhëruari: “Dhe mbahuni fort për litarin e Allahut.” |Al Imran: 103.

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Me të vërtetë Allahu kënaqet me ju për tri gjëra: Ai është i kënaqur me ju që ta adhuroni Atë e mos t’i shoqëroni asgjë në adhurim; të kapeni të gjithë së bashku tek litari i Allahut dhe të mos ndaheni në grupe, dhe ta këshilloni (sinqerisht) çdokënd që Allahu do ta vendosë përgjegjës të çështjeve tuaja.” (1) Muslimi.

Këto janë tri gjërat ku prej tyre është dhe mbajtja fort për litarin e Allahut, sepse ai të ruan nga përçarja dhe kundërshtimet. Nuk ndodhin kundërshtimet dhe përçarja (në grupacione) vetëm se për shkak të mos kapjes pas librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ashtu siç u përçanë ehlul kitabi edhe pse Allahu u kishte zbritur atyre Teuratin dhe Inxhilin, por ata derisa nuk u mbajtën për litarin e Allahut u përçanë dhe u kundërshtuan (mes veti).

Prandaj dhe Allahu i Madhëruar thotë: “E mos u bëni si ata që pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u kundërshtuan me njëri-tjetrin. Për këta do ketë dënim të madh.” | Al Imran: 105. Kjo është rruga e ehlul kitabit: Ata braktisën Librin e Zotit të tyre dhe u përçanë.

Ky rezultat i pashmangshëm është për secilin që nuk e merr fenë dhe akiden e tij nga Libri i Allahut dhe Suneti i të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Rezultati i kësaj janë kundërshtimet dhe përçarja. Allahu i Madhëruar thotë: “Kjo feja juaj është e vetmja fe, e Unë jam Zoti juaj prandaj m’u frikësoni vetëm mua. E ata më vonë u ndanë në grupe sipas çështjes së fesë dhe secili grup krenohej me atë që kishte përvetësuar.” | El Muminun: 52-53. Secili ka shpikur për veten e tij medhheb dhe menhexh me të cilin kundërshton të tjerët.

Kështu ndodhën trazira të mëdha dhe shumë të këqija ku nuk ka mbrojtës prej tyre vetëm se me kapjen fort pas Librit të Allahut dhe Sunetit të të Dërguarit të Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. E aq më shumë kur bëhet fjalë për bazën që është akidja me të cilën Allahu bashkon me të mes njerëzve, siç thotë i Madhëruari: “Nëse duan të të mashtrojnë me të, por ty të mjafton Allahu. Ai është që të fuqizoi me ndihmën e Vet dhe me besimtarët dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur të shpenzosh gjithë atë që është në tokë nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por Allahu bëri bashkimin e tyre sepse Ai është i Gjithëfuqishëm, i Urtë.” | El Enfal: 62-63.

Nuk mundet t’i bashkojë zemrat dhënia e shumtë dhe as pasuria e madhe. Përkundrazi, kjo u shton zemrave largësi dhe urrejtje. Sado që të shpenzosh prej pasurive assesi nuk do mund të bashkosh ndërmjet zemrave, por ai që i bashkon zemrat është Kurani dhe Suneti.

Allahu i Lartmadhëruar na ka paralajmëruar nga ajo që ka ngjarë me popujt e kaluar prej përçarjes në grupe pasi atyre u erdhën argumentat e qarta. I Madhëruari thotë: “Dhe ata të cilëve u është dhënë libri nuk u ndanë vetëm pasi që u erdhi argumenti.” | El Bejjineh: 6. Për ata nuk ka asnjë justifikim sepse Allahu ua qartësoji atyre (argumentet), por ata e lanë argumentin dhe u përçanë.

Allahu i Madhëruar thotë: “E mos u bëni si ata që pasi u erdhën provat e qarta…” | Al Imran: 105.

Dhe thotë i Madhëruari: “Njerëzit kanë qenë një popull i vetëm dhe më pas Allahu dërgoi lajmëtarët (profetët) si përgëzues e paralajmërues, dhe bashkë me ta Ai zbriti Librin me të vërtetën me qëllim që të gjykonte mes njerëzve për gjërat që ata nuk pajtoheshin. Nuk patën mospajtim në lidhje me të (Teuratin) veçse ata të cilëve iu dha, pasi që iu erdhën provat e qarta nga zilia ndaj njëri-tjetrit. Por Allahu me vullnetin e Vet, ata të cilët besuan i udhëzoi në njohjen e së vërtetës lidhur me atë që të tjerët kishin mospajtim. Allahu udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë. ” | El Bekare: 213.

Nisur nga kjo, Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur falej natën thoshte: “Allahumme rabbi Xhebraile ue Mikaile ue Israfile, fatiras semauati uel erd, alimul gajbi uesh shehadeh, ente tahkumu bejne ibadike fima kënu fihi jekhtelifun, ihdini lima khtulife fihi minel hakki biidhnike, inneke tehdi men teshau ila siratin mustekim! – O Zoti im, Zoti i Xhibrilit, Mikailit dhe Israfilit, Krijuesi i qiejve dhe i tokës, Njohësi i të fshehtës dhe i të dukshmes. Ti gjykon mes robërve të tu për çfarë ata kanë mosmarrëveshje. Më udhëzo me lejen Tënde ne atë të vërtetë që njerëzit kanë mosmarrëveshje! Ti me të vërtetë udhëzon kë dëshiron në rrugën e drejtë.” Muslimi me nr. 200 dhe 770 prej hadithit të Aishes radijAllahu anha.

Kjo është një dua madhështore me anë të së cilës Allahu e mbron muslimanin nga dëshirat epshore, nga trazirat dhe të këqijat.

Vijon…

 

“Sherh el Mendhumeh el Haijjeh fi akideh ehlus sunneh uel xhemah”  me shpjegimin e shejhut të nderuar Salih el Feuzan.

Përktheu: Unejs Sheme

—————————————————————–

(1) Feja është këshillë dhe këshilla është prej fesë. Këshilla nuk bëhet nëpër minbere apo nëpër rrugë me anë të protestave, nuk bëhet as në mediat vizive apo të shkruara. Sh.p.

 

Dosje:

Loading...