Shejh Salih el Feuzani thotë:
Fjala e autorit: “Në mënyrë që të arrish shpëtimin” d.m.th. nëse dëshiron shpëtimin, e që është lumturia në dynja dhe në botën tjetër. Kapu fort për litarin e Allahut dhe ndiq udhëzimin, se kjo është rruga e shpëtimit.
“El felahu” është shtimi i të mirës dhe arritja e lumturisë. Allahu i Madhëruar thotë: “Kanë shpëtuar besimtarët. Ata të cilët namazin e tyre e falin me frikë-respekt.” | El Muminun: 1-2.
Deri në fjalën e Tij: “Ata që janë të kujdesshëm ndaj namazit të tyre, këta janë trashëguesit të cilët do të trashëgojnë Firdeusin duke qenë në të përgjithmonë.” | El Muminun: 9-11. Këto janë shkaqet e shpëtimit.
Nëse dëshiron shpëtimin atëherë kapu pas këtyre tri çështjeve:
- Kapu fort për Librin e Allahut.
- Ndiq udhëzimin.
- Lagohu nga bidatet.
Nëse mungon një nga këto atëherë do humbasësh dhe kurrë nuk do të shpëtosh: “E kujt i rëndojnë peshoret (e punëve të mira) ata janë të shpëtuarit. E kush i ka ato të lehta, këta janë ata që humbën vetet e tyre.” | El Muminun: 102-103.
E kundërta e shpëtimit është humbja, Allahu na ruajt! Ata nuk humbën pasuritë, por përkundrazi, humbën vetet e tyre. Që njeriu të humbasë veten e tij kjo është prej llojeve më të rënda të humbjes: “Thuaj: Të humburit në ditën e Kijametit janë ata të cilët humbën vetet dhe familjet e tyre. Me të vërtetë, kjo është humbja e qartë.” | Ez Zumer: 15.
Fjala e tij; “që të arrish”, do të thotë shpresë, sepse prej akides së saktë është se ne nuk jemi të sigurt për asnjë se është i shpëtuar, përveç atij që ka dëshmuar i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ose ka ardhur në Kuran se ai është prej të shpëtuarve. Ndërsa për atë që nuk ka ardhur diçka në Kuran apo në Sunet duke e specifikuar se ai është prej të shpëtuarve, ne nuk dëshmojmë me bindje të sigurt se ai është i shpëtuar. Shpresojmë për atë që ka bërë vepra të mira dhe frikësohemi për mëkatarin. Po ashtu, muslimani nuk duhet të mashtrohet me veprën e tij.
Fjala e tij: “në mënyrë që të arrish shpëtimin”, d.m.th. mos u mashtro me veprën tënde, por duhet të veprosh (sa më shumë) vepra të mira dhe të shpresosh tek Allahu që të të bëjë prej të shpëtuarve. Mos u mbështet vetëm tek shpresa duke mos punuar, sepse kjo është rruga e të humburve dhe shpresa e urryer dhe e kritikuar. Shpresimi i lavdëruar është ai që shoqërohet me vepra të mira, prandaj merr shkaqet dhe shpreso tek Allahu i Lartësuar.
Autori, Allahu e mëshiroftë, thotë:
- “Bëje fenë tënde librin e Allahut dhe sunetet e Profetit,
se vetëm kështu do shpëtosh dhe do të fitosh.”
Shpjegimi:
Shejh Salih el Feuzani ka thënë: Fjala e autorit: “ue din”, d.m.th. ndiq në fenë tënde librin e Allahut dhe paso sunetet e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Bëj që vepra jote të ketë si bazë librin e Allahut dhe sunetin e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, dhe jo të këtë si burim epshet dhe bidatet.
Fjala e tij: “Sunetet”, është shumësi i fjalës “sunet” e që është rruga e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, i cili ka thënë: “Ju këshilloj të kapeni fort për sunetin tim.” pra për rrugën time.
Tek dijetarët e hadithit dhe në dijen e terminologjisë së hadithit, sunet është ajo që saktësohet (nga Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) prej fjalëve, veprave, aprovimeve apo cilësive.” (Shënim i redaktorit: Dijetarë të tjerë kanë futur këtu edhe gjërat që i ka lënë Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, d.m.th. edhe gjërat që ai ka pasur mundësi t’i vepronte por i ka lënë qëllimisht. Edhe në to duhet pasuar Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, d.m.th. ato që ai i ka lënë edhe ne duhet t’i lemë.)
Suneti ka kuptim të përgjithshëm, e ai është: Rruga në të cilën ka qenë i Dërguari sal-lAllahu alejhi ëe sel-lem. Ajo ka dhe kuptim të veçantë, e që është; shpjegimi i detajuar i dijetarëve të hadithit.
Nga fjala e autorit përfitohet se patjetër kemi nevojë për Sunetin pas Kuranit. Pra, Suneti është burimi i dytë prej bazave të Islamit pas Kuranit.
Bazat e argumentimit në fe tek dijetarët që njohin mirë bazat e fesë, janë dy llojesh:
- Lloji i parë janë ato për të cilat dijetarët kanë rënë dakort.
- Lloji i dytë janë ato baza për të cilat dijetarët janë kundërshtuar dhe nuk kanë rënë dakort.
Ato për të cilat kanë rënë dakort janë katër baza:
Baza e parë: Kurani.
Baza e dytë: Suneti profetik, sepse ai është shpallja e dytë pas Kuranit. Allahu i Lartësuar thotë: “Atë që u jep i Dërguari merreni, dhe nga ajo që ai u ndalon largohuni.” | El Hashr: 7.
I Lartësuari thotë: “Le të ruhen ata që kundërshtojnë rrugën e tij (të të Dërguarit) se ata do t’i zërë ndonjë telash apo do t’i godasë dënimi i dhembshëm.” | En Nur: 63.
Kjo është baza e dytë e cila është Suneti i të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, bazë të cilën Zoti i tij e ka përshkruar duke thënë: “Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ajo (që ai thotë) nuk është tjetër veç shpallje që i shpallet.” | En Nexhm: 3-4.
Prandaj dhe dijetarët e kanë cilësuar atë (Sunetin) si shpallja e dytë pas Kuranit. Ajo që saktësohet nga i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem bëhet detyrë për ne që ta marrim, ta pasojmë dhe të punojmë me të. Qoftë kjo nëse hadithi është mutevatir (i ardhur nga shumë rrugë transmetimi) apo ahad (i ardhur nga një ose dy rrugë transmetimi). Ndryshe nga bidatçijtë (shpikësit në fenë islame) të cilët e mohojnë Sunetin dhe thonë: “Neve na mjafton puna me Kuran.”
Ajo që dihet është se të punuarit me Sunet është pjesë e të punuarit me Kuran, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Atë që u jep i Dërguari merreni, dhe nga ajo që ai u ndalon largohuni.” | El Hashr: 7. Ndërsa këta (bidatçijtë) thonë: “Na mjafton puna me Kuran.”
Allahu i Lartësuar thotë: “Kushdo që i bindet të Dërguarit, ai i është bindur Allahut.” | En Nisa: 80.
I Madhëruari thotë: “Ndiqeni atë në mënyrë që të udhëzoheni.” | El Earaf: 158.
Dhe thotë: “Bindjuni të Dërguarit në mënyrë që të mëshiroheni.” | En Nur: 56.
Këta janë gënjeshtarë në fjalën e tyre kur thonë: “Ne punojmë me Kuran.” Ata nuk punojnë aspak me Kuran derisa e kanë shfuqizuar Sunetin (nuk punojnë me të, sepse Allahu në Kuran i ka urdhëruar që të punojnë edhe me Sunetin).
Marrë nga libri: “Sherh el mendhumeh el Haijjeh fi akideh ehlus sunneh uel xhemeah”.
Përktheu: Unejs Sheme
Dosje: Suneti
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve