Rruga drejt lavdisë dhe fitores – Pjesa e parë

February 17, 2015

Me të vërtetë falënderimi i takon vetëm Allahut! Atë të vetëm e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë! I lutemi Allahut të na ruajë nga të këqijat e veteve dhe punëve tona. Cilindo që Allahu e udhëzon në rrugë të drejtë askush nuk mund ta humbasë prej saj, dhe cilindo që Allahu e humbet prej kësaj rruge askush nuk mund ta udhëzojë në të.

Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një,  të Vetëm e të Pashoq! Dhe dëshmoj e deklaroj se Muhamedi, paqja dhe lavdërimet e  Allahut  qofshin me të, është rob dhe i Dërguari i Tij.

Allahu i Lartëmadhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun (duke ndjekur urdhrat e Tij dhe duke u tërhequr nga ndalimet e Tij) ashtu siç duhet pasur frikë nga Ai (bindjuni Atij, falënderojeni vazhdimisht dhe kujtojeni), dhe mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë (e plotësisht të nënshtruar ndaj Allahut).” | Suretu Al Imran: 102 |
“O ju njerëz! Jini të bindur (dhe përmbushni detyrimet) ndaj Zotit Tuaj, i Cili u krijoi nga një (shpirt) njeri i vetëm (Ademi) dhe prej tij krijoi bashkëshorten e tij, dhe nga ata të dy Ai krijoi burra e gra të shumtë. Dhe kijeni frikë Allahun nëpërmjet të Cilit kërkoni të drejtat e ndërsjella, dhe mos i ndërprisni marrëdhëniet me barkun tuaj (të afërmit). Sigurisht, Allahu është kurdoherë Vëzhgues përmbi ju.” | Suretu En Nisa: 1 |
     “O ju që keni besuar! Plotësojeni detyrimin ndaj Allahut, kijeni frikë Atë dhe flisni (gjithmonë) të vërtetën. Ai do t’ju drejtojë tek veprat e mira e të drejta dhe do t’ju falë gjynahet tuaja. Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij (Muhamedit), me të vërtetë që ka arritur fitoren më të madhe (do të pranohet në Xhenetin e begatë).” | Suretu El Ahzab: 70 -71 |

Padyshim që fjala më e bukur dhe më e drejtë është fjala e Allahut të Lartmadhëruar, udhëzimi më i mirë është udhëzimi dhe orientimi i profetit Muhamed! Punët më të këqija janë ato të shpikurat, dhe s’ka dyshim se çdo shpikje në fenë e Zotit është bidat, çdo bidat është humbje dhe çdo humbje e ka vendin në zjarrin e xhehenemit.

O muslimanë! (Askush nuk i vë në dyshim) Sprovat që përjetojnë sot muslimanët, vështirësitë me të cilat ndeshen e fatkeqësitë që ata heqin e pësojnë, padyshim që janë të mirënjohura nga të gjithë ju. Vërtet që ata kanë armiq të cilët nuk i mëshirojnë e nuk qëndrojnë të shkujdesur ndaj tyre. Kjo është tradita e Allahut te krijesat e tij; të sprovojë të mirin me të keqin në mënyrë që të përzgjedhë nga rradhët e muslimanëve më të mirët (ajkën) e tyre. Themi kështu sepse nëpërmjet sprovave dallohet ai që e meriton nderimin prej atij që e ka hak përbuzjen. Allahu i Lartësuar thotë: “A po mendoni se do të hyni në Xhenet pa sprovime të atilla të cilat u erdhën edhe atyre që kanë kaluar para jush? Ata u goditën me varfëri të thellë e mjerime dhe u tronditën aq shumë, saqë i dërguari mes tyre dhe ata që besonin me të thanë: ‘Kur do të vijë ndihma e Allahut?’ Padyshim se ndihma e Allahut është afër.” | Suretu El Bekare: 214 |

Prej gjërave me të cilat besimtari e lidh zemrën e tij është se triumfi u përket personave që besojnë, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “…. ndërsa për besimtarët ishte si detyrë për Ne që t’i ndihmonim.” | Suretu Err Rrum: 7 | Gjithashtu, besimtari e ka të qartë se Allahu premton dhe kurrsesi nuk e thyen premtimin, pasi thotë: “…E kush është më i vërtetë në besën e tij sesa Allahu!?” | Suretu Et Teube: 111 |

Ndonëse koha e sprovimit është zgjatur sërish muslimanët kanë mbetur po ata, dobësia e tyre s’ka ndryshuar dhe poshtërimi i tyre është po i njëjti, përveç asaj që dëshiron Allahu.

Nuk ia vlen të qëndroj gjatë me ju duke qarë mbi gërmadha pasi kjo gjë nuk i ndreq ato, e as të numëroj tragjeditë e muslimanëve sepse kjo nuk i shëron ato. Të qarët mbi gërmadha është metoda e harekijunëve (partiakëve), të cilët ulërijnë që nga minberet për të ngacmuar ndjenjat e muslimanëve dhe për t’i ndërgjegjësuar ata në mënyrë formale për atë çka zotërojnë armiqtë e tyre, gjë e cila ngjall pesimizmin në shpirtrat e vet. Kjo gjë ndodh sepse muslimanët nuk dëgjojnë gjë tjetër veçse ligjërata mbi fuqinë (kapacitetin) e dinakërinë e armikut dhe epërsinë e tij në qytetërim, si dhe fjalime mbi dobësinë e muslimanëve dhe fatkeqësitë e gjëmat e tyre. Këto fjalë gjejnë tek personat me ndërgjegje bosh një fryrje (mburrje) false e cila shumë shpejt shuhet. Kështu, në vend që t’iu ofrojnë muslimanëve ilaçin që u saktëson (përmirëson) fenë e tyre për t’i lidhur me Allahun, që Ai t’i përkrahë e t’i ndihmojë, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse tregojnë një realitet të hidhur që përjetojnë nga përsëritja e ndodhive të të cilit nuk përfitojnë asgjë.

Përgatitja me besim dhe përgatitja materiale.

Ajo që ka për detyrë ta kuptojë çdo musliman është të njohë atë që duhet të kryejë, në mënyrë që të realizojë faktorët përmes të cilëve Allahu sjell triumfin. Gjithashtu, prej traditave (ligjeve në gjithësi) të Allahut është se çdo pasojë e ka një shkak, dhe se Allahu i Lartëmadhëruar u ka përcaktuar muslimanëve të cilët kërkojnë triumfin të realizojnë dy kushte madhështore nën të cilat degëzohen të tjera kushte, por ne po mjaftohemi me këto.

Kushti i parë: Përgatitja me besim. E themi kët sepse Allahu i Lartëmadhëruar e ka lidhur fitoren me ata njerëz që janë të denjë për të. Ai i Patëmetë thotë: “O ju që keni besuar! Nëse e ndihmoni Allahun (në çështjen e Tij, fenë e Tij) Ai do t’ju ndihmojë juve dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.” | Suretu Muhamed: 7 |

Kushti i dytë: Përgatitja materiale. Allahu i Patëmeta thotë: “Dhe bëni gati kundër tyre të gjitha fuqitë që keni bashkë me kalorësinë (dhe mjetet e sotme më të përkryera për luftë), për ta frikësuar armikun e Allahut dhe tuajin…” |Suretu El Enfal: 60 |

Përgatitja me besim është devotshmëria ndaj Allahut.

Padyshim që Allahu e ka përcaktuar përfundimin e mirë për njerëzit e devotshëm. Ai që nuk i bindet Atij, e kundërshton Atë, i shoqëron ortak (bën shirk) apo shpik bidate në fenë e Tij, nuk mund të jetë kurrsesi prej të përzgjedhurve të cilët meritojnë të ndihmohen nga Allahu i Lartmadhëruar. E si mund të ndodhë kjo kur Allahu i Lartësuar thotë: “…Pra, fryti dhe fundi më i mirë (Xheneti) është për muttekinët (të përkushtuarit në besimin e pastër Islam).” | Suretu Ta Ha: 132 |

“Musai i tha popullit të tij: Kërkoni mbështetje tek Allahu dhe jini të duruar. Vërtet që toka është e Allahut. Ai ia trashëgon atë kujtdo që Ai dëshiron nga robërit e Tij dhe fundi (i shkëlqyer) është për muttekinët (të përkushtuarit ndaj Allahut në besimin e pastër Islam).” | Suretu El Araf: 128 |

“Sigurisht që Allahu është me ata që i frikësohen Atij (duke i përmbushur detyrimet ndaj Tij) dhe që janë muhsinunë (punëmirë në rrugë të Allahut).” | Suretu En Nahl: 128 |

“Por nëse qëndroni të duruar dhe bëheni muttekinë (të përkushtuar ndaj Allahut), as dëmi më i vogël nuk do t’ju vijë nga dinakëria e tyre. Sigurisht, Allahu është i Ditur (informuar) për gjithçka që ata bëjnë.” | Suretu Al Imran: 120 |

“Sigurisht, nëse qëndroni me durim dhe përkushtim edhe nëse armiku vërshon e sulet mbi ju, Zoti juaj do t’ju ndihmojë me pesë mijë engjëj me shenja të qarta që t’i dalloni.” “Allahu e bëri këtë vetëm e vetëm si mesazh përgëzues për ju dhe si qetësues për zemrat tuaja. Nuk ka asnjë fitore vetëm se nga Allahu, i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.” | Suretu Al Imran: 125-126 |

Në disa ajete të tjera të Kuranit fisnik Allahu e shtjellon më hollësisht këtë çështje, duke thënë: ” … Dhe Allahu u tha: Unë jam me ju nëse kryeni rregullisht faljet, jepni zekatin dhe besoni në të dërguarit e Mi, i nderoni dhe i ndihmoni ata dhe lini tek Allahu hua të mirë (për ta marrë në jetën e pastajme prej Tij)…” | Suretu el Maide: 12 |

Me këtë i bëhet e qartë kujtdo që logjikon se Allahu i Lartëmadhëruar do ta ndihmojë këtë umet (popullin islam), por triumfi (fitorja) u përket atyre që janë të denjë për të. Fitorja nuk vjen me dëshirat dhe imagjinatat me të cilat harekijunët ngacmojnë ndjenjat e njerëzve. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nuk do të jetë as sipas dëshirave tuaja (të muslimanëve), as sipas dëshirave të popujve të librave të parë (çifutë e kristianë). Kushdo që punon të ligën do shpërblehet për të dhe nuk do të gjejë mbrojtës apo ndihmues tjetër në vend të Allahut.” | Suretu En Nisa: 123 |

Ky lajm na jep të kuptojmë se mbrojtja dhe ndihma e Allahut nuk u përket njerëzve të këqinj. E themi këtë sepse armiku i muslimanëve nuk triumfon ndaj tyre për shkak të fuqisë së vet, por në të vërtetë ai triumfon vetëm atëherë kur Zoti i braktis ata dhe i lë të mbështeten në veten e tyre. Në këtë rast fitorja i takon atij që ka epërsi ndaj kundërshtarit. Vetëm Allahu është Ai të Cilit i kërkohet ndihmë!

Allahu i Lartëmadhëruar nuk u bën padrejtësi robërve të tij as sa thërrmija (grimca), e si tregohemi të shkujdesur ndaj detyrave tona dhe kërkojmë të drejtat?! Ajo që duhet të kihet parasysh është se duhet të zbatojmë ato gjëra me të cilat Allahu i Lartëmadhëruar na ka urdhëruar. Kjo është gjëja më e vlefshme që mund të shqyrtojnë muslimanët ndërmjet tyre, e jo të llogarisin e numërojnë fuqinë e armikut të vet. Në këtë rast u thuhet: “A ka ndonjë fuqi që ta mposhtë Allahun?!

Devotshmëria ndaj Allahut përmban dy elemente:

1. Të njësuarit e Allahut (teuhidi).
2. Ndjekja  e plotë e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të.

Elementi i parë: Teuhidi (njësimi i Allahut).

…………………………………..

…………………………………

Gjëja më madhështore me të cilën duhet të përgatiten muslimanët për të qenë të fuqishëm ndaj armikut të tyre, është të lidhen me Allahun me; teuhid (njësimin e tij), dashuri, shpresë, frikë, kthim tek Allahu (me pendim e nënshtrim), frikë-respekt, mbështetje, qëndrim përpara Tij, dhe duke qenë të panevojshëm për të tjerët përveç Tij. Allahu i Lartësuar e ka bërë të qartë në librin e Vet se ata që e meritojnë t’iu sigurohet vazhdimësia në tokën e Tij janë ata në zemrat e të cilëve është rrënjosur frika nga qëndrimi para Allahut dhe nga kërcënimi i Tij. Allahu thotë: “Ndërsa ata që nuk besuan u thanë të dërguarve të tyre:Me të vërtetë që do t’ju përzëmë nga vendi ynë ose do të ktheheni në fenë tonë.’ Por Zoti i tyre u frymëzoi këtë mesazh: ‘Vërtet që ne do t’i shkatërrojmë Dhalimunët (mosbesimtarët, keqbërësit, shkatërruesit).” “Dhe padyshim që Ne do t’ju bëjmë ju të trashëgoni tokën pas tyre. Kjo është për të atillët që kanë frikë të qëndrojnë para Meje (Ditën e Llogarisë ose që  kanë frikë Ndëshkimin tim) dhe i tremben Kërcënimit Tim (për ndëshkim).” [Sure Ibrahim: 13-14].

Këta janë ithtarët e teuhidit të pastër e të kulluar, të cilëve Allahu u ka premtuar triumfin, fuqizimin, sigurinë dhe vazhdimësinë në tokë. Ai thotë: “Allahu u ka premtuar atyre nga mesi juaj që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, se Ai patjetër do t’u sigurojë atyre vazhdimësinë (e fuqisë së tashme të udhëheqësve) në tokë, ashtu siç ua siguroi Ai këtë atyre përpara tyre dhe se Ai do t’u sigurojë fuqinë për të zbatuar e përmbushur fenë e tyre, atë të cilën Ai e ka zgjedhur për ta (Islamin). Dhe padyshim që Ai do tu japë në shkëmbim siguri e ruajtje pas frikës së tyre, (me kusht që) këta besimtarë të më adhurojnë vetëm Mua dhe të mos bashkojnë gjë tjetër (në adhurim) me Mua..” [Sure en Nur: 55].
A i kanë kushtuar vëmendje muslimanët këtij kushti madhështor “…të më adhurojnë vetëm Mua dhe të mos bashkojnë gjë tjetër (në adhurim) me Mua?”
A e meriton fitoren ai njeri që e lidh shpresën e tij me gurin?
A e meriton fitoren ai njeri që që i kërkon ndihmë ndonjë njeriu të  vdekur?
A e meriton fitoren ai njeri që i bën sexhde (përulet) varrit?
A e meriton fitoren ai njeri që bën tauaf (rrotullohet si adhurim) rreth tyrbes së ndonjë njeriu të mirë?
A e meriton fitoren ai njeri që ia dorëzon të fshehtat dhe veprat e tij të dukshme ndonjë veliu  apo betohet për profetin?
Të gjithë këta nuk janë të denjë për të triumfuar. Prej këtij lloji njerëzish janë të shumtë në gjirin tonë, madje ata janë pjesa më e madhe e shumicës.

Imam Ahmedi transmeton me zinxhir të saktë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka thënë: “Përgëzoje këtë umet me madhështi, fe, lavdi, triumf dhe konsolidim (fuqizim) në tokë. Cilido prej tyre që punon një vepër të botës së ardhshme për këtë dynja, për të nuk do të ketë pjesë në botën tjetër”. Përgëzimi ka ndodhur, ndërsa premtimi do të realizohet patjetër pa pikë dyshimi. Meditoni mbi kushtin e sinqeritetit në fjalën e Profetit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!): ” Cilido prej tyre që punon një vepër të botës së ardhshme për këtë dynja” d.m.th vepra që ai punon është e mirë, por ai me këtë vepër ka për qëllim (synon) këtë dynja dhe mallin (plaçkën) e saj të lirë. Për këtë arsye atij nuk i jepet fitorja (nuk ndihmohet nga Allahu) e si do të jetë çështja e atij, puna e të cilit nuk është nga ato të botës së ardhshme d.m.th. nuk është bindje ndaj Allahut të Lartëmadhëruar?!

 

Shkroi: Abdul Malik Ramadani

Dosje:

Loading...