Mësoja fëmijës dashurinë për Profetin dhe për Sunetin (2)

February 20, 2015

-Kur fëmija yt vesh rrobat (apo këpucë, sandale etj.) mësoje të fillojë së pari me anën e djathtë, sepse Profeti ﷺ ka thënë: “Kur të mbathni këpucët filloni me të djathtën, e kur t’i hiqni filloni me të majtën.”

Dhe ka thënë: “Kur visheni apo merrni abdes, filloni me anën tuaj të djathtë.”

– Kur fëmija ulet në tryezë për të ngrënë, mësoje atë të lajë duart e të thotë “Bismilah” në fillim të ushqimit, të hajë me dorën e djathtë dhe të hajë ushqimin që ka para vetes. Profeti ﷺ ka thënë: “O djalosh, përmende emrin e Allahut, ha me dorën e djathtë dhe ha para vetes.”

-Mësoje fëmijën që mos ta nënçmojë ushqimin, sepse Profeti ﷺ nuk ka nënçmuar asnjë lloj ushqimi.

– Kur fëmijës i bie ushqimi në tokë mësoje atë ta marrë e ta pastrojë, sepse i dashuri ynë Profeti ﷺ ka thënë: “Kur dikujt prej jush i bie kafshata le ta marrë atë, t’ia largojë papastërtinë dhe më pas ta hajë e mos t’ia lërë shejtanit.”

– Kur fëmija mbaron ngrënien mësoje atë që t’i lëpijë gishtat para se t’i fshijë apo lajë, dhe të thotë “elhamdulilah”, sepse Profeti ﷺ na ka mësuar: “Mos t’i fshijë (personi) duart me shami (facolet ose peshqir) derisa t’i lëpijë gishtat e tij, sepse ai nuk e di se në cilën pjesë të ushqimit gjendet begatia.”

Dhe hadithi: “Allahu është i kënaqur me robin e Tij, i cili kur ha ose pi e falënderon Zotin për këtë mirësi.”

-Kur fëmija shtrihet për të fjetur mësoje atë të pastrojë shtratin në fillim, të shtrihet në anën e djathtë dhe të vendosë dorën e djathtë nën faqe, sepse Profeti ﷺ na ka mësuar: “Kur ndokush nga ju futet në shtratin e tij, le ta fshijë shtratin…”

Dhe ka thënë: “Kur Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem shtrihej për të fjetur, e vendoste dorën e tij të djathtë nën faqe.”

-Mësoje fëmijën tënd mos të flejë përmbys, sepse Profeti ﷺ ka thënë: “Këtë lloj shtrirje nuk e do Allahu i Lartësuar.”

Lidhi veprimet e fëmijës tënd me Sunetin e Profetit ﷺ dhe mësoja hadithet profetike, me qëllim që të mbillet në zemrën e tij dashuria për Profetinﷺ dhe Sunetin.

 

Unejs Sheme

Dosje:

Loading...