Shejh Salih el Feuzani, Allahu e ruajt, thotë:
Ka ardhur në hadithin e Bera ibën Azib fjala e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, ku thotë: “Kthehet shpirti (i të vdekurit) në trupin e tij dhe i vijnë dy engjëj.”[1]
Në dy librat e saktë të hadithit[2] transmetohet prej hadithit të Katades nga Enesi radijAllahu anhu, se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur i vdekuri vendoset në varr dhe shokët (të afërmit) e tij largohen, ai dëgjon zhurmën e nallaneve (këpucëve) të tyre dhe i vijnë dy engjëj. E ulin atë[3] dhe i thonë: Çfarë thoshe për këtë burrë, Muhamedin? – Besimtari thotë: Dëshmoj se ai është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij. – Tha: I thonë: Vështro tek vendi yt në zjarr. Allahu ta zëvendësoi atë me një vend në Xhenet. – I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem tha: Dhe ai i sheh të dy vendet. – Tha: Ndërsa jobesimtarit dhe munafikut (hipokritit) engjëjt do t’i thonë: Çfarë thoshe për këtë burrë? Thotë: Nuk e di. Thosha atë që thoshin njerëzit. – I thonë atij: Kurrë mos ta dish. – Pastaj goditet me një çekan prej hekuri ndërmjet veshëve të tij, dhe ulërin aq fort sa e dëgjojnë të gjithë përveç njerëzve dhe xhinëve.”
Në një hadith tjetër tek “Sahih Ibën Hatim”[4] thuhet: “I vijnë atij dy engjëj të zinj në blu, njërin prej të cilëve e quajnë Munker dhe tjetrin Nekir.”
Në një hadith tjetër i cili gjendet në “El Musned”[5] dhe në “Sahih Ibën Hatim”[6] nga Ebu Hurejra, përcillet se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kur i vdekuri vendoset në varr i dëgjon zhurmat e nallaneve (këpucëve) të njerëzve kur largohen. Nëse ai ka qenë besimtar namazi do t’i qëndrojë te koka, agjërimi nga ana e djathtë dhe zekati nga ana e majtë. Ndërsa veprat e mira si; sadakaja, lidhja farefisnore, mirësia dhe bamirësia ndaj njerëzve do t’i qëndrojnë te këmbët.
Do t’i shkohet (do t’i vijë dënimi) nga ana e kokës, por namazi do të thotë: Këtej nuk futesh dot. Pastaj do t’i shkohet nga e djathta e tij, por agjërimi do të thotë: Këtej nuk futesh dot. Pastaj nga e majtë e tij por zekati do të thotë: Këtej nuk futesh dot. Pastaj do t’i shkohet nga ana e këmbëve, por veprat e mira si: sadakaja, lidhja farefisnore, mirësia dhe bamirësia do të thonë: Këtej nuk ka hyrje. Do t’i thuhet: Ulu! – dhe do të ulet. Do t’i përfytyrohet dielli sikur të ishte në të perënduar. I thuhet atij: Çfarë thua për këtë person që është (dërguar) tek ju dhe çfarë dëshmon? Do të thotë: Më lini derisa të falem. I thonë: Ti do të falesh, por na trego për atë që të pyesim…” Hadithi.
Këto hadithe dhe çfarë transmetohet në lidhje me këtë argumentojnë për disa çështje:
1. Pyetjet bëhen kur i vdekuri vendoset në varrin e tij. Në të ka dhe kundërpërgjigje ndaj bidatçijve si puna e Ebu el Hudhejl dhe Merijsi, të cilët thonë: Pyetjet do të bëhen mes dy fryrjeve të Surit.
2. Emërtimi i dy engjëjve me emrat Nekir dhe Munker. Në të ka kundërpërgjigje ndaj mutezilive që mendojnë se nuk lejohet që dy engjëjt të quhen me këta emra. Ndërsa hadithin që tregon për këtë e komentuan duke thënë: Munker është belbëzimi i të vdekurit kur pyetet, ndërsa Nekir është qortimi i engjëjve ndaj tij.
3. Shpirti i të vdekurit i kthehet atij në varr në kohën kur engjëjt e pyesin dhe e ulin dhe ai do të flasë. Në këtë ka kundërpërgjigje ndaj Ebi Muhamed bin Hazmit i cili e ka mohuar një gjë të tillë.[7] Përveç nëse ai ka pasur për qëllim me këtë mohimin që kjo të jetë si jeta e zakonshme në dynja, atëherë kjo është e saktë ngase kthimi i shpirtit në trupin e të vdekurit nuk është si kthimi i tij në jetën e kësaj dynjaje. Edhe pse në disa aspekte mund të jetë më e plotë, si p.sh. rilindja në botën tjetër nuk është e njëjtë me atë të kësaj bote edhe pse është më e plotë se kjo. Përkundrazi, çdo etapë në këtë dynja, në Berzah dhe në ditën e Kiametit ka gjykim të veçantë. Prandaj Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka lajmëruar se të vdekurit do t’i zgjerohet varri dhe do të pyetet, e shumë e shumë të tjera prej këtyre gjërave edhe pse dheu mund të mos ndryshojë. Shpirtrat kthehen tek trupat e të vdekurve dhe pastaj ndahen prej tyre.
Marrë nga libri: “El irshad ila sahihih el i’tikad”.
Përktheu: Unejs Sheme
——————————————————————-
[1] Ahmedi, Ebu Daudi, El Hakimi, Ebu Auaneh në “Sahihat” e tyre dhe Ibën Hibani.
[2] Buhariu 1338 dhe Muslimi 2870.
[3] Ky është argument se i vdekuri ulet në varrin e tij kur engjëjt e marrin në pyetje. Forma dhe mënyra se si e ulin hyn te çështjet e gajbit (të fshehtës), por ne e besojmë këtë. Imam El Berbehari, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “Sherhus Sunneh” thotë: “Besimi se i vdekuri merret dhe ulet në varrin e tij, pastaj Allahu i dërgon (kthen) atij shpirtin për t’u pyetur nga Munkeri dhe Nekiri, për besimin dhe degët e tij, e pastaj (nëse përgjigjet saktë) e nxjerrin shpirtin e tij pa dhimbje.”(sh.p.)
[4] 7386 me nr. 3117 prej hadithit të Ebu Hurejrës, radijAllahu anhu.
[5] 2/347 me nr. 8563.
[6] 7/380 me nr. 3113.
[7] “El Muhala” 1/21-22.
Dosje: Besimi
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve