Allahu i Lartësuar e dërgoi Hudin tek populli i tij Adi i i lashtë të cilët banonin në Ahkaf, e pikërisht në dumat e shkretëtirës së Hadrameutit (Jemen).
E dërgoi në një kohë kur sherri i tyre u shtua dhe ata filluan të tregonin kryeneçësi ndaj njerëzve, duke u thënë: “Kush është më i fortë se ne?” | Fussilet: 15. Mbi të gjitha ky popull adhuronte idhujt dhe përgënjështronte të dërguarit e Zotit.[1]
Allahu dërgoi Hudin në mesin e tyre që tii ftonte në adhurimin e Allahut, të Vetëm dhe të Pashok, t’i ndalonte nga shirku (idhujtaria) dhe kryeneçësia ndaj njerëzve.
E dërgoi që t’i ftonte me çdo mënyrë dhe t’iu kujtonte ato mirësi të kësaj bote që Allahu u kishte dhënë, furnizimin e mjaftueshëm dhe forcën fizike. Por ata e refuzuan thirrjen e tij, treguan mendjemadhësi në përgjigje, dhe thanë: “O Hud! Ti nuk na ke sjellë kurrfarë prove të dukshme për fjalët e tua.” | Hud: 53.
Në fakt ata po gënjenin në këtë pretendim, sepse çdo Pejgamberi Allahu i ka dhënë prova me anë të të cilave njerëzit do të besonin.[2]
Megjithatë, edhe nëse pejgamberët nuk do të posedonin prova të tjera veç faktit se feja me të cilën erdhën të gjithë ishte e njëjtë, kjo do të mjaftonte si provë e dukshme se ajo fe vjen nga Allahu për shkak të përsosmërisë, rregullit dhe radhitjes së dobive për çdo kohë që i përshtatet. Pa lënë mënjanë vërtetësinë e ngjarjeve, urdhërimin e çdo të mire dhe ndalimin nga çdo e keqe, si dhe faktin se çdo Profet vërteton atë që ishte para tij dhe dëshmon për të, ashtu sikurse e vërtetonte ai (Profet) që vinte pas dhe dëshmonte gjithashtu për të.
Prej provave të veçanta të Hudit është fakti se ai ishte; i vetëm në thirrjen e tij, i vetëm në përballje, i vetëm në momentin kur injoronte mendimet dhe humbjen e tyre, i vetëm kur përçmonte idhujt, ndërsa ata ishin të fuqishëm, tiranë dhe kryeneçë. Ata u munduan ta frikësonin duke i kujtuar idhujt që kishin se nëse nuk tërhiqej atij do i kanosej çmenduria apo ndonjë gjë e keqe. Por ai i sfidoi hapur dhe u tha qartë: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju, se unë jam larg nga idhujt që ju i adhuroni në vend të Tij. Të gjithë ju bëni komplot kundër meje dhe mos më jepni afat aspak! Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im, është në rrugë të drejtë.” | Hud: 54-56.
Ata nuk mundën ta lëndonin me asgjë të keqe. Pra, a ka provë më të madhe se ky sfidim me të cilin ai u përball me këta armiq, që në fakt ishin tepër të interesuar ta shkatërronin thirrjen e tij me çdo formë?
Kur kryeneçësia e Adit mori fund, ai u largua prej tyre dhe u tërhoqi vërejtjen nga zbritja e dënimit. Dhe ja, dënimi erdhi dhe u shfaq në horizont! Momenti ishte mjaft i vështirë dhe thatësira dhe nevoja për shi ishte shumë e madhe.
Atë çast (kur panë retë e zeza) ata u gëzuan dhe thanë: “Kjo re po sjell shiun!”
Allahu tha: “Jo! Kjo është ajo që ju e keni shpejtuar.” Sepse më parë u shprehët duke thënë: “Sillna atë (dënim) që po na premton dhe të shohim nëse thua të vërtetën!” | El Ahkaf: 22.
“Një erë që mbart një dënim të dhembshëm, që me urdhrin e Allahut shkatërron çdo gjë.” | El Ahkaf: 24.
“Allahu ua dërgoi atyre shtatë netë dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura.” | El Hakka: 7.
“E në mëngjes u panë vetëm shtëpitë e tyre të zbrazëta. Ja, kështu e ndëshkojmë Ne popullin keqbërës.” | El Ahkaf: 25.
Pasi që jeta u kishte buzëqeshur, krenaria kishte arritur kulmet dhe kërkesat e jetesës i kishin të plotësuara, më tepër se kaq u ishin nënshtruar zonat dhe fiset përreth, por kjo nuk u vlejti sepse Allahu u dërgoi një erë të acartë në ditë fatkeqësie: “Për ta shijuar dënimin poshtërues që në këtë jetë, ndërsa dënimi në jetën tjetër do të jetë edhe më poshtërues dhe askush nuk do t’i ndihmojë. | Fussilet: 16.
“Ata i ndoqi mallkimi në këtë jetë dhe në ditën e Kiametit. Me të vërtetë, fisi Ad e mohoi Zotin e tij. Qoftë larguar (nga mëshira e Allahut) fisi Ad, populli i Hudit!” | Hud: 60.
Allahu e shpëtoi Hudin dhe ata që besuan me të. “Vërtetë, në këtë ndodhi kishte argument.” Kjo tregonte fuqinë e plotë të Allahut dhe nderimin e madh ndaj Pejgamberëve dhe ndjekësve të tyre, duke i ndihmuar në jetën e kësaj bote dhe në ditën kur të ringjallen krijesat. Kjo është provë e qartë se e keqja shkatërrohet dhe fundi i saj është më i keqi dhe më i shëmtuari. Gjithashtu, është argument që pohon ringjallen dhe tubimin në ditën e madhe.
Marrë nga libri: “Historitë e Profetëve”.
Autor: Abdurrahman es Seadi
Përktheu: Fatjon Isufi
———————————————————-
[1] Pse Allahu i Lartësuar kur përmend popullin e Adit, thotë: “Populli i Adit përgënjështroi të Dërguarit.” Ndërkohë që tek ky popull ishte dërguar vetëm Hudi? Dijetarët kanë thënë: Përgënjeshtrimi i një profeti është përgënjeshtrim i të gjithë profetëve. Sh.p.
[2] E përcjell Buhariu me nr. 4981 dhe Muslimi me nr. 152239 nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu. Hafidh ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Kjo do të thotë se çdo Profeti i është dhënë një apo më shumë se një argument, me qëllim që nëse njerëzit e shohin do të besonin për shkak të atij argumenti. “Fet’h el Bari” 8/621, 622.
Dosje: Profetët
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve