Muavije bin Ebi Sufjan tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën, i mundëson fikhun (kuptimin) e fesë.” [Buhariu dhe Muslimi]
Në gjuhën arabe fikh do të thotë kuptim, por më vonë kjo fjalë (fikh) u përdor veçanërisht për kuptimin e fesë dhe legjislacionit.
Ajni thotë: “I mundëson fikhun” d.m.th. e bën të kuptojë, sepse fikhu në gjuhën arabe është kuptimi. Allahu i Lartësuar thotë: “Që ata të kuptojnë fjalën time!” | Ta ha: 28. “Umdetu el Karrij” 2/42.
Kuptimi në fe është njohja e dispozitave fetare me argumentet përkatëse, njohja e kuptimeve të urdhrave dhe ndalesave dhe praktikimi i tyre, e që trashëgon tek ky fakih frikën nga Allahu dhe ndjenjën e mbikqyrjes së Tij në vetmi dhe para krijesave.
Shejhul Islam ibn Tejmije ka thënë: Kuptimi (fikhu) në fe është njohja e kuptimeve që vijnë për urdhërat dhe ndalesat me qëllim që njeriu të jetë syçelë në çështjet e fesë së tij. A nuk e ke lexuar fjalën e Allahut që thotë: “Që të thellohet në kuptimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut.” | Et Teube: 122.
Në këtë ajet Allahu e shoqëroi këshillimin (e popullit) me kuptimin (e fesë), dhe kjo pohon se fikhu (kuptimi i fesë) në realitet është ai që e pengon (largon) njeriun nga harami, fton në zbatimin e obligimeve dhe frikëson shpirtin që të bier në gjërat e ndaluara. “El fetaua el kubra” 6/171.
Imam Neveviu ka thënë: Në këtë hadith vihet re vlera e dijes dhe nxitja për ta kërkuar atë, sepse dija është ajo që udhëheq drejt devoshmërisë ndaj Allahut. [“Sherh Nevevi ala Sahih Muslim” 7/128.]
Shejhul Islam ibn Tejmije thotë: Atij që Zoti i do të mirën patjetër i mundëson kuptimin e fesë, dhe anasjelltas; atij që nuk i jep kuptim në fe nuk ia ka dëshiruar hajrin (të mirën). Fe është ajo me të cilën Allahu dërgoi Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e që njeriu duhet ta besojë dhe ta praktikojë. Cdokujt i kërkohet të besojë atë që solli Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe të bindet në atë që urdhëron. Të besojë dhe të bindet në mënyrë të përgjithshme. [“Mexhmu el fetaua” 28/80.]
Shejh AbdulAziz bin Bazi thotë: “Ky hadith madhështor na mëson vlerën e kuptimit të fesë!”
Kuptimi në fe është: Kuptimi i librit të Allahut dhe sunetit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është kuptimi i islamit sa i takon bazave të legjislacionit, dispozitave që Allahu na ka urdhëruar dhe ndalesave që na ka ndaluar. Gjithashtu, sa i takon njohjes së detyrimeve që njeriu ka ndaj Zotit dhe krijesave, frikës ndaj Allahut, madhërimit dhe ndjenjës së mbikqyrjes së Tij, sepse kreu i dijes është frika ndaj Allahut të Madhëruar, madhërimi i ndalesave të Tij dhe ndjenja e mbikqyrjes në gjërat që robi vepron dhe lë (braktis).
Ai që e humbet frikën ndaj Zotit dhe ndjenjën e mbikqyrjes së Tij, dija e këtij njeriu nuk ka vlerë por ajo që ka vlerë në realitet është dija e dobishme.
Dija në fe që konsiderohet shenjë e lumturisë është ajo që lë si gjurmë frikën ndaj Zotit, madhërimin e ndalesave dhe ndjenjën e mbikqyrjes së Tij. Më pas, kjo e shtyn në zbatimin e obligimeve dhe braktisjen e ndalesave të Zotit. E nxit të thërrasë për tek Allahu dhe tu sqarojë njerëzve legjislacionin e Tij.
Atij që i jepet një dije e tillë, kjo për të është shenjë dhe argument se Allahu i do të mirën. Ai që privohet nga kjo dhe shkon me injorantët dhe të humburit, me ata që i kthejnë shpinën kuptimit të fesë dhe praktikimit të saj, apo njohjes së atyre gjërave që Ai ka ndaluar, ky është tregues se Allahu këtij njeriu nuk ia deshi hajrin (të mirën).
Besimtari e kërkon dijen, mësyn njohjen e kuptimeve në fe, mundohet të jetë syçelë duke i kushtuar rëndësi librit të Allahut dhe meditimit të ajeteve me qëllim që të përfitojë prej tij. Ashtu sikurse i kushton vëmendjen e duhur sunetit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kuptimeve të tij, praktikimit dhe mësimit përmendësh sa të ketë mundësi. Ai që u largohet këtyre dy bazave dhe shkujdeset, kjo është shenjë se Allahu nuk ia deshi hajrin këtij njeriu, është shenjë e shkatërrimit, shenjë e prishjes së zemrës dhe shashtisjes së saj nga rruga e drejtë. [“Mexhmu fetaua ibn Baz” 9/129-130.]
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Porositë e Etërve
Të Ngjashme
- Hadithi i pesë veçorive që e dallojnë të Dërguarin nga pejgamberët e tjerë Udha e Besimtarëve
 - Dobitë e pafundme të teksteve fetare Udha e Besimtarëve
 - Falënderimi për mirësitë, çështje e lehtë?! Emin Bilali
 - Mos iu nënshtro vesveseve të shejtanit Shejh Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz
 - Kisasi, drejtësia hyjnore që ruan jetën nëse kryhet sipas dispozitave fetare Udha e Besimtarëve