Nga Ebu Hurejrah përcillet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush thërret (fton) për në udhëzim ka shpërblim njësoj si shpërblimet e atyre që e pasojnë atë, pa u pakësuar prej shpërblimeve të tyre aspak. Dhe kush thërret për në humbje ka gjynah njësoj si gjynahet e atyre që e pasojnë atë, pa u pakësuar prej gjynaheve të tyre aspak.” Muslimi.[1]
Ky hadith dhe të tjerë të ngjashëm me të përmbajnë nxitje për thirrje në udhëzim dhe mirësi, dhe nxjerin në pah vlerën e thirrësit. Nga ana tjatër hadithi përmban paralajmërim prej thirrjes në humbje e devijim, dhe tregon madhësinë e krimit të atij që thërret për vepra të këqija dhe ndëshkimi që ai do të ketë.
Udhëzimi është dija e dobishme dhe vepra e mirë. Kushdo që u mëson të tjerëve ndonjë dije apo i orienton ata që i mëson për ecjen në rrugën e dijes, ai është thirrës për në udhëzim. Dhe çdonjëri që thërret për vepra të mira që kanë të bëjnë me detyrimet kundrejt Allahut apo me detyrimet kundrejt njerëzve në përgjithësi, apo të disave prej tyre në veçanti, ai është thirrës për në udhëzim.
Kushdo që jep ndonjë këshillë fetare apo për punë të dynjasë që çojnë në dobi fetare, ai është thirrës për në udhëzim, dhe kushdo që është i udhëzuar në dijen dhe veprat e tij dhe udhëzohen të tjerët me shembullin e tij, ai është thirrës për në udhëzim. Kushdo që u paraprin të tjerëve në ndonjë punë të mirë (vepër të hajrit) apo në ndonjë nismë me dobi të përgjithshme, edhe ai hyn në këtë tekst (hadith).
Ai që vepron të anasjelltën apo të kundërtën e këtyre të gjithave, është thirrës për në humbje. (Sh.p.: Pra ai që u mëson njerëzve dije të dëmshme si; idhujtari, magji, gënjeshtra, apo u mëson si të shkatërrojnë në tokë, apo që bën gjynahe haptas dhe njerëzit e imitojnë atë, ai është thirrës për në humbje.) Thirrësit për në humbje janë udhëheqësit që ftojnë për në zjarr.
Kushdo që ndihmon të tjerët për vepra të mira dhe devotshmëri është prej thirrësve për në udhëzim, dhe çdokush që ndihmon të tjerët për gjynahe dhe armiqësi është prej thirrësve për në humbje.
Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”.
Autor: Abdurrahman bin Nasir es Seadi
Përktheu: Emin Bilali
———————————————————–
[1] Muslimi /Kapitulli i dijes / Tema: “Kush hap një rrugë për në mirësi apo për në ligësi” / hadithi nr. 2674.
Dosje: hadith