Nga Esmer ibn Midras përcillet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush arrin i pari tek një ujë ku nuk ka shkuar asnjë musliman para tij, ai ujë (burim) është i tij.” Transmeton Ebu Daudi.[1]
Në këtë hadith futet pararendja tek të gjitha gjërat e lejuara të cilat nuk janë pasuri e askujt. Këtu hyn; pararendja për te toka që është e shkretë (e papunuar), kush arrin i pari tek ajo duke nxjerrë ujë prej saj apo duke e sjellë ujin deri tek ajo, apo duke ndërtuar mbi të, ai e ka poseduar (e ka zotëruar) atë dhe nuk e posedon atë pa e ngjallur (sh.p. me një nga tre gjërat që u përmendën).
Por nëse pushtetari apo ndonjë nga zëvendësit e tij ja jep atij tokën apo ai e ka zotëruar një tokë të shkretë dhe nuk e ngjall atë, ai ka më shumë të drejtë për të por nuk e ka zotëruar. Nëse gjendet dikush tjetër që dëshiron ta punojë tokën (apo ta ngjallë atë), i thuhet të parit: “Ose do ta ngjallësh tokën që ke në dorë, ose të heqësh dorë prej saj (ta dorëzosh).”
Këtu hyn edhe garimi për te gjahu i tokës apo i detit, apo për thesaret e fshehura, dhe garimi për marrjen e druve, të barit apo diçkaje të hedhur sepse nuk ju është dashur më. Po ashtu garimi për tu ulur në xhami, në klasë apo në tregje, vetëm nëse këto gjëra i janë lënë në përgjegjësi dikujt që kujdeset për to, e sistemon radhën dhe i ndan vendet. Në këtë rast duhen ndjekur rregullat e vendosura prej autoriteteve.
Kush shpejton për te diçka prej gjërave të lejuara që nuk kanë zot (pronar), ai e meriton atë më shumë se çdokush tjetër dhe pronësia e tij është e kufizuar mbi atë pjesë që ka marrë.
E njëjta gjë thuhet për atë që garon për të fituar një vend pune apo për të marrë përsipër një punë. Nëse i zoti i punës thotë: “Kush punon për mua këtë punë do t’i jap kaq para”. I pari që vjen dhe ja merr përsipër ta kryej, ai e meriton atë punë. Po ashtu edhe kush e gjen diçka të humbur më parë se të tjerët, apo të ndonjë fëmije të humbur apo të ngjashme me këto, të gjitha hyjnë te ky hadith. Allahu e di më mirë!
Marrë nga libri: “Behxhetu kulubil ebrar”.
Autor: Abdurrahman bin Nasir es Seadi
Përktheu: Emin Bilali
—————————————————————-
[1] Hadith i dobët. E transmeton Ebu Daudi 3071, Bejhakiu 142/6 etj. Shejh Albani e konsideron të dobët në “Irua” 1153.
Dosje: Garimi