A është i saktë ky hadith?

January 7, 2016

“Puno për ahiretin tënd sikur do vdesësh nesër dhe puno për dynjanë sikur do jetosh përgjithmonë.” A është hadith ky?

Përgjigja: Jo ky hadith nuk saktësohet. Njëri prej njerëzve të dijes ka bërë një studim për këtë hadith dhe ai nuk është i saktë nga ana e transmetimit (zinxhirit), po përsa i takon analizës së tekstit të tij ai ka një kuptim të mirë.

Të bësh një punë dynjaje dhe shpërblimi i saj është në ahiret. Muezini thërret ezanin dhe ti je duke punuar. Cili është kuptimi i hadithit? Në fakt si hadith ai nuk është i saktë por ajo është urtësi (fjalë e mençur, e urtë). Prandaj më mirë themi: Cili është kuptimi i kësaj urtësie? “Puno për dynjanë tënde sikur do të jetosh përgjithmonë.”

Për shembull: Ti je duke lyer një mur dhe thirret ezani. E lë aty ku ke arritur dhe thua: S’e mbarova dot sot do ta mbaroj nesër, unë do të jetoj përgjithmonë! Nuk e mbarova nesër do ta mbaroj pasnesër. Por e lë punën kur thirret ezani sepse mendon se nesër do të vdes!
“Puno për ahiretin tënd sikur do vdesësh nesër, dhe puno për dynjanë sikur do të jetosh përgjithmonë.”

Unë për shembull riparoj rroba apo i pres ato. Pra punoj një punë dynjaje, dhe kur vjen koha e adhurimit unë e lë punën e dynjasë dhe them: Unë do të jetoj përgjithmonë, po s’mbarova tani do të mbaroj nesër. (sh.p. puna pret edhe për nesër ndërsa adhurimi nuk pret sepse) Nesër mund të më vijë vdekja dhe do takoj Allahun me këtë adhurim. (sh.p. prandaj për ahiretin duhet të punoj tani, me kusht që kur të jesh në punë të punosh, jo të lozësh dhe ta zvarrisësh pa arsye).

Nëse kjo urtësi kuptohet në këtë formë është diçka e mirë, ndërsa ta ushqesh veten me shpresa sikur do jetosh përgjithmonë (sh.p. dhe të përmbysësh kuptimin e mësipërm dhe të thuash: do të jetoj përgjithmonë prandaj kam kohë të pendohem, kam kohë të falem, kam kohë të bëj vepra të mira…) kjo nuk është e mirë.
Nëse kjo fjalë e urtë kuptohet në këtë mënyrë nuk shikoj në të diçka të keqe. Allahu i Lartësuar e di më së miri.

 

Autor: Meshhur Hasen

Përktheu: Emin Bilali

Dosje:

Loading...