Tri çështje të rëndësishme, shumë të diskutuara mes dijetarëve, në lidhje me shkurorëzimin e grave.
Tri çështje të rëndësishme, shumë të diskutuara mes dijetarëve në lidhje me shkurorëzimin e grave dhe mendimi i sheikh-ul-Islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë-.
Fjala [Talak] në gjuhen arabe do të thotë lirim dhe sa herë që përmendet në Kuran është për qëllim shkurorëzim i grave. Allahu i Madhëruar e ka lejuar talakun për të zgjidhur problemet e jetës së një çifti kur nuk marrin zgjidhje tjetër, por ama duke i vënë rregulla të qarta si nga ana e kohës kur duhet bërë, periudhave të pritjes po ashtu edhe nga ana e numrit të talakëve (NDARJEVE) sepse martesat janë çështje me rëndësi në shoqërinë njerëzore dhe me shumë pasoja kur ato (martesat) nuk ecin mirë.
Përsa i përket kohës së dhënies së talakut, Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “O ti profet! Kur t’jua jepni talakun (NDARJEN) grave, jepjani atyre në fillim të periudhës dhe regjistrojeni atë” Suretu Et-Talak: 1.
Fjala e Allahut [në fillim të periudhës] dmth: në fillim të periudhës së pastërtisë (menjëherë pas ciklit mujor) pa kontaktuar me to siç tregon Abdullah bin Mesudi, Ibn Omeri, Ibn Abasi -radiallahu anhum- dhe shumë komentues të tjerë të Kuranit.
Kurse fjala e tij [dhe regjistrojeni atë] dmth: të regjistrohet koha e talakut sepse talaku nuk e merr formën e tij të prerë veçse pas kalimit të një kohe të caktuar, sepse Allahu i Madhëruar i ka porositur gratë të presin burrat e tyre në atë vendim për një periudhë që zgjat tre cikle mujore nëse janë prej atyre grave që kanë cikle dhe tre muaj nëse nuk janë prej atyre grave që kanë cikle dhe deri në lindje nëse janë shtatzëna.
Ndërsa sa i përket numrit të talakëve, nëse talaku nuk arrin të marrë formën e prerë dhe prishet (duke e rikthyer gruan) brenda periudhës së caktuar, atëherë Allahu i Madhëruar në lidhje me të thotë: “Talaku është dy herë. Pastaj ose ti mbani me respekt ose ti ndani me të mirë”suretu El-Bekara: 229.
Fjala e Allahut [Talaku është dy herë] dmth: me periudhë pritjeje ku burrit i jepet mundësia e rikthimit të saj, sepse talaku i tretë nuk është me periudhë pritjeje dhe kështu nuk ia mundëson burrit rikthimin e gruas. Prandaj dhe Allahu i Madhëruar në ajetin vijues thotë: “Dhe nëse ai (burri) ia jep përsëri talakun (për herë të tretë), ajo nuk është më hallall për të derisa të martohet me një burrë tjetër dhe nëse ai ia jep talakun atëherë nuk ka gjynah për ta të rikthehen nëse mendojnë se do ti ruajnë kufijtë e Allahut” Suretu El-Bakara: 230.
Kështu, talaku i dhënë sipas këtyre rregullave është talaku për të cilin ka porositur Allahu i Madhëruar ata çifte që duan ta ndërpresin lidhjen e tyre. Mirëpo njerëzit shpesh herë e japin talakun në kundërshtim me këto rregulla, ose nga padija sipas disa rasteve, ose nga zemërimi kur mes çifteve ka grindje dhe kjo gjë na shtyn të flasim për tri çështje shumë të diskutuara në mesin e dijetarëve dhe që ndodhin shpesh në mesin e bashkëshortëve dhe që kanë nevojë për një trajtim të gjerë dhe një fetva të një dijetari të madh si sheikh-ul-islam Ibn Tejmieje –Allahu e mëshiroftë-.
Çështja e parë: A merret parasysh talaku në kohën e ciklit mujor apo në kohën e pastërtisë pas kontakteve të çiftit?
Dijetarët e islamit në lidhje me këtë çështje kanë dhënë dy mendime:
I pari: Mendimi i shumicës së dijetarëve pasues të katër medhhebeve se ky talak merret parasysh edhe pse nuk është sipas rregullave dhe ai që e jep është gjynahqarë dhe këta dijetarë argumentohen me këto argumente:
1- Hadithi i Ibn Omerit -radiallahu anhu- i cili e ndau gruan e tij në kohën e Profetit -alejhi selam- ndërkohë që ishte në ciklin e saj mujor dhe babai i tij Omeri -radiallahu anhu- shkoi tek Profeti -alejhi selam- për ta pyetur dhe ai tha: “Urdhëroje atë ta rikthejë, pastaj ta mbajë derisa të pastrohet, pastaj të kalojë ciklin dhe pastaj të pastrohet. Pastaj nëse do, ta mbajë atë dhe nëse do, ta ndajë para se të kontaktojë me të se kjo është periudha për të cilën Allahu ka porositur të ndahen gratë” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Këta dijetarë thonë se fjala e profetit -alejhi selam- [Urdhëroje atë ta rikthejë] do të thotë se talaku është marrë parasysh.
2- Hadithi i Ibn Omerit -radiallahu anhu- i cili sipas një transmetimi tjetër thuhet se është pyetur: A është marrë parasysh ai talak? Dhe ai është përgjigjur: “Ke parë kur nuk mundesh të gjykosh drejt dhe bën budallallëqe” e transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Këta dijetarë thonë se kjo shprehje është si shprehja: Pse nuk qëndron talaku edhe nëse dikush nuk mund të gjykojë drejt dhe bën budallallëqe?! Dhe përgjigjja e saj është: po qëndron nuk e pengon gjë të merret parasysh edhe nëse nuk ka gjykuar drejt dhe ka bërë budallallëk. Dhe për këtë mënyrë kuptimi ndihmon edhe fakti se Ibn Omeri -radiallahu anhu- në disa transmetime të tjera thotë: ‘’Është llogaritur prej talakut të saj” e transmeton Muslimi.
3- Ixhmaja e ulemave se talaku i dhënë në këtë mënyrë merret parasysh edhe pse i ndaluar siç tregojnë El-Kadi Ijad dhe Imam Neveviu -Allahu i mëshiroftë-.
Mendimi i dytë: Nuk merret parasysh talaku i dhënë në këtë mënyrë dhe të këtij mendimi janë: disa tabi’inë, Ibrahim bin Uleje dhe Dhahiritë. Këta dijetarë argumentohen me këto argumente:
1- Ibn Omerit -radiallahu anhu- në disa transmetime të tjera kur është pyetur për një burrë që e ka ndarë gruan në periudhën e ciklit mujor dhe ai i ka thënë se Omeri -radiallahu anhu- e ka pyetur profetin -alejhi selam- për çështjen e tij pastaj thotë: “Profeti -alejhi selam- ma ktheu gruan dhe nuk e mori atë (talak) parasysh” e transmeton Muslimi, Ebu Daudi dhe e saktëson Ibn Haxheri.
2- Ibn Omeri -radiallahu anhu- sipas një transmetimi tjetër është pyetur për një burrë i cili e ndan gruan e tij gjatë ciklit mujor dhe ai është përgjigjur: “Nuk merret parasysh” e transmeton Ibn Hazmi me zinxhirë të saktë.
Këta dijetarë thonë se ajo që thuhet në këto dy transmetime në lidhje me çështjen e Ibn Omerit është më e qartë se ajo që thuhet në transmetimet e tjera pas të cilave kapen dijetarët e mendimit të parë dhe ja kundërpërgjigjet e tyre në lidhje me to:
Fjala [rikthim] e përdorur në njërin prej haditheve të lartpërmendura nuk do të thotë rikthim pas talakut por rikthim normal në gjendjen e mëparshme pas një veprimi të gabuar.
Ndërsa fjala e tij [Ke parë kur nuk mundesh të gjykosh drejt dhe bën budallallëqe] në hadithin tjetër më shumë të jep të kuptosh se nuk është marrë parasysh ai talak sesa e kundërta e tij sepse është veprim i pamatur dhe budallallëk në kundërshtim me porositë e Allahut dhe të profetit të tij dhe si i tillë nuk merret parasysh dhe është i kotë.
Ndërsa fjala e tij në hadithin tjetër [Është llogaritur prej talakut të saj] mendohet të mos jetë e tij por e dikujt tjetër dhe dikush ka gabuar dhe e ka transmetuar si të tijën.
3- Khilas bin Amr i cili është prej tabiinëve të mëdhenj është pyetur për një burrë i cili e ndan gruan e tij gjatë ciklit mujor dhe ka thënë: “Nuk merret parasysh” e transmeton Ibn Hazmi me zinxhirë të saktë transmetimi.
4- Tausi një tjetër tabiin i madh, i biri i tij thotë se ai nuk e merrte parasysh talakun që kundërshton rregullat e sheriatit në lidhje me periudhën. E transmeton Abdurrazaku.
Dijetarët e këtij mendimi thonë se ixhmaja e pretenduar nga dijetarët e mendimit të parë nuk qëndron sepse mendimi i kundërt ka ekzistuar siç transmetohet nga këta dy tabiin gjë kjo që është kusht për saktësimin e ixhmasë.
Mendimi i sheikh-ul-islam Ibn Tejmije –Allahu e mëshiroftë-.
Sheikh-ul-Islam Ibn Tejmije mes këtyre mendimeve ka zgjedhur mendimin e dytë se ky talak nuk merret parasysh dhe në lidhje me këtë zgjedhje thoshte: “Ajo që përftohet nga argumentet e Kuranit dhe të synetit dhe bazave të sheriatit është se talaku i ndaluar (që nuk është sipas rregullave të sheriatit) nuk merret parasysh siç nuk merret parasysh asnjë akt i cili ndahet në hallall dhe haram si: martesa haram, shitblerja haram etj kur ndalimi është për hakun e Allahut si martesa në periudhën e pritjes apo shitja e alkoolit. Ndërsa kur ndalimi është për hakun e njeriut atëherë kur ai e pranon lejohet si shitja e diçkaje me të meta apo me mashtrime etj” shih librin Xhamia El-Mesail vëll. 1 : 246.
Vijon……..
Shkroi Dr, Abdullah Nabolli
Dosje: Divorci, Martesa, Shkurorzimi