Falënderimet dhe lëvdatat i përkasin Allahut, Zotit të botërave. Salavatet dhe selamet janë për profetin tonë, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, familjen dhe shokët e tij, si dhe për çdokënd që i pason ata me të mirë deri në Ditën e Gjykimit.
Duke marrë shkas nga fakti që unë jepja mësim lëndën e shkencës së hadithit, në vitin e tretë të shkollës së mesme në institutin e Imamit të Davetit, në Rijad në vitin 1376 h, nga libri en-Nuz-heh alen-Nuhbeh të hafidh Ibn Haxher el Askalanij, disa nxënës më kërkuan që të përpiloja me shkrim në formën e pyetjeve-përgjigjeve, ato shënime që unë ua diktoja gjatë mësimdhënies. Ky propozim më pëlqeu, sepse është një formë e thjeshtuar që ndihmon në kuptimin e këtyre shënimeve dhe të dhënave, ndaj vendosa ta realizoj këtë dëshirë dhe e emërtova (këtë libër): “Jani`u eth-thimer fi mustalahi ehlil ether” (Vjelja e frutave në lidhje me njohjen e terminologjisë së pasuesve të transmetimeve).
Në mënyrë që përfitimi të jetë sa më i plotë vendosa ta botoj, ashtu që të përfitojnë kërkuesit e diturisë. Kjo broshurë është shpjeguar dhe shtjelluar nga njerëz të shumtë.
Le të fillojmë me realizimin e këtij qëllimi, duke e lutur Allahun e madhërishëm, Zotin e Arshit gjigant, që t`i bëjë dobi lexuesve dhe atyre që e dëgjojnë, vërtetë Allahu nuk e braktis atë që i drejtohet me lutje. Amin.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit. Salavatet dhe selamet janë për atë që nuk ka më profet tjetër pas tij. O Zot më ndihmo dhe ma lehtëso.
Pyetje 1: Si quhet kjo shkencë?
Përgjigje: El Mustalah (Terminologjia).
Pyetje 2: Kush është i pari që shkroi në këtë shkencë?
Përgjigje: I pari që shkroi në këtë lëmi , është el kadij Ebu Muhamed el Hasen bin Abdurrahman bin Halid er-Ramuhurmuzij, i cili ka vdekur në vitin 360 h.
El hafidhu Ibn Haxheri ka thënë: “Ai është i pari që ka shkruar (libër akademik) në shkencat e hadithit”, në librin e tij: el Muhadithul fasil bejne er-rauij uel ua`ij fil hadith.
Pyetje 3: Kush është i pari që është marrë me këtë shkencë, duke e tubuar dhe përmbledhur atë (me memorizim përmendësh)?
Përgjigje: I pari është Ebu Bekr Muhamed bin Muslim ez-Zuhrij, i cili ka vdekur në vitin 124 h. Në ato kohë dijetarët çdo gjë e bazonin në memorizimin e të dhënave përmendësh, por në kohën e sundimit të Umer bin Abdulazizit (në krye të njëqind vjetarit të parë), ai (Umeri) kishte frikën se do humbasë dituria me vdekjen e dijetarëve, ndaj ai u shkroi letër dijetarëve në të gjitha anët, ku u kërkonte q ë t`i mblidhnin hadithet e Profetit salallahu alejhi ue sel-lem.
Pyetje 4: Cili është përkufizimi njohës i kësaj shkence?
Përgjigje: Dituri, me rregulla të përcaktuara, nëpërmjet së cilave bëhet e mundur njohja e gjendjes së transmetuesit dhe asaj që transmetohet.
Pyetje 5: Cili është përkufizimi i saj në aspektin e transmetimit?
Përgjigje: Është përcjellja e fjalëve, veprimeve dhe miratimeve të Profetit salallahu alejhi ue sel-lem.
Pyetje 6: Cila është dobia e kësaj diturie?
Përgjigje: Dobia e saj është dallimi ndërmjet hadithit që duhet të pranohet dhe atij që duhet të refuzohet.
Pyetje 7: Cila është dobia në aspektin fetar?
Përgjigje: Na ndihmon që të arrijmë të fitojmë lumturinë e të dy botëve.
Pyetje 8: Cili është fryti i kësaj shkence?
Përgjigje: Na mundëson të ruhemi nga gabimet në përcjelljen e haditheve.
Pyetje 9: Cili është objekti i studimit të kësaj lënde?
Përgjigje: Objekti i studimit të saj është zinxhiri i transmetimit dhe vetë teksti i hadithit.
Pyetje 10: Cili është subjekti i studiuar?
Përgjigje: Profeti salallahu alejhi ue sel-lem, në thëniet, veprimet dhe miratimet e tij.
Pyetje 1: Çfarë kemi për qëllim kur themi objekt studimi?
Përgjigje: Çdo element dhe pjesë e cila ka të bëjë me transmetimin dhe e cila studiohet nga kjo shkencë.
Pyetje 12: Ku bazohet kjo shkencë?
Përgjigje: Në aspektin studimor bazohet tek analizimi i gjendjeve të ndryshme të zinxhirit të transmetimit dhe tekstit. Ndërsa në aspektin e transmetimit bazohet tek fjalët, veprimet dhe miratimet e Profetit salallahu alejhi ue sel-lem.
Pyetje 13: Ku klasifikohet kjo shkencë?
Përgjigje:Është një nga lëmit e diturisë fetare.
Pyetje 14: Cila është vlera e kësaj shkence?
Përgjigje: Është një nga llojet më të vlefshme të diturisë, sepse nëpërmjet saj bëhet e mundur që të ndjekim Profetin salallahu alejhi ue sel-lem dhe ta marrim atë për shembull.
Pyetje 15: Çfarë gjykimi ka angazhimi me këtë shkencë?
Përgjigje: Është obligim kolektiv i bashkësisë myslimane (farz kifaij) që do të thotë se nëse me këtë shkencë merren disa njerëz që e përmbushin nevojën, atëherë bie obligimi nga të tjerët, ndërsa konsiderohet obligim individual nëse është i vetmi person i aftë për tu angazhuar me të.
Marrë nga libri :
“Jani`u eth-themer fi mustalahi ehlil ether“
(Vjelja e frutave të pjekura në lidhje me njohjen e terminologjisë së pasuesve të transmetimeve)
Shejhu el alameh el muhadith: Hamad el Ensarij
Përktheu: Shuajb Rexha