Mund ti thuash muslimanit “kafir ” kur kryen gjynahe?

August 9, 2016

Moslejueshmëria e të konsideruarit “kafir” ndonjërin prej muslimanëve, përveç rastit kur ai vepron diçka prej të kundërtave të Islamit

Prej bazave të pasuesve të sunetit dhe xhematit është se ata nuk e konsiderojnë jobesimtar asnjë prej muslimanëve, përveçse kur ai kryen ndonjë prej të kundërtave të Islamit (prej veprave që e rrëzojnë besimin).

Ndërsa për sa u përket gjynaheve të mëdha -përveç shirkut-, për të cilat nuk ka argument që tregon se vepruesi i saj është mosbesues, siç do të ishte lënia e namazit nga përtacia, dijetarët e sunetit dhe xhematit nuk e konsiderojnë vepruesin e tyre jobesimtar, por gjykojnë për të se ai është fasik[1], me besim të mangët.

Nëse ai nuk pendohet prej tyre, do të jetë nën dëshirën e Allahut, nëse do Ai e fal dhe nëse do e dënon, mirëpo nuk qëndron përjetësisht në zjarr. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera ia fal kujt të dojë.”[2]

Medh’hebi (besimi) i pasuesve të sunetit dhe xhematit, në lidhje me këtë, është i mesëm ndërmjet hauarixhëve, të cilët e konsiderojnë jobesimtar bërësin e gjynaheve të mëdha edhe nëse nuk vepron diçka që është kufër, dhe ndërmjet murxhive të cilët thonë se ai është besimtar me besim të plotë. Ata thonë se gjynahet nuk e dëmtojnë besimin, ashtu siç adhurimet nuk bëjnë dobi me mosbesim.[3]

“Min Usuli Akideti ehlis Suneh uel Xhema’ah”

Autor: Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajttë!)

Përktheu: Unejs Sheme

[1] I prishur, gjynahqar i madh.

[2] En-Nisa, 48.

[3] Shën. reç.: Dhe ky është një nga kurthet e shejtanit, siç përmend Ibnul Kajjim, Allahu e mëshiroftë, në “Medarixhus-salikin”, duke shpjeguar se ai ia bën të dashura njeriut gjynahet e mëdha duke i thënë: “Besimi është thjesht pranimi i Allahut, prandaj veprat nuk ndikojnë tek ai.”  Ndoshta hedh në gjuhën e tij dhe në veshët e tij, shprehje si këto, të cilat i kanë shkatërruar njerëzit: “Nuk të dëmton asnjë gjynah nëse ke teuhid, ashtu siç nuk bën dobi asnjë vepër e mirë me shirkun”. Ndërsa e vërteta është se gjynahet e largojnë robin gjithnjë e më shumë prej Allahut dhe e zbehin teuhidin e njeriut, deri sa mund ta çojnë atë në kufr. Sa më i fortë të jetë teuhidi, aq më larg nga gjynahet do të jetë muslimani. Ndërsa pjesa e dytë e fjalisë së mësipërme është e saktë: asnjë vepër e mirë nuk i bën dobi njeriut në botën tjetër nëse ai bën idhujtari, i shoqëron Allahut shok në ato gjëra që i takojnë vetëm Atij, të Lartësuarit.

Dosje:

Loading...