Një rob bëri një gjynah.

October 12, 2016

Thotë Ebu Hurejrah (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) : Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – të thotë:
“Një rob bëri një gjynah dhe tha: O Zot! bëra gjynah. Më fal! – tha Zoti i tij – Robi im e diti se ka një Zot që e fal gjynahun por edhe ndëshkon për të. Ia fala robit tim.
– Pastaj qëndroi aq sa dëshiroi Allahu, pastaj bëri përsëri gjynah dhe tha: O Zot bëra një gjynah tjetër, prandaj ma fal. – tha (Allahu) – E diti robi im se ai ka një Zot që e fal gjynahun por edhe ndëshkon për të! Ja fala robit tim.
– Pastaj qëndroi një kohë, aq sa dëshiroi Allahu, pastaj bëri përsëri gjynah dhe tha: O Zot bëra një gjynah tjetër, prandaj ma fal! – tha – E diti robi Im se ai ka një Zot që e fal gjynahun por edhe ndëshkon për të. Ja fala robit Tim.”
(në një transmetim ka ardhur shtesa: ) “Bëj çfarë të duash të kam falur!”
Bukhari: 7232. Hadithin e transmeton edhe Muslimi.

Thotë Ibn Haxheri (përmbledhtas) :
Ai që këmbëngul në gjynahe është nën dëshirën e Allahut të Lartësuar, nëse dëshiron e dënon e nëse dëshiron e fal, për shkak të së mirës së madhe që gjendet tek ai e cila është: besimi i tij se ai ka një Zot Krijues që dënon por edhe fal, prandaj edhe ai kërkon falje prej Allahut. Ka ardhur te fjala e Allahut: “Kush vjen me një të mirë ai do të ketë (si shpërblim) dhjetë si ajo.” dhe nuk ka të mirë më të madhe se sa teuhidi.
Po ashtu ky rob ka shfaqur keqardhjen dhe pishmanllëkun e tij pas çdo gjynahu dhe, “Keqardhja (pishmanllëku) është teubeh”, siç ka ardhur në hadithin që e ka transmetuar Ibn Maxheh etj prej Ibn Mes’udit dhe është ‘hasen’ (i mirë).

Ka thënë Kurtubiu: ‘Ky hadith tregon për dobinë madhështore që ka istigfari (kërkimi i faljes prej Allahut) dhe, për madhështinë e bujarisë së Allahut dhe gjerësinë e Mëshirës së Tij dhe Butësisë së Tij. Por ky istigfar është ai kuptimi i të cilit është i rrënjosur thellë në zemër dhe e shoqëron fjalën e gjuhës, ashtu që të shkëputet zinxhiri i vazhdimësisë së mëkateve, dhe që e shoqëron keqardhja për gjynahun e cila është përkthim i teubes. Dhe për këtë dëshmon edhe hadithi: “Më i miri prej jush është çdo i sprovuar që pendohet shumë”. Kuptimi i tij është: Ai që e përsërit pendimin sa herë që përsërit gjynahun, ashtu që sa herë që e përsërit gjynahun kthehet i penduar, dhe jo ai që thotë: ‘Estaghfirullah’ (Më fal o Allah) me gjuhën e tij ndërsa zemra e tij këmbëngul në atë gjynah, sepse istighfari i këtij ka nevojë për istighfar.’

Dhe për këtë dëshmon edhe hadithi i përcjellë nga Ibn Abbasi (merfuan, si thënie të Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem) : “I penduari prej gjynahut është si ai që s’ka kryer gjynah fare, ndërsa ai që kërkon falje për gjynahun e tij duke vazhduar në të, është si ai që tallet me Zotin e tij”.
Më e sakta është se fjala e tij: ‘ndërsa ai që kërkon falje për gjynahun e tij duke vazhduar në të, është si ai që tallet me Zotin e tij’ është fjalë e sahabit (Ibn Abbasit).
Ndërsa fillimi i hadithit është tek Ibn Maxheh dhe Taberanij prej Ibn Mes’udit, dhe zinxhiri i tij është i saktë.
Thotë Kurtubiu: ‘Kuptimi i këtij hadithi është se: kthimi te gjynahu, edhe pse është më i shëmtuar se kryerja e tij për herë të parë, – sepse ai i ka shtuar gjynahut edhe prishjen e pendimit -, përsëri kthimi tek pendimi është më i mirë se pendimi i parë, sepse ai i ka shtuar pendimit edhe kërkimin e vazhdueshëm prej Bujarit, dhe përgjërimin në lutjen e tij, dhe të qenit i vetëdijshëm se nuk ka Falës të gjynahut përveç Tij.

Ka thënë Neueuiu: Nga ky hadith kuptohet se edhe nëse përsëriten gjynahet 100 herë madje 1000 herë apo më shumë dhe robi pendohet prej tyre çdo herë, pendimi i tij pranohet, po ashtu edhe nëse pendohet për të gjitha ato me një pendim të vetëm, pendimi i tij është i saktë.

Dhe fjala e tij: “Bëj çfarë të duash” ka kuptimin: për sa kohë që bën gjynahe dhe pendohesh, Unë të kam falur!

Ka thënë Subkiu i madh: “Istighfari është kërkimi i faljes ose me gjuhë, ose me zemër, ose me të dyja. E para ka dobi sepse është më e mirë se heshtja dhe, sepse me të njeriu e bën zakon fjalën e mirë. E dyta është shumë e dobishme. Ndërsa e treta është më e plotë se dy të parat. Por të gjitha ato nuk e fshijnë gjynahun derisa të ekzistojë edhe pendimi, sepse gjynahqari këmbëngulës në gjynahe mund të kërkojë falje por kjo nuk e bën të domosdoshme prezencën e pendimit tek ai… Sidoqoftë tek njerëzit fjala ‘estaghfirullah’ e përfshin edhe pendimin për gjynahun (keqardhjen për të), prandaj ai që beson kështu, ai e ka për qëllim teuben padyshim. Dhe disa dijetarë kanë përmendur se pendimi nuk plotësohet veçse duke kërkuar falje, për shkak të ajetit: “Dhe kërkojini falje Zotit tuaj, pastaj pendohuni tek Ai”
Me pak shkurtime nga “Fet’hul Barij” vëll i fundit, fq. 479-480.

Loading...