Gjykimi i festimit të festave pagane në islam.

December 29, 2016

Gjykimi i festimit të festave pagane në islam.

Islam do të thotë dorëzim tek Allahu si Zot i vetëm që meriton të adhurohet gjë e cila është thirrja e të gjithë profetëve të Allahut dhe prej plotësimit të këtij dorëzimi është mohimi i adeteve të kohës pagane. Festat pagane kanë lindur në një shoqëri e cila nuk njeh për bazë atë që njeh islami dhe ato karakterizohen nga tre gjëra:

1- Paganët në festat e tyre ua kushtojnë idhujve dhe zotave të hamendësuar ku në realitet nuk ekziston zot tjetër veç Allahut.
Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “O ju njerëz do t’ju japim një shembull prandaj dëgjojeni me vëmendje: Ata të cilët ju u luteni atyre veç tij nuk krijojnë dot një mizë edhe sikur të bashkohen të gjithë për të. E nëse miza u merr diçka atyre nuk ia marrin dot asaj. Sa i dobët është edhe kërkuesi (idhujt) edhe i kërkuari (miza) * Ata nuk e njohin Allahun me fuqinë dhe madhështinë e tij ashtu siç është në të vërtetë. Allahu është i forti dhe triumfuesi” suretu El-Haxh: 73-74.
Në këtë ajet janë marrë dy shembuj shumë të thjeshtë për të treguar se idhujt janë gjëja me e dobët dhe e pamundur në këtë botë:
E para: Pamundësia e idhujve për të krijuar qoftë edhe një gjë të vogël si miza sepse krijimi është cilësia më specifike e për të merituar adhurimin. E nëse ata nuk e bëjnë dot këtë gjë me një mizë nuk e bëjnë dot me asgjë.
E dyta: Nëse miza u merr idhujve ndonjë gjë prej ushqimeve apo parfumeve që vendosen pranë tyre ata nuk arrijnë dot ta pengojnë atë. Dhe kjo është kulmi i pamundësisë sepse idhujt përveç se nuk krijojnë dot as një mizë ata nuk arrijnë dot as të mbrohen prej saj.
Pra, çdo gjë që i kushtohet idhujve veç Allahut të madhëruar është e kotë ashtu siç janë edhe vetë idhujt dhe prandaj Allahu i madhëruar e ka quajtur idhujtarinë padrejtësia më e madhe.

2- Ata në festat e tyre i japin vlerë ditëve pa vlerë sepse Allahu i madhëruar është krijuesi i kohës dhe ai është ai cili i jep vlerë asaj që do dhe ajo që do ai e marrim prej tij ose nga librat e zbritura ose nga thëniet e profetëve.
Profeti -alejhi selam- siç tregohet nga Enesi -radiallahu anhu- kur mbërriti në Medine i gjeti njerëzit duke u dëfryer në dy ditë dhe i pyeti: Çfarë janë këto dy ditë: Ata i thanë: Ditë që dëfreheshim në xhahilijet (para islamit). Profeti alejhi selam u thotë: “Allahu ua ka zëvendësuar ato me dy më të mira: ditën e kurbanit dhe ditën e fitrit” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.
Fjala e profetit -alejhi selam- [ua ka zëvendësuar ato me dy më të mira] dmth janë më të mira sepse kanë vlerë te Allahu i madhëruar dhe jo pa vlerë si ato që po festoni.

3- Ata gjithashtu në festat e tyre nuk ruajnë rregullat e Allahut të caktuara për njerëzit duke i shoqëruar ato me gjëra të ndaluara si alkoli, lakuriqësia, zinaja e shthruje të tjera të pafundme.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- kur ka lexuar ajetin ku Allahu i madhëruar i ndalon gratë të dalin jashtë të zbukuruara: “…dhe mos u zbukuroni si në kohën e injorancës” suretu El-Ahzab: 33 ka thënë: “Kjo ka ngjarë në kohën mes Nuhut dhe Idrisit e cila ka qenë një mijë vjet. Dy barqe nga bijtë e Ademit njëri prej tyre banonte në fushë dhe tjetri në mal ku ata të malit kishin burrat e bukur ndërsa gratë jo shumë të bukura kurse gratë e fushës ishin të bukura por burrat jo shumë të bukur. Iblisi shkon te një burrë prej burrave të fushës në pamjen e një djali dhe hyn te ai qiraxhi. Ai i shërbente atij dhe një ditë merr një vegël muzikore si fyelli i bariut dhe nxori një zë të padëgjuar ndonjëherë më përpara dhe kur e morën vesh njerëzit erdhën për ta dëgjuar dhe caktuan një festë për tu bashkuar pranë tij një herë në vit ku gratë zbukuroheshin për burrat. Një burrë nga mali vjen tek ata dhe sheh gratë dhe bukurinë e tyre pastaj shkon dhe njofton shokët e tij dhe zbresin tek ato dhe mes tyre u shfaq zinaja. Kjo është fjala e Allahut […dhe mos u zbukuroni si në kohën e injorancës] ” e transmeton Taberiu.

Këto janë festat e paganëve dhe nuk i shkon një myslimani të përzihet me to sepse bazat e tyre janë ndryshe nga bazat tona dhe sepse përzierja me ta dëmton besimin tonë dhe saktëson besimin e tyre për të cilin thamë që është i gabuar.

Çfarë duhet të ketë kujdes myslimani në ditët e festave pagane?

Allahu i madhëruar në Kuran i është drejtuar Muhamedit -alejhi selam- t’ju thotë mushrikëve “Ju keni fenë tuaj dhe unë kam fenë time”. Prandaj dhe myslimani në kohën e festave të tyre duhet të ruhet nga:
1- Mos prezantimi në festat e tyre.
Allahu i madhëruar në Kuran kur përmend cilësitë e njerëzve të tij të mirë thotë: “Ata të cilët nuk prezantojnë në gënjeshtra dhe kur kalojnë pranë gjërave pavlerë nuk ua vënë veshin” Suretu el-Furkan:72.
Ibn Abasi -radiallahu anhu- në komentimin këtij ajeti thotë se fjala e Allahut [Nuk prezantojnë në gënjeshtra] dmth: Nuk prezantojnë në festat e mushrikëve.
Këtë porosi e gjejmë edhe nga udhëheqësi i drejtë i këtij ymeti Omeri -radiallahu anhu- në kohën e të cilit u çliruan shumë vende pagane: “Mos i mësoni belbëzimet e të huajve (është fjala për gjuhet e tyre duke lënë gjuhen arabe në të cilën ka zbritur feja e Allahut) dhe as mos u përzieni me mushrikët në faltoret e tyre në ditën e festës së tyre sepse zemërimi i Allahut zbret mbi ta” e transmeton Abdurrazaku dhe Bejhakiu.
2- Mos përngjasimi me ta në veprimet e tyre.
Dijetari i madh i islamit dhe këshilluesi i sinqertë sheikhu-islam Ibn Tejmije –Allahu e mëshiroftë-thotë:
“Nuk u lejohet myslimanëve të përngjasohen me jomyslimanët në gjërat që u përkasin festave të tyre si: ushqimi, veshja, larje (gusl nëse bëjnë ashtu atë ditë), ndezje zjarresh, prishje të zakonit të përditshëm të jetesës apo ndonjë adhurim të veçantë etj. Dhe nuk lejohet gjithashtu të bësh gosti, dhurata, tu shesësh atyre gjëra që i përdorin për atë qëllim dhe as ti mundësosh fëmijët të luajnë me lojërat e tyre dhe as zbukurimi atë ditë. Pra, në përgjithësi nuk u lejohet (myslimanëve) të bëjnë gjëra që u përkasin festave të tyre dhe ato ditë duhen të jenë si çdo ditë tjetër” Mexhmu El-Fetaua.
3- Të mos i ndihmosh ata në punët e tyre: as me dhurata dhe as duke u shitur gjë.
Ebu Hafs El-Kebir dijetari i madh hanefi nga Buhara (i vdekur në vitin 217 H) siç tregojnë dijetarët e medhhebit hanefi thotë: “Nëse një burrë e adhuron Allahun pesëdhjetë vjet pastaj vjen dita e Nevruzit dhe u dhuron mushrikëve një vezë si madhërim për atë ditë, ai bën kufr dhe i prishen të gjitha punët”.
Sheikhul-islam Ibn Tejmije thotë: Ibn El-Kasim (Dijetar i medhhebit maliki dhe nxënës i drejtpërdrejt i imam Malikut i vdekur në vitin 191 H) nuk e ka pëlqyer për myslimanin ti dhurojë të krishterëve ndonjë gjë në ditën e festave të tyre duke e konsideruar këtë gjë si madhërim të festave të tyre dhe ndihmesë ayre në mohim. A nuk e sheh se nuk u lejohet myslimanëve tju shesin të krishterëve gjë që është në dobi të festës së tyre: as mish, as gjellë, as rroba, as nuk u japin kafshën e udhëtimit dhe as ndihmohen në atë gjë që është në dobi të festës së tyre sepse kjo është madhërim i shirkut të tyre dhe ndihmesë në mohimin e tyre. Duhet që prijësit ti ndalojnë myslimanët nga kjo gjë dhe kjo gjë. Ky është mendimi i imam Malikut dhe të tjerëve dhe nuk di ndonjë kundërshtim për të”.
4- Të mos i ndihmosh gjithashtu as myslimanët që përngjasohen me ta.
Sheikhul-islam Ibn Tejmije thotë: “Siç nuk lejohet për tu përngjasuar me ta në festat e tyre kështu nuk lejohet të ndihmohet as myslimani që përngjasohet me ta, madje ndalohet nga kjo gjë. Kështu që kush bën një gosti në kundërshtim me zakonin në kohën e festave të tyre nuk duhet ti përgjigjesh ftesës së tij dhe kush bën dhuratë prej muslimanëve në këto festa në kundërshtim me zakonin e tij në ditët e tjera, nuk pranohet dhurata e tij nëse dhurata është prej atyre gjërave që ndihmojnë në përngjasim me ta. Gjithashtu myslimani nuk duhet të shesë gjëra që myslimanët i përdorin në përngjasim me ta sepse kjo është ndihmesë në punë të këqija”.
5- Të mos i urosh ata në këtë ditë.
Ibn El-Kajimi thotë: “Ndërsa përsa i përket urimit të festave të mohuesve të veçanta për ta, kjo është e ndaluar dhe për këtë janë dakord dijetarët. P.sh. ti urojë ata në ditët e festave apo agjërimeve duke u thënë: festë e begatë! Apo: gëzuar festën! Ai i cili e thotë këtë gjë nëse nuk ka mohuar, ka bërë një haram që është i barabartë me urimin e tij për atë që i bën sexhde kryqit, madje kjo është më e keqe dhe më e urryer se pirja e alkolit, vrasja e njeriut, imoraliteti dhe shumë prej atyre që feja nuk ka për ta rëndësinë e duhur dhe bien në këtë gjë pa e ditur poshtërsinë e saj. Ai i cili uron ndonjë njeri për ndonjë gjë që është kundërshtim, apo bidat, apo mohim është shfaqur para zemërimit të Allahut ndërkohë që njerëzit e devotshëm prej atyre që kanë dije i largoheshin urimeve të prijësve zullumqarë dhe urimit të injorantëve për postin e gjykatësit, mësuesit dhe myftiut për t’ju larguar zemërimit të Allahut dhe rënies nga syri i tij”.

Dr. Abdullah Nabolli
Loading...