A lejohet falja e xhumasë dy herë në të njëjtën xhami?

January 27, 2017

Pyetje: A lejohet falja e xhumasë dy herë në të njëjtën xhami, për shkak të numrit të madh të xhematit dhe mungesës së një xhamie tjetër afër, duke theksuar se pas mbarimit të xhematit të parë vjen një imam tjetër që i prin xhematit të dytë?

Përgjigje: Nuk lejohet falja dy herë e xhumasë brenda ditës në një xhami. Nuk dimë të ketë bazë në fe ky lloj veprimi. Parimi bazë i kësaj çështjeje është organizimi i një faljeje xhumaje në një vendbanim dhe nuk duhet të shumëfishohet falja e xhumasë në xhami të ndryshme përveçse kur vërtetë ka arsye të mirëqenë për diçka të tillë.

Psh largësia e konsiderueshme e njerëzve nga xhamia, apo mbushja plot e xhamisë së parë duke mos pasur më vend për të tjerë, apo ndonjë shkak tjetër i pranuar fetarisht, i cili e bën të lejuar faljen e xhumasë edhe diku tjetër.

Vëllezërit që pyesin, të kërkojnë një vend tjetër që i përshtatet vendndodhjes së xhematit të dytë dhe të organizojnë aty faljen e xhumasë, edhe nëse ai vend nuk është xhami e mirëfilltë, si psh ambjente private apo parqe apo sheshe publike në të cilat mund të merret leja e autoriteteve përkatëse për diçka të tillë.

(Komisioni i Përhershëm i Fetvave 8/262)

Përktheu Shuajb Rexha

Loading...