- Tema: Largimi prej risive dhe polemikave
43/45. (Sahih) Na ka treguar Suvejd bin Seid dhe Ahmed bin Thabit el-Xhehderijju se kanë thënë: Na ka treguar Abduluehab eth-Thekafijju: Nga Xhaferr bin Muhamed: Nga babai i tij: Nga Xhabir bin Abdullah se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur ligjëronte i skuqeshin sytë, e ngrite zërin e tij dhe i shtohej zemërimi sikur udhëheqësi që paralajmëron ushtrinë nga rreziku i armikut. Ai thoshte: “Do t’ju vijë armiku në mëngjes dhe në mbrëmje.” Dhe thoshte: “Jam dërguar unë dhe Kiameti si këta dy gishta duke treguar gishtin tregues dhe gishtin e mesit.” Pastaj thoshte: “E në vazhdim! Cështja më e mirë që gjendet mes jush është Libri i Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit. Cështjet më të këqija janë shpikjet në to dhe çdo risi (bidat) është humbje.” Dhe thoshte: “Kush lë pasuri, ajo i takon familjes së tij. Ndërsa kush lë borxhe apo familje shlyerja e borxhit dhe kujdestaria e tyre më takon mua.“[1]
44/47. (Sahih) Na ka treguar Muhamed bin Khalid bin Khidash se ka thënë: Na ka treguar Ismail bin Ulejjeh se ka thënë: Na ka treguar Ejjubi (ح). Dhe na ka treguar Ahmed bin Thabit el-Xhehderijju dhe Jahja bin Hakim se kanë thënë: Na ka treguar Abduluehab se ka thënë: Na ka treguar Ejjubi: Nga Abdullah bin Ebi Mulejkeh: Nga Aisha radijAllahu anha se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lexoi këtë ajet: “Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa ajete të të cilit janë plotësisht të kuptueshme, e ato janë baza e librit,[2] kurse (ajete) të tjera janë jo plotësisht të kuptueshme.[3]“[4] Deri te fjala e Allahut: “Por nuk marrin mësim veçse njerëzit që kanë mendje.” Dhe (Profeti alejhis-selam) tha: “O Aishe! Kur të shohësh ata që polemizojnë në lidhje me Kuranin, dije, se këta ka pasur për qëllim Allahu Lartësuar, prandaj bëj kujdes prej tyre.”[5]
45/48. (Hasen) Na ka treguar Ali bin el-Mundhiri se ka thënë: Na ka treguar Muhamed bin Fudajl (ح). Dhe na ka treguar Hautherah bin Muhamed se ka thënë: Na ka treguar Muhamed bin Bishr se kanë thënë: Na ka treguar Haxhaxh bin Dinar: Nga Ebi Galib: Nga Ebi Umameh se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nuk ka humbur ndonjë popull pas udhëzimit që ishin veçse janë marrë me polemikë.” Pastaj lexoi këtë ajet: “sepse janë popull grindavec.[6]“[7]
Përktheu Unejs Sheme
[1] Muslimi (867), Nesaiu (1578), “El-Irvau” (608) dhe “Tuhfeh” (2599).
[2] Tek të cilat kthehet çdo gjë e paqartë dhe me shumë kuptime. Të kësaj natyre janë shumica e ajeteve të Kuranit.
[3] Domethënien e tyre nuk e kuptojnë shumë njerëz, për shkak se domethënia e tyre është e përgjithshme, ose sepse u shkon në mendje diçka tjetër që nuk është për qëllim, etj.
[4] Al-Imran, 7
[5] Buhariu (4547), Muslimi (4598), Tirmidhiu (2994), “Dhilalul-Xhenneh” (5) dhe “Tuhfeh” (16236)
[6] Ez-Zuhruf, 58
[7] “Sahihu et-Tergib” (58), Tirmidhiu (3252) dhe “Tuhfeh” (4936)