A bëhet kurbani kur ndërtohet gjysma e shtëpisë apo kur përfundon ndërtimi i saj?

February 17, 2017

Është pyetur Shejh Bin Bazi, Allahu e mëshiroftë: A lejohet bërja e kurbanit kur ndërtohet gjysma e shtëpisë, apo kur plotësohet (përfundon) ndërtimi i saj?

Dhe është përgjigjur:  Ky veprim kërkon shtjellim. Nëse ka për qëllim mbrojten nga xhindët apo ndonjë qëllim tjetër nga i zoti i shtëpisë, se me bërjen e këtij kurbani ndodh kjo apo ajo gjë dhe se ai (kurbani) i mbron banorët e asaj shtëpie. Ky veprim nuk lejohet dhe konsiderohet prej risive në fe. Nëse (kurbani) bëhet për xhindët atëherë është shirk i madh (idhujtari), sepse është adhurim që bëhet për dikë tjetër përveç Allahut.

Por nëse (kurbani) bëhet si falënderim për Allahun, që i mundësoi ndërtimin e gjysmës së shtëpisë apo ndërtimin e çatisë dhe mbledh të afërmit apo komshinjtë (për të ngrënë nga kurbani), kjo është e lejuar.

Këtë e veprojnë shumë prej njerëzve në shenjë falënderimi dhe pohimi të mirësive që Allahu u ka dhënë, sepse i largoi ata nga qeraja dhe u mundësoi banesën (në pronën e tyre) pa qera. Apo siç bëjnë disa njerëz kur vijnë nga udhëtimi. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem kur vinte nga ndonjë udhëtim bënte kurban një deve dhe thërriste njerëzit në gosti. E transmeton Buhariu me nr. 3089.

“Fetvatë e Bin Bazit” 5/388.

Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Disa njerëz kur ndërrojnë shtëpi bëjnë kurban dhe thërrasin komshinjtë dhe të afërmit. Ky veprim lejohet dhe s’ka problem nëse nuk është i shoqëruar me ndonjë besim të prishur, siç ndodh në disa vende kur shkojnë në ndonjë shtëpi dhe e para gjë që bëjnë është të marrin një dash dhe ta therin në pragun e derës, me qëllim që gjaku të rrjedhë mbi prag. Dhe thonë: Kjo i pengon xhindët të hyjnë brenda kësaj shtëpie. Ky konsiderohet besim i prishur dhe nuk ka asnjë lloj origjine në fenë tonë.

Ndërsa therja e kurbanit në shenjë gëzimi nuk ka problem dhe është e lejuar.

 

Marrë nga libri: “Sherhul mumti” 7/550, 551.

Përktheu: Arjan Gazidede

Dosje:

Loading...