A dëgjojnë të vdekurit?

March 9, 2017

Dijetari i nderuar Ibën Uthejmini, Allahu e meshiroftë, është pyetur: Cili është mendimi më i saktë për dëgjimin e të vdekurve ?
Përgjigje: Më e sakta është ajo që kanë pohuar argumentet profetike dhe nuk kanë kurrfarë kundërthënie, siç është hadithi ku Profeti sal-lAllahu alejhi ve el-lem thotë: “Me të vërtetë, i vdekuri në momentin kur largohen njerëzit e tij (që e përcjellin) i dëgjon zhurmat e këpucëve të tyre.”

Po ashtu, është saktësuar nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem se ai ka qëndruar mbi kufomat e jobesimtarëve të vrarë në Bedër dhe i ka qortuar ashpër (duke u folur me emra). Në momentin kur sahabët i thanë: “Si u flet atyre (ndërkohë që janë të vdekur)? Ai u tha: Ata degjojnë më mirë sesa ju.”

Apo siç është përcjellë në hadithin tjetër: “Çdo musliman që i jep selam një të varrosuri që e ka njohur në dynja, Allahu ia kthen shpirtin me qëllim që ai të kthejë selamin.”

Pra, origjina është se ata nuk dëgjojnë sepse shpirtrat e tyre janë ndarë nga trupat. Por nga ana tjetër duhet të pohojmë atë që kanë shprehur hadithet, sepse besimi i fjalëve të Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është i detyrueshëm.

“Likau babul meftuh” 25/222.

Gjithashtu, Ibën Uthejmini ka thënë: Nëse supozojmë se ata (të vdekurit) dëgjojnë përsëri nuk munden t’iu sjellin dobi të tjerëve, në kuptimin se nuk kanë mundësi t’i luten Allahut për ta, të kërkojnë falje apo të ndërmjetësojnë.

E them këtë me qëllim që asnjëri prej adhuruesve të varreve të mos këtë mundësi të kapet pas këtyre fjalëve, dhe të thotë: “Përderisa ata dëgjojnë atëherë kjo tregon se janë prej evlijave të Zotit, prandaj u kërkojmë atyre që të luten tek Allahu apo të ndërmjetësojnë për ne.” Realisht kjo nuk ndodh aspak, sepse njeriut kur vdes i ndërpriten të gjitha punët përveç tri gjërave: Sadakaja rrjedhëse, dija prej të cilës përfitojnë njerëzit, dhe fëmija i mirë i cili lutet për të.

“Likau babul muftuh” 14/87.

Përktheu: Arjan Gazidede

Dosje:

Loading...