Nuk lejohet zhvarrosja e trupit vetëm se për ndonjë arsye të fortë. Ka thënë shejhu ynë Albani – Allahu e mëshiroftë: “Lejohet nxjerrja e të vdekurit nga varri për arsye të fortë, si për shembull nëse varroset para larjes dhe qefinosjes apo raste të ngjashme.”
Transmetohet nga Xhabir bin Abdullahi se ka thënë: “Erdhi Profeti -alejhi selam- tek Abdullah bin Ubej pasiqë u varros dhe e nxorri atë. Ai i fryu nga pështyma e tij dhe i veshi këmishën e tij.”[1]
Si duket kjo ka qenë para zbritjes së fjalës së Allahut të Madhëruar: “Mos u fal për ndonjërin prej tyre kur vdes kurrë dhe mos qëndro në varrin e tij.” Mbaroi fjala e shejhut tonë – Allahu e mëshiroftë.
Ka thënë Buhariu -Allahu e mëshiroftë- në “Sahihun” e tij: Çështja: A nxirret i vdekuri nga varri dhe lehdi për ndonjë arsye? Pastaj ka përmendur hadithin e Xhabir bin Abdullahit radiallahu anhuma i cili ka thënë: “Kur ishte lufta e Uhudit, më thirri babai im natën dhe më tha: Nuk e shoh veten vetëm se të vrarë dhe nga të parët që do të vriten nga shokët e Profetit -alejhi selam-, dhe unë nuk lë gjë pas më të çmuar se ty përveç Profetit -alejhi selam-. Unë kam borxh, ndaj shlyeje atë dhe sillu mirë me motrat e tua. Të nesërmen ishte i vrari i parë dhe me të u varros edhe një tjetër në varr, pastaj nuk ndihesha rehat ta lija atë me një tjetër në varr. E nxorra atë pas gjashtë muajsh dhe e gjeta si ditën që e kisha vendosur aty, me një ndryshim të vogël përveç veshit të tij.”
Në librin “El-Eleusat” thuhet: “Kanë rënë në kundërshtim dijetarët në lidhje me zhvarrosjen e atij që është varrosur pa u larë. Kanë thënë shumica e dijetarëve: Nxirret dhe lahet. Kështu ka thënë Maliku, Theuriu, Shafiu, vetëm se Maliku ka thënë: Përderisa nuk ka ndryshuar.
Kanë thënë hanefitë: Nëse vendoset në lehd pa u larë dhe pa ia hedhur dheun, nxirret, lahet dhe i falet namazi. Ndërsa nëse i kanë vendosur tullat (ose dërrasat) e varrit dhe i kanë hedhur varrin, nuk duhet ta nxjerrin të vdekurin nga varri i tij.
Ka thënë Ebu Bekri [ai është Ibën Mundhiri -Allahu e mëshiroftë-]: Nxirret dhe lahet përderisa nuk ka ndryshuar, siç ka thënë Maliku.”
Dhe mua me fjalët e Malikut dhe Ebu Bekrit më qetësohet zemra.
Ka thënë Ibën Hazmi -Allahu e mëshiroftë- tek çështja 559: “Kush nuk lahet dhe nuk i falet xhenazja derisa varroset, duhet të nxirret, të lahet e qefinoset patjetër.”
Në librin “Mexhmu el-Feteua” thuhet: “Ai -Allahu e mëshiroftë- u pyet për njerëz që kanë varreza[2] në një vend larg. Nëse vritet një njeri dhe ndërtojnë një varrezë tjetër, a lejohet zhvendosja e tyre në varrezat e reja apo jo?
Ai u përgjigj: Nuk zhvarroset i vdekuri për shkakun që u përmend, dhe Allahu e di më së miri.”
Kam pyetur shejhun tonë -Allahu e mëshiroftë- për fjalën e disa dijetarëve: Po të hapet varri dhe aty gjen kockat e mbetura të të vdekurit, a e ndërpret hapjen e varrit?
Ai tha: Unë këtë them. E pyeta: A lejohet gërmimi i varrit për të nxjerrë pasuri që është lënë në varr? Ai tha: Po. E pyeta: Nëse trupi i të vdekurit bëhet dhe, a mund të përdoret vendi për të mbjellë apo për gjë tjetër?
Ai u përgjigj: Kjo mund të ndodhë në një tokë të shkretë ku është varrosur një i vdekur dhe pastaj ky i vdekur është bërë dhe, në këtë rast të rrallë po. Nëse pyetja është për një të vdekur të caktuar në këtë rast të veçantë, përgjigjja është që lejohet. Por nëse varri është në varreza atëherë gjykimi ndryshon tërësisht. Me këtë përcaktim lejohet, përndryshe jo. I thashë: Po nëse e gjitha varreza është bërë dhe, a mund të përdoret ai vend?
Ai tha: Atëherë çështja merr përmasa të tjera. Varret në përgjithësi janë vakëf për të vdekurit e myslimanëve në kuptimin që tokën e varrezave nuk e posedon njeri, nuk mund ta blejë njeri sepse nuk ka pronar. Nga gabimet që janë përhapur është shitja e varreve. Kush është pronari i tyre? Përdorja e tokës së varrezave pasi njerëzit aty janë tretur nuk transmetohet lejimi apo ndalimi i saj nga ky prizëm. Po të thuhej se kjo varrezë është familjare (për një familje të veçantë) kjo tokë është pronë e tyre; nëse të vdekurit bëhen dhe, ata mund ta shfrytëzojnë atë për ndërtim shtëpie ose kopësht sepse ajo është pronë e tyre.
Këtu ka dy kushte: që të vdekurit të jenë tretur dhe toka të jetë e pronësuar.
Kam pyetur shejhun tonë -Allahu e mëshiroftë- për hadithin e Xhabir bin Abdullahit -radiallahu anhu- i cili ka thënë: “Erdhi Profeti alejhi selam tek Abdullah bin Ubeji pasi u fut në varr dhe urdhëroi që të nxirrej. U vendos në dy gjunjët e tij, i fryu nga pështyma e tij dhe Allahu e di më së miri.”[3] A përfitojmë nga kjo lejimin e nxjerrjes së të vdekurit?
Ai tha: A është i paprishur? – Unë i thashë: Sapo është varrosur.
Ai tha: Po lejohet. I thashë: Kjo lidhet me tretjen e trupit apo mostretjen e tij?
Ai tha: Po. Njëri nga vëllezërit tha: A lejohet zhvarrosja për shkaqe të tilla? Ai tha: Lejohet nëse mendon se trupi nuk është prishur.
Pyeta shejhun tonë -Allahu e mëshiroftë-: A mund të zhvendosen kockat mënjanë për të varrosur një tjetër të vdekur? Ai tha: Kjo mund të bëhet nëse ngushtohet vendi i varrezave.
“Enciklopedia e thjeshtuar e fikhut” i shejhut Husejn el Auajshe.
Përktheu: Teuta Xeka
——————————————————————
[1] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[2] Fjala duhet të jetë për varreza familjare.
[3] E transmeton Buhariu dhe u përmend më lart.
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures el Fatihah në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- Kur je duke u falur me xhemat! Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve