Përçarja e umetit islam 2 (Analizë akademike)

April 29, 2017

—–Pjesa e dytë—–

Përçarja në të vërtetën është rregull universal (i pandryshueshëm).

Termi universal në gjuhën e fesë ka për qëllim atë praktikë të pandryshueshme të Allahut që ndodh përherë.
Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Nëse do donte Zoti yt do t’i kishte bërë njerëzit një ymet të vetëm, por ata do vazhdojnë të jenë në kundërshtime. * Përveç atyre që i ka mëshiruar Zoti yt dhe Ai për këtë i ka krijuar. Do të plotësohet fjala e Zotit tënd: Do ta mbush xhehenemin me xhinë e njerëz së bashku.” | Suretu Hud: 118-119.
Allahu i madhëruar në këtë ajet njofton se ka mundësi të bëjë njerëzit një ymet, por këtë gjë nuk e ka dashur sepse ndryshe nuk do të dilte në pah vlera e të mirës dhe rahmetit dhe as do të dilnin në pah emrat dhe cilësitë e Tij të larta, si; falja, dënimi, mëshira, pranimi i pendimit etj.
Njerëzit do vazhdojnë të jenë në kundërshtime në lidhje me rrugën e drejtë, sepse disa prej robërve të cilët Allahu e ka ditur se ç’do punojnë para se të vijnë në këtë botë janë krijuar për atë punë, dhe me ta do mbushet xhehenemi.
Ajeti gjithashtu njofton për një grup të mëshiruar kur thotë: “Përveç atyre që i ka mëshiruar Zoti yt.” Imam Ibën Kethiri në komentimin e kësaj pjese të ajetit thotë: Përveç të mëshiruarve prej pasuesve të profetëve që u kapën pas asaj që janë urdhëruar nga feja për të cilën i kishin njoftuar profetët, dhe kështu ishte praktika e tyre derisa erdhi profeti Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. I fundit i të dërguarve dhe lajmëtarëve dhe ata që e ndoqën atë, e besuan, e përkrahën, e ndihmuan dhe kështu fituan lumturinë e dynjasë dhe ahiretit, dhe këta janë grupi i shpëtuar…. (këtu përmend hadithin e përçarjes).
Hadithi i përçarjes nuk është gjë tjetër veçse vërtetim i këtij ajeti dhe sqarues i tij, kur thotë se kjo përçarje ka ndodhur tek hebrenjtë, të krishterët dhe së fundi do të ndodhë edhe në ymetin tonë.

Shkaku i përçarjes së njerëzve në lidhje me të vërtetën.

Surja El Fatiha është prej sureve më të mëdha të Kuranit, madje fjala më e madhe e Allahut që ka zbritur në të gjithë librat qiellorë, siç ka thënë Profeti sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Pasha Atë që në dorën e Tij është shpirti im! Nuk është zbritur as në Teurat, as në Zebur, as në Inxhil dhe as në Furkan (emër prej emrave të Kuranit) si El Fatihaja. Ajo është shtatë ajetëshja që përsëritet dhe Kurani i madh që më është dhënë.” E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson shejh Albani.
Kjo sure përmban shumë sekrete, dhe një prej sekreteve të saj është edhe shkaku i humbjes së popujve. Kjo gjë fshihet tek dy ajetet e fundit të saj ku thuhet: “Na udhëzo në rrugën e drejtë. * Në rrugën e atyre që mbi ta ke hedhur mirësinë Tënde, jo në rrugën e atyre që fituan zemërimin Tënd dhe as në rrugën e të humburve.” | El Fatiha: 6-7.
Këto ajete përmendin një rrugë të drejtë që është rruga e Allahut dhe dy rrugë të shtrembra të cilat janë:
1- Rruga e atyre që i kapi zemërimi i Allahut, dhe këtu sipas mendimit të gjithë dijetarëve janë për qëllim hebrenjtë sepse ata e njohën rrugën e drejtë dhe nuk punuan me të.
Shejhu islam Ibën Tejmije thotë: Kush e njeh të vërtetën dhe nuk punon me të është ndjekës i epsheve.
Një hadith që është transmetuar nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që ka lidhje me këtë çështje lidh përçarjen e tyre me pasimin e epsheve, siç tregon Abdullah bin Mesudi se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Beni Israilët kur u larguan nga koha e profetëve shpikën një libër sipas dëshirave dhe fjalëve të gjuhëve të tyre. Libri i vërtetë ishte pengesë mes tyre dhe ndjekjes së dëshirave të tyre, derisa e hodhën atë pas shpine sikur të ishin injorantë. Ata thanë: Paraqiteni këtë libër para Beni Israilëve! Nëse ata ju pasojnë lërini, dhe nëse ju kundërshtojnë atëherë vritini! Pastaj thanë: Jo, por dërgojani filanit – një burrë prej dijetarëve të tyre. Nëse ai e pranon nuk do ta kundërshtojë njeri, dhe nëse ju kundërshton vriteni se nuk do t’ju kundërshtojë njeri pas tij. Ata ia dërguan atij dhe ai mori një letër, shkroi në të librin e Allahut e pastaj e futi në një brirë. E vari në qafë, veshi mbi të rrobat e shkoi tek ata. Ata ia paraqitën librin dhe i thanë: E beson këtë libër? Ai u tha duke bërë me shenjë nga kraharori – librin në brirë – dhe tha: Unë besoj në këtë. E pse mos ta besoj?! Dhe kështu e lanë atë. Ai kishte disa shokë që e vizitonin shpesh, dhe kur i erdhi vdekja ata ia hoqën rrobat dhe gjetën bririn dhe brenda tij librin. Ata thanë: A nuk e keni parë kur thoshte: ‘Unë besoj në këtë. E pse mos ta besoj atë?!’ Ai ka pasur për qëllim këtë libër që është në brirë. Kështu ranë në kundërshtim Beni Israilët duke u ndarë në shtatëdhjetë e ca grupe, ku më të mirët prej tyre ishin pasuesit e burrit të bririt.” E transmeton Bejhakiu dhe e saktëson shejh Albani.
Pra, pasimi i epsheve bëri një ymet si Beni Israilët me numrin më të madh të profetëve në dynja të humb rrugën e drejtë, prandaj dhe Allahu i madhëruar në Kuran thotë: “Mos ndiq epshet se kështu humbet nga rruga e Allahut.” | Sad: 26.
Shejhu islam IbënTejmije thotë: Pasimi i epsheve të bën të verbër dhe të shurdhër. Pasuesi i epsheve pranon atë gjë që i përputhet epshit të tij pa argument që fakton vërtetësinë e saj, dhe refuzon atë gjë që kundërshton epshin pa argument që fakton refuzimin e saj.

2- Rruga e atyre që humbën nga rruga e drejtë, dhe këtu pa asnjë kundërshtim mes komentuesve të Kuranit janë për qëllim të krishterët të cilët humbën rrugën e drejtë nga padija.
Shejhu islam Ibën Tejmije thotë: Të krishterët janë ymet që kanë humbur nga padija. Nuk gjen ndonjë të krishterë të sinqertë nga ana e brendshme dhe e jashtme veçse është i humbur dhe i padijshëm në lidhje me atë që adhuron dhe origjinën e fesë së tij. Nuk di kë adhuron dhe as si ta adhurojë duke pasur parasysh se disa prej tyre përpiqen shumë në adhurim, në asketizëm dhe në morale të mira.
Ibën Abasi tregon për përçarjen e të krishterëve në lidhje me Isain alejhi selam, dhe thotë: “Kur Allahu deshi ta ngrejë Isain për në qiell, ai doli te shokët e tij të cilët ishin dymbëdhjetë burra dhe koka e tij kullonte ujë, dhe u tha: Dikush prej jush ka për të më mohuar dymbëdhjetë herë pasi që më ka besuar. Pastaj tha: Kush do që t’i jepet pamja ime dhe të vritet në vendin tim, dhe të jetë me mua i barabartë (në grada në xhenet)? U ngrit një djalë më i riu prej tyre dhe tha: Unë. Isa i tha: Ulu, – dhe ua përsëriti pyetjen. Djali u ngrit prapë dhe tha: Unë. Isa tha: Po, ti do të jesh ai. Kështu ai mori pamjen e Isës dhe Isa u ngrit nga një rauzene (pjesë e hapur e murit që lihet për dritë apo për ajrosje) që ishte në shtëpi për në qiell. Pastaj vijnë hebrenjtë për ta marrë dhe marrin atë që i përngjante, e vrasin, e kryqëzojnë dhe njëri prej tyre e mohon atë dymbëdhjetë herë pasi që kishte besuar. Ata u përçanë në tre grupe dhe një grup tha: “Ishte mes nesh aq sa deshi Allahu, pastaj u ngrit për në qiell.” Këta janë jakubitë. Një grup tjetër tha: “Mes nesh ishte i biri i Allahut aq sa deshi, pastaj e ngriti Allahu për në qiell.” Këta janë nesturitë. Një grup tjetër tha: “Mes nesh ishte robi i Allahut dhe i dërguari i Tij, pastaj e ngriti Allahu lart.” Këta janë besimtarët. Dy grupet mohuese u ngritën kundër besimtarëve, i luftuan dhe i vranë, dhe feja e drejtë mbeti e harruar derisa Allahu dërgoi Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.” E transmeton Ibn ebi Shejbe, Nesai dhe Hakimi. E saktëson Hakimi, Dhehebiu dhe Ibn Kethiri, dhe e konsiderojnë atë sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit.
Të krishterët u përçanë në shumë grupe në lidhje me Mesihun alejhi selam, aq sa Imam El Karafi (dijetar i madh i Egjiptit i vdekur në vitin 684 H.) në një prej librave të tij përmend dhjetë kuvende të të krishterëve të mbledhura në periudha të ndryshme kohore si përpjekje për të përcaktuar natyrën e tij. Sa herë që mblidheshin ata bënin qafira njëri-tjetrin.
Këta njerëz u sprovuan me profetin e tyre duke pasur parasysh se ardhja e tij ishte mrekulli e Allahut. Gjatë jetës së tij pati disa mrekulli që ia kishte dhënë Allahu për të vërtetuar profetësinë e tij, dhe largimi i tij nga kjo botë po ashtu ishte mrekulli e Allahut si shumë mrekulli të tjera të ndodhura me profetët gjatë historisë së njerëzimit. Allahu nëse nderon dikë me një mrekulli nga ana e Tij nuk do të thotë se ai është i barabartë me të, mirëpo injoranca është errësirë dhe ata nuk e njohën asnjëherë realitetin e këtij profeti. Errësira e injorancës nuk të jep mundësi të shohësh të vërtetën sepse shikimi i së vërtetës ka nevojë për dritën e dijes e cila largon errësirat e injorancës.

Pasimi i epsheve dhe injoranca mund edhe të bashkohen, madje në përgjithësi ato shkojnë bashkë. Çdo injorant është ndjekës i epshit sepse ai nuk po ndjek dije por atë që ia zbukuron mendja, dhe në këtë pikë barazohet me ndjekësin e epshit. Çdo ndjekës i epshit është injorant sepse nuk e vlerëson dijen, prandaj dhe Musa alejhi selam kur i urdhëroi Beni Israilët për të therur lopën e ata e morën për tallje, tha: “Unë kërkoj mbrojtjen Tënde që të mos jem prej injorantëve!” | El Bekare: 63. Ndoshta kjo e ka bërë Ibën Kethirin të thotë: Edhe hebrenjtë edhe të krishterët janë të humbur dhe Allahu është i zemëruar me ta, por karakteristikë dalluese e hebrenjve është zemërimi i Allahut me ta dhe karakteristikë dalluese e të krishterëve është humbja.

Vijon…

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

Dosje:

Loading...