Disa rregulla që kanë të bëjnë me suksesin

May 24, 2017

Ky takim ka për qëllim të vendosë përpara të rinjve disa modele suksesi dhe t’i bëjë të kuptojnë se cilat janë mjetet me të cilat arrihet tek ai. Këtu duhet bërë një parathënie e domosdoshme e cila do të na ndihmojë të kuptojmë realitetin e suksesit.

Së pari duhet kuptuar se ka një dualizëm mes pjesëve të të cilit nuk ka lidhje të domosdoshme, dhe kjo duhet të jetë në qendër të vëmendjes së kujtdo që dëshiron suksesin. Nuk është kusht që patjetër çdo sukses të shoqërohet me përsosmëri. Kjo sepse disa mendojnë se nuk mund të jetë njeriu i suksesshëm vetëm nëse është i përsosur dhe i plotësuar. Ky rregull nuk ka bazë as në sheriat, as në logjikë e as në praktikën jetësore. Sepse suksesi, qoftë i pjesshëm apo i plotë, në çdo rast ai quhet sukses. Allahu i Madhëruar u dha suksesin e madh profetëve – ulul azmit (pesë të zgjedhurve) dhe të tjerëve në përgjithësi – duke i udhëzuar njerëzit nëpërmjet tyre, por megjithëkëtë ata nuk ishin të një grade. Për këtë i Lartësuari thotë: “Ata ishin të dërguar dhe disa prej tyre i ngritëm dhe i privilegjuam mbi të tjerët. Kështu pati prej tyre që Allahu u foli, dhe disa prej tyre (Allahu) i ngriti lart…” | Suretu El Bekare: 253 |

Këta modele dhe shembuj të mëdhenj, d.m.th. të dërguarit, korrën sukses dhe e përcollën mesazhin e Allahut por nuk ishin në një gradë. Allahu i bëri ata të ndryshëm në këtë aspekt me qëllim që të kuptosh se suksesi i plotë nuk nënkupton përsosmërinë e plotë.

(Duke zbritur në gradën e njerëzve të tjerë pas profetëve) Njeriu mund të jetë i suksesshëm por ka disa anë të mangëta. Mund të jetë i suksesshëm në një fushë të caktuar, ndërsa në fusha të tjera nuk është i suksesshëm dhe nuk është i mirë në to. Prandaj ky rregull duhet të jetë i qartë në mendjen e çdo të riu: Nuk është kusht që të jesh i plotësuar (i përsosur) për të qenë i suksesshëm, sepse ka suksese dhe suksese të shoqëruara me mangësi (në fusha të tjera).

Së dyti: Suksesi është lehtësim prej Allahut të Lartmadhëruar siç ka ardhur në fjalën e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Punoni, sepse çdokujt do t’ lehtësohet ajo për të cilën është krijuar.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi. Ty do të të lehtësohet diçka. Allahu i ka krijuar njerëzit të ndryshëm, të lloj-llojshëm, të ndryshëm në aftësitë e tyre e për pasojë të ndryshëm edhe në rezultatet që vijnë prej aftësive të tyre. Të mençurit dhe njerëzit me eksperiencë gjatë historisë thonë: “Nuk ka njeri që s’ka mundësi të jetë i suksesshëm.” Me fjalë të tjera: Çdo njeri ka mundësi të jetë i suksesshëm por në aftësitë që ai ka (sh.p. në prirjet, talentin, dhuntitë që ka). Prandaj edhe suksesi duhet të jetë plotësues (sh.p. suksese të ndryshme plotësojnë suksesin e përgjithshëm të shoqërisë) dhe nuk mund të jetë fotokopje e përsëritur tek të gjithë njerëzit. Babai është i suksesshëm në një fushë të caktuar, ashtu duhet të jenë edhe bijtë e tij (në të njëjtën fushë) përndryshe nuk janë të suksesshëm. Ky është një mendim i gabuar. Është mendim shumë i gabuar nga ana edukative por edhe në aspektin e vënies në punë të talenteve të ndryshme tek njerëzit (bëhet pengesë në këtë aspekt). Dikush është i suksesshëm në kërkimin e diturisë fetare dhe të tjerët që nuk janë të tillë ai i mendon si të pasuksesshëm. (Sh.p. Kjo është gabim përsëri sepse njerëzit mund të shkëlqejnë dhe të ndihmojnë shoqërinë me talentet e tyre në fusha të tjera të rëndësishme dhe të nevojshme për të, pa të cilat nuk bëjnë dot).

“Punoni, sepse çdokujt do t’i lehtësohet ajo për të cilën është krijuar”. Misioni ynë është përpjekja për arritjen e suksesit dhe këtë duhet ta bëjmë duke nxjerrë në pah talentin që ka çdo i ri . Më pas ai të aktivizohet dhe të nxitet të punojë për atë që është krijuar, sepse aty ai mund të arrijë sukses. Duhet që suksesi (siç thamë) të jetë plotësues dhe i lloj-llojshëm në umet me qëllim që ai të jetë një umet i fortë.

Së treti: Njeriu duhet të përpiqet dhe të punojë sepse nuk ka sukses pa përpjekje dhe punë. Të përpiqesh në atë që të është bërë e lehtë. Nëse shikon në vetvete se ke pasion dhe aftësi për diçka të caktuar dhe shikon se e bën mirë atë, duhet të përpiqesh të japësh maksimumin aty përndryshe nuk do të kesh sukses. Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Kushtoji vëmendje asaj që të bën dobi” (sh.p. këtu të vjen ndër mend këshilla e artë e udhëheqësit të besimtarëve Umer ibën Hatabit radijAllahu anhu: Kujt i është dhënë bereqet në diçka le të kapet fort pas saj). Nëse nuk i kushton rëndësi asaj që të sjell dobi nuk do të arrish sukses as në dynja e as në ahiret. Në Xhenet hyn me mëshirën dhe mirësinë e Allahut të Lartmadhëruar ai që e ka ndihmuar Allahu dhe tregohet i vëmendshëm ndaj asaj që i bën dobi në ahiret. Po ashtu edhe në dynja nëse i kushton rëndësi asaj që të bën dobi në të duke përcaktuar pikësynimin tënd, pikën ku dëshiron të arrish do ta arrish me lejen e Allahut. Pra duhet të përpiqesh për atë që të bën dobi. “Përpiqu për atë që të bën dobi.” Përtacia apo të shkosh pas asaj që nuk të sjell përfitime është pengesë. E kundërta e përpjekjes është dembelizmi. Nëse nuk ka përpjekje suksesi do të jetë i dobët. Nëse shtohen përpjekjet shtohet edhe suksesi me lejen e Allahut të Madhëruar.

Të përpiqesh për atë që të sjell dobi dhe jo për atë që nuk të sjell dobi. Nëse përqëndrohesh tek ajo që të sjell përfitim dhe fokusohesh aty, me lejen e Allahut do të kesh sukses. Rrugëtimin e çdonjërit prej nesh e cakton Allahu i Madhëruar, pra nuk është prej njeriut por prej Allahut të Lartësuar, dhe Ai i lehtëson shkaqet për të ecur në rrugën e suksesit. Allahu shikon nëse njeriu ecën në këtë rrugë që Ai i dha talent dhe aftësi të eci, apo nuk ecën në atë rrugë dhe i lë pas dore dhuntitë dhe aftësitë e tij. Nëse të ka dhënë Allahu aftësi, të çfarëdo lloji qofshin ato, dhe ti i neglizhon dhe nuk i vë në punë, atëherë ti je shkaku i mbetjes tënde mbrapa sepse nuk ke përdorur dhuntinë që të është dhënë. Dhuntitë janë të lloj-llojshme. Sahabët, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, ishin të ndryshëm. Katër halifët e drejtë ishin prej sahabëve dhe ishin të suksesshëm. Kënduesit e Kuranit ishin prej sahabëve dhe ishin të suksesshëm. Ata që merreshin me tregti ishin sahabë dhe ishin të suksesshëm. Zdrukthtarët që ndërtuan xhaminë e Profetit sal lall-llahu alejhi ue sel-lem dhe mbinberin e tij, ishin sahabë dhe ishin të suksesshëm. Ata që përgatisnin ushtarët ishin sahabë dhe të suksesshëm. Ata që punonin në shërbim të shoqërisë që gjenin dhe sillnin ujin, ishin sahabë të suksesshëm. “Prandaj kushtoji rëndësi asaj që të bën dobi”.

Ministri i fesë së Arabisë Saudite dhe dijetari i madh shejh Salih ibën Abdulaziz Al esh Shejh, Allahu e ruajtë dhe na bëftë dobi me të!

Përktheu: Emin Bilali

Loading...