Hyrje në historinë e Profetit

May 24, 2017

Takimi ynë në këtë ditë, në dashtë Allahu i Madhëruar, do të jetë me vargun më të ri të këshillave me temë: Muhamedi, i dërguari i Allahut. Qëndrime edukative nga historia e të dërguarit të Allahut dhe shokëve të tij të ndershëm, në të cilën ka mësime, këshilla dhe shembuj.

Këtë temë e zgjodhëm nga libri i Zotit tonë, nga thënia e Tij: “Muhamedi është i dërguari i Allahut. Ata që janë me të janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete. Ti i sheh ata kah përulen duke rënë me fytyrë në tokë e kërkojnë prej Allahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësi ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat dhe gjurmët e sexhdes. Përshkrimi i cilësive të tyre është në Teurat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet dhe trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet. Ajo e mahnit mbjellësin për t’ua shtuar me të mllefin jobesimtarëve. Allahu atyre që besuan dhe bënë vepra të mira u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.”

Ky ajet është ajeti i fundit i sures Fet’h, në të cilin Allahu i thotë të dërguarit të Tij: “Ne ta kemi hapur kraharorin me një hapje të qartë.” Sot pra do të fillojmë këtë varg këshillash. Kjo është dita e parë e vitit hixhri 1423.

Kjo ditë na kujton hixhretin e Profetit alejhi selam nga Meka për në Medine me qëllim që të formonte shtetin Islam në Medine, nëpërmjet të cilit u hapën zemrat e robërve dhe vendeve ku shkelën. Me këtë rast e lusim Allahun e Lartësuar, Ai ka mundësi për t’u përgjigjur, ta bëjë këtë varg këshillash shkak për shpërnguljen e muslimanëve drejt Zotit të tyre. Për ta adhuruar vetëm Atë dhe të mos i shoqërojnë Atij asgjë. Ti drejtojë tek vepra dhe praktika e të dërguarit të tyre, të ndjekin vetëm atë dhe të largohen nga bidatet dhe trillimet. Të kthehen në rrugën e sahabëve dhe t’i lënë rrugët e shkurtra në krye të të cilave qëndron një shejtan që i thirr njerëzit për tek ajo. Të jetë kjo shkak për triumfin e qartë dhe fitoren e muslimanëve ndaj armiqve të fesë. Me të vërtetë, Ai ka mundësi për këtë.

Në këtë ajet të bekuar: “Muhamedi është i dërguar i Allahut, dhe ata që janë me të…”

Allahu i Madhëruar e lavdëron Profetin alejhi selam dhe shokët e tij të ndershëm. Në thënien e Tij: “Muhamedi është i dërguari i Allahut”, Ai na lajmëron se Muhamedi është i dërguari i Tij. Me të vërtetë dhe pa asnjë dyshim ai është vula e të dërguarve dhe profetëve, dhe nuk do ketë pas tij as profet e as të dërguar.

Në thënien e të Madhëruarit:”Dhe ata që janë me të janë të ashpër ndaj jobesimtarëve dhe të mëshirshëm mes veti.” Allahu i lavdëron shokët e Profetit alejhi selam për sjelljen e tyre të fortë ndaj jobesimtarëve, dhe sjelljen me mëshirë dhe butësi ndaj besimtarëve. Pra, me jobesimtarin i cili është armik i Allahut dhe të dërguarit të Tij duhet të jesh i fortë. Ndërsa ndaj besimtarit i cili është i kënaqur me Allahun si Zot, Islamin si fe dhe Muhamedin si të dërguar, duhet të sillesh me mirësi, mëshirë, dashuri dhe butësi.

E si jo kur Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër.”  Vëllazëria është një lidhje e fuqishme që lidh besimtarët me njëri-tjetrin.

Profeti alejhi selam na tregon për këtë lidhje të fortë kur thotë: “Besimtari për besimtarin është si ndërtesa e cila përforcon njëra-tjetrën.” Ai kryqëzoi mes gishtave të tij dhe tha: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën, dhe sjelljen e mirë mes tyre është si shembulli i trupit. Nëse një pjesë e tij ankohet, i gjithë trupi ndien dhimbje dhe rri pa gjumë.”

Nëse shikojmë gjendjen e muslimanëve në kohët e sotme na tregohet komplet e kundërta, përveç atij që ka mëshiruar Allahu: Të mëshirshëm me jobesimtarët dhe të ashpër me njëri-tjetrin. Të Allahut jemi e tek Ai do të kthehemi.

Në thënien e të Madhëruarit: “I sheh ata kur bien në ruku dhe sexhde sesi kërkojnë mirësi nga Allahu dhe kënaqësi.” Pasi na i bëri të qartë sjelljen e sahabëve me krijesat, Allahu na tregon gjithashtu si silleshin ata me Krijuesin. Ata afrohen tek Allahu me punë të mira: “I sheh ata në ruku dhe në sexhde.” Në një ajet tjetër: “E që për hir të Zotit të tyre e kalojnë natën duke i bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë.” Çfarë duan me këtë adhurim? “Shpresojnë mirësi nga Allahu dhe kënaqësinë (e Tij).” Pra, me adhurimin e tyre kërkojnë fytyrën e Allahut, kënaqësinë e Tij dhe Xhenetin.

Besim i sinqertë, vepra të mira dhe sinqeritet për Allahun e Madhëruar. Kjo u shfaq në fytyrat e tyre. Allahu thotë: “Shenjat në fytyrat e tyre nga gjurmët e sexhdes.”

Shikoje një person në namazin e sabahut i cili qëndron për hir të Allahut në sexhde apo në këmbë, e sheh sesi lartësohet drita (shtohet) në fytyrën e tij. Dhe shiko tek një burrë tjetër që e lë namazin, ha kamatën, vazhdon në gjynahe ndaj Allahut. Në fytyrën e tij shikon errësirë dhe poshtërim.

Më pas, Allahu na lajmëron se shembulli i sahabëve përmendet edhe në Teurat para se ai të keqinterpretohej. “Ky është përshkrimi i cilësive të tyre në Teurat dhe po ky përshkrim është edhe në Inxhil. Ata janë si një farë e mbjellë ku mbin filizi i vet, e ai trashet, përforcohet dhe qëndron në trungun e vet.” Shiko tek bimët sesi e fillojnë zhvillimin e tyre: të vogla, pastaj rriten, pastaj nxjerrin filiza, sytha, pastaj japin fryte dhe e mahnitin mbjellësin.

Sahabët në fillim ishin pak e pastaj u shtuan, u bënë të fuqishëm, dhe më vonë krijuan shtet. Me të gjitha këto që arritën i mërzitën jobesimtarët dhe çliruan botën nga lindja e deri në perëndim. Për këtë Allahu u premtoi falje dhe shpërblim të madh. Allahu i Madhëruar thotë: “Atyre që besuan dhe bënë vepra të mira Allahu u premtoi falje të mëkateve dhe shpërblim të madh.”

 

Marrë nga libri: “Subulus selam fi sirati Hajril Enam”.

Shkroi: Ebu Islam Salih Taha

Loading...