Përdorimi i misvakut

July 2, 2017

Transmetohet nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Sikur mos ta rëndoja popullit tim do t’i kisha urdhëruar të përdornin misvakun në çdo abdes.” E ka nxjerr Maliku, Ahmedi dhe Nesaiu. E ka saktësuar Ibën Huzejme.

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka thënë: Abdesi ka sunete, farze dhe vaxhibe për të cilat do vijë sqarimi më poshtë. Prej suneteve të abdesit është dhe përdorimi i misvakut prandaj ka ardhur në hadithin e Ebu Hurejrës (radijAllahu anhu) me të cilin autori ka filluar: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Sikur mos ta rëndoja popullit tim do t’i kisha urdhëruar të përdornin misvakun në çdo abdes.”

Për inkurajimin e përdorimit të misvakut kanë ardhur shumë hadithe. Shpjeguesi në librin Subulus-Selam thotë se ato arrijnë numrin e njëqind haditheve. Prej këtyre haditheve është dhe fjala e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Misvaku është pastrim për gojën dhe kënaqësi për Zotin.” Hadith autentik. E ka nxjerr Ahmedi (7), Nesaiu (1/10) dhe Ibën Maxhe (289).

Po ashtu ka ardhur në një hadith autentik se përdorimi i misvakut është prej cilësive (veçorive) të fitras dhe prej sunete të profetëve. E ka nxjerr Muslimi (261).

Përdorimi i misvakut është sunet i fortë ku inkurajohet përdorimi i tij. Përdorimi i misvakut është i lejuar gjithmonë (në çdo kohë), por në pesë raste përdorimi i tij është më i fortë:

E para: Kur merr abdes. Siç përmendet në hadithin e temës.

E dyta: Në fillim të namazit. Pëlqehet që personi ta përdorë misvakun me qëllim që të futet (lidhet) në namaz me aromë të këndshme.

E treta: Kur ngrihesh nga gjumi ngase në kohën që njeriu ngrihet nga gjumi era e gojës së tij ka ndryshuar. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur ngrihej nga gjumi gjëja e parë që bënte ishte përdorimi i misvakut.

E katërta: Kur lexon Kuran. Pëlqehet që personi ta përdorë misvakun para fillimit të leximit të Kuranit me qëllim që goja e tij të aromantizohet për fjalët e Allahut të Lartësuar dhe prezantimit të engjëjve. Engjëjt prezantojnë në vendet ku lexohet Kurani dhe ata (engjëjt) lëndohen nga ajo që lëndohet dhe njeriu.

E pesta: Kur ndryshon era e gojës. Ashtu siç pëlqehet përdorimi i misvakut për atë që nuk agjëron po ashtu pëlqehet përdorimi i tij dhe për agjëruesin.

Në hadith ka argument se përdorimi i misvakut nuk është detyrë (vaxhib). Kjo është fjala e shumicës së dijetarëve.

Shkëputur me disa shkurtime nga libri: “Tes’hilul ilmam bifik’hil ehadith min bulug el-meram”, vëll. 1.

 

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...