Hytbja e parë:
Çdo lavd dhe falënderim i takon Allahut, të Butit, Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të madh të pendimit i Cili është i ashpër në ndëshkim! E lavdëroj dhe i jam mirënjohës Atij që është i përsosur e që gjithmonë njihet për të mirat e pashtershme dhe bujarinë e pakufishme!
Është Ai që e zhduk mjerimin, i fal gjynahet, i ndihmon të brengosurit, i dërgon shenjat dhe paralajmërimet e Veta vetëm për të frikësuar. Dëshmoj se nuk ka Zot (që meriton të adhurohet) përveç Allahut të Vetëm e të Pashoq. Dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij. Ai e ka sjellë lajmin e mirë dhe ka paralajmëruar, ka udhëzuar, ka tërhequr vëmendjen për të qenë të kujdesshëm, dhe ka treguar rrugën e mbarë e të pastër prej së cilës devijojnë vetëm të shkatërruarit. Allahu i dhëntë mëshirë, paqe dhe bekim atij, familjes, shokëve të tij, si dhe ndjekësve të tyre në të mira deri në Ditën e Gjykimit!
O robër të Allahut! Kijeni frikë Allahun, respektojini urdhërat e Tij dhe kini kujdes nga zemërimi i Tij! O vëllezër! Këndvështrimi materialist tashmë sundon tek shumë nga bijtë e kësaj kohe, prandaj ata nuk bëjnë më dot lidhjen e saktë midis shkaqeve e pasojave dhe nuk e kuptojnë raportin midis veprave dhe pasojave të tyre. Në vendet islame është rritur një kategori njerëzish që janë të dhënë pas pasioneve e papunësisë. Ndërkohë aty ka marrë jetë edhe një kategori tjetër të cilën e kanë vënë përfund dyshimet që vijnë nga lindja dhee perëndimi, duke bërë që ata të mos i kuptojnë ligjësitë e Allahut dhe ta kujtojnë dyshimin për argument. Ata kujtojnë se armiqtë e Allahut thonë vetëm të drejtën dhe bëjnë vetëm të mira ose veprojnë drejt.
Atyre u thuhet: O muslimanë! Bota sot sundohet nga stuhi shkatërrimtare, vërshimet përmbytëse dhe tërmetet rrënuese. Këtu mund të shtojmë edhe luftërat e nxehta zjarri i të cilave nuk shuhet; sëmundjet shfarosëse që kanë prekur njerëzit, bimët dhe kafshët që nuk gjendeshin tek brezat e mëparshëm; katastrofat e tmerrshme dhe përçarjet e frikshme.
Në të vërtetë, ligjet e Allahut të Plotfuqishëm e të Lartësuar nuk lejojnë që kriminelët të mos marrin ndëshkimin e merituar, prandaj çfarë presin neglizhentët?!
O vëllezër për hir të Allahut! Të këqijat dhe katastrofat vijnë vetëm për shkak të mëkateve dhe mosbindjes (ndaj Allahut). Ishte kjo mosbindje me anë të së cilës shejtani e këmbeu besimin me fe-mohimin, afërsinë me largimin, mëshirën me mallkimin dhe xhenetin me zjarrin përvëlues të Xhehenemit.
Popullin e Nuhut e zuri përmbytja; fisi Ad u shkatërrua nga era e fuqishme, kurse fisi Themud nga një ulërimë e tmerrshme; popullit të Lutit iu kthyen përmbys shtëpitë dhe Allahu pjesën e sipërme të qytetit të tyre e ktheu poshtë, e më pas lëshoi mbi ta një shi gurësh prej baltës së pjekur, një shi të keq për popullin e paralajmëruar. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet: Disave u dërguam furtunë, disa syresh i goditi një zë i tmerrshëm, disa prej tyre i gëlltiti toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi por ata i bënë padrejtësi vetvetes.” (El-Ankebut: 40)
Njëmend, ky është realiteti kumbues: “Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet”. Këto janë gjynahet dhe këto janë pasojat e tyre të cilat nuk janë larg prej keqbërësve.
Po u shfaqën mëkatet në një vend patjetër që do ta shkatërrojnë atë; po i zotëruan zemrat patjetër që do t’i verbojnë ato; po u përhapën në një popull, patjetër që do ta poshtërojnë atë dhe nuk do t’i ndahen derisa t’i lenë shtëpitë të zbrazëta.
O muslimanë! Është e sigurt se gjynahet kanë ogurin e vet të keq dhe pasoja në shpirt dhe familje, në tokë e në det, ato i çorientojnë pasionet dhe e prishin ajrin. Për shkak të mëkateve njerëzit bëhen të parëndësishëm për Zotin e tyre dhe Ai ua heq frikën e nderimin për Të nga zemrat e tyre. Allahu i Lartësuar ka thënë: “E atë që e poshtëron Allahu askush nuk mund ta bëjë të nderuar.” (El-Haxh: 18). Hasan Basriu ka thënë: “Ata u bënë të parëndësishëm për Të prandaj nuk iu bindën, ngase po të ishin të shtrenjtë për Të Ai do t’i mbronte.” Imam Ahmedi ka përcjellë në librin e tij El-Musned prej Abdurrahman Ibn Xhubejr Ibn Nefirit, se i ati i tij ka thënë: “Kur fituam Qipron pashë Ebu Derdanë të ulur vetëm duke qarë, dhe i thashë: I mjeri ti o Ebu Derda, përse qan në një ditë kur Allahu e ka lartësuar Islamin dhe ndjekësit e tij?! Ai më tha: I mjeri ti o Xhubejr! A e di sa të parëndësishëm janë njerëzit për Allahun nëse lënë pas dore fenë e Tij? Ja, ky ishte një popull i fuqishëm sundues dhe kishte një mbret, por ata lanë pas dore fenë e Allahut dhe tani shih se si përfunduan!”
Fajet dhe mëkatet shkaktojnë shqetësime, brenga dhe komplekse psikike. Ato janë burimi i dobësisë, përtesës dhe i përhapjes së papunësisë. Prej këtu nisin pastaj burracakëria, koprracia, pesha e borxheve dhe nënshtrimi para njerëzve. Për shkak të tyre zhduken begatitë dhe vendin e tyre e zënë dënimet, shëndeti ndërpritet dhe nxitet zemërimi i Allahut. Nëse njeriu bie pre’ e sprovës së mëkateve, zemra e tij bëhet e huaj, lidhja e tij me njerëzit e mirë dobësohet dhe besimtarët e devotshëm nga familja e të afërmit e tij do të sillen ftohtë me të, aq sa njëri nga muslimanët e parë të mirë ka thënë: “Kur nuk I bindem Allahut, e shoh këtë gjë në sjelljen e gruas dhe të kafshës sime”.
Kush kryen mëkate në mënyrë të vazhdueshme fillon të gjejë në zemër afërsi dhe pranim të tyre. Nëse kjo gjendje do të vazhdojë edhe më tej, njeriut i largohet nga zemra çdo ndjenjë neverie nga mëkatet dhe do të fillojë t’i kryejë ato haptazi. Shumica e këtyre njerëzve më pas nuk shërohen më, siç thuhet në një hadith: “Të gjithë ndjekësit e mi do të shërohen përveç atyre që i shpallin mëkatet haptazi. Një nga mënyrat e shpalljes së mëkateve është që njeriu të bëjë një mëkat natën, dhe në të gdhirë kur Zoti t’ia ketë mbuluar këtë vepër ai të tregojë: ‘O filan, mbrëmë bëra kështu e ashtu’. Pra, ky fjeti duke ia mbuluar Zoti mëkatin dhe u gdhi duke e hequr mbulimin që i kishte bërë Allahu.” (Hadith i përcjellë nga Buhariu dhe Muslimi.)
Shpallje e mëkatit është edhe kur tregtari u tregon shokëve të tij se si ia ka hedhur ndonjërit në shit-blerje, duke e konsideruar këtë zotësi dhe zgjuarsi. Shpallje e mëkatit është që i shthururi të përmend veprat e veta të shthurura dhe imorali të përhap imoralitetin e tij. Mëkatim të hapur përbëjnë edhe pamjet e turpshme dhe fjalët që cënojnë nderin. Ky është një kapitull i gjerë i kësaj fatkeqësie, në përhapjen e së cilës një pjesë të madhe faji kanë mjetet e informimit.
Një nga fatkeqësitë më të mëdha është që i dënuari të mos e ndiej dënimin, madje më e rëndë se kjo është që ai të ndiej kënaqësi me belanë dhe ndëshkimin që i kanë rënë. Kështu ai gëzohet me pasurinë e ndaluar, lumturohet kur arrin të kryejë një mëkat, dhe bëhet shend e verë kur i shton gjynahet. Një njeri i tillë kur do të mundet të arrijë të bëjë ndonjë vepër të mirë?! Kur mbulesa e mëkateve që rrethojnë zemrën trashet e bëjnë atë që të humbasë xhelozinë për familjen dhe gratë e tij, kështu që ai nuk i qorton veprat e shëmtuara dhe nuk i quan ato të këqija. Mjafton të përmendim këtu brinarin i cili e lejon imoralitetin në familjen e vet; një njeri i tillë është një nga krijesat më të liga të Allahut dhe xheneti është i ndaluar për të me hadith të të Dërguarit të Allahut (SalAllahu alejhi ue selem).
Mëkat pas mëkati, rruga e veprave të mira ndërpritet dhe shtegu i mirësive bllokohet; më pas zemra ashpërsohet dhe shpirti ngurtësohet e në këtë mënyrë largohet nga pendimi i sinqertë. Tregues për këtë është fakti se shumë mëkatarë të mëdhenj llomotisin fjalë pendimi dhe kërkojnë falje me gojët e tyre, ndërsa zemrat e tyre as nuk duan t’ia dinë por ngulmojnë në mëkate shkatërruese. Kjo është një nga sëmundjet më të mëdha.
O besimtarë! Në shumë shoqëri është përhapur; kamata, zinaja, konsumi i alkoolit dhe pijeve dehëse dhe përdorimi i drogave; është shtuar fitimi i ndaluar, hilet janë bërë të shumëllojshme, dëshmi të rreme, betime të gënjeshtërta, gjyqe të padrejta, zërat e veglave muzikore janë ngritur lart, sjelljet e ulëta dhe zakone të shëmtuara janë përhapur në radhët e të rinjve dhe të rejave. Deri kur do të zgjasë kjo shkujdesje ndaj ligjeve të Allahut?! Allahut i kërkojmë të na mbrojë nga siguria prej kurtheve të Tij. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kjo ndodh se Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre.” (El- Enfal: 53)
Kur një komb është i pavëmendshëm ndaj ligjeve të Allahut, e pastaj zhytet në epshe dhe humbet rrugën derisa të përfundojë në një situatë tragjike, atëherë pikërisht ky është ligji i Allahut kur përhapen të këqijat dhe jeta bazohet mbi faje dhe mëkate. Pa dyshim se shthurja morale, përhapja e prostitucionit, rendja pas qejfeve dhe luksit është rrugë me pasoja të këqija, sepse shpirtrat veniten dhe ushqehen me degjenerim, i shpërfillin vlerat, nuk kanë më dinjitet dhe i vënë vizën nderit dhe gjërave të shenjta. Në këtë mënyrë përhapen veprat e turpshme, bien vlerat e larta dhe kombi shthuret, plogështohet, humbet forcën e tij dhe elementet e mbijetesës, si dhe shkatërrohet duke mbyllur përfundimisht faqen e tij të historisë. Para Allahut shkatërrohen vetëm ata që e meritojnë, prandaj kijeni frikë Allahun, Allahu ju mëshiroftë! E vërteta është e ndritshme dhe feja është e qartë, prandaj mësojini ligjet e Allahut dhe kini kujdes nga siguria prej të papriturave të Allahut.
O Allah! Na i pakëso gabimet, na i fal lajthitjet dhe shtrije butësinë Tënde mbi ata që nuk shpresojnë tek askush tjetër përveç Teje! O Allah! Na merr në mbrojtje me mëshirën Tënde dhe na largo nga veprat e turpshme, qofshin ato të hapta apo të fshehta! Largoji ato nga vendi ynë dhe nga të gjithë vendet e tjera islame o Zot i botëve! E‘ûdhu bil-lâhi minesh shejtânirr rraxhîm. Allahu i Lartësuar thotë: “Sa herë që çonim të dërguar në ndonjë vendbanim Ne i dënonim banorët e tij me skamje dhe sëmundje, në mënyrë që të përuleshin. Pastaj ua shndërronim fatkeqësinë në lulëzim. Por kur shtoheshin e begatoheshin, ata thoshin: “Edhe etërit tanë i patën goditur hidhërimet e gëzimet”. Kështu që Ne i dënonim papritmas pa e marrë vesh ata. Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan prandaj i dënuam për atë që bënë. A janë të sigurt banorët e këtyre qyteteve se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë natën ndërkohë që flenë?! A janë të sigurt ata se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë ditën ndërkohë që argëtohen?! A janë të sigurt ata nga të papriturat e Allahut? Vetëm ata që janë të humbur nuk u frikësohen të papriturave të Allahut.” (El-A‘raf: 94-99)
Them këto fjalë dhe i lutem Allahut të më falë! Kërkojini falje Atij, sepse Ai është vërtet Falësi i madh dhe Mëshirëploti!
Hytbja e dytë:
Çdo lavd dhe falënderim është për Allahun, i Cili afron pranë Vetes këdo që ndjek udhëzimin e Tij. Dëshmoj se nuk ka Zot (që meriton të adhurohet) përveç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i përzgjedhuri i Tij. Allahu i dhëntë bekim dhe paqe atij, familjes, shokëve dhe kujtdo që ecën në rrugën e tij.
O muslimanë! Ruajuni nga mëkatet sepse ato janë lajmëtari i mohimit të fesë. Ato bëhen shkak për largimin e begative, nxisin ndëshkimet, shkurtojnë jetën dhe heqin bereqetin e rrizkut. Madje, njeriu privohet nga një rrizk i caktuar për shkak të një faji që ka bërë.
Gjynahet e nxijnë dhe e ngurtësojnë zemrën, dhe bëhen pengesë midis saj dhe dritës së diturisë e rrugës së udhëzimit. Nuk ka dyshim se mëkati e tërheq njeriun drejt një mëkati tjetër. Një nga muslimanët e parë ka thënë se një nga ndëshkimet për një mëkat të bërë është kryerja e një mëkati tjetër më pas. Pra, mëkati i bën të dashura mëkatet dhe e shtyn njeriun të bëhet ngulmues në to. Çështja mund të shkojë deri aty sa njeriu të bëjë një mëkat duke e ditur gjykimin për të dhe gradën e lartë të rrezikut të tij, madje mund të mos ndiej asnjë kënaqësi në kryerjen e tij por e bën atë thjesht për zakon.
Merrni mësim nga gjendja e atyre që e braktisin namazin ose jepen pas pijes e drogës, marrin kamatën, ose gratë që zbulohen. Punët e tyre janë të këqija por ata i harrojnë pasojat që do të kenë këto vepra pas ardhjes së vdekjes: “A është ai që veprat e veta të këqija i duken të mira (si ai që është i udhëzuar në rrugën e drejtë)? Me të vërtetë, Allahu shpie në humbje kë të dojë dhe udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. Ti mos e shqetëso veten deri në shkatërrim për humbjen e tyre! Allahu është i Gjithëdijshëm për atë që ata bëjnë.” (Fatir: 8)
Në këtë mënyrë, ky ngulmim bëhet një nga shkaqet e përfundimit të keq kur vjen vdekja, kur perdja hiqet dhe shfaqet qartë ajo që ishte fshehur nga mbizotërimi i pasionit dhe parapëlqimi i jetës së kësaj bote. Do të shihni se mëkatarët e mëdhenj pikëllohen në çastet e fundit të jetës dhe thonë: “Ah sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!” (El-Fexhr: 24). Allahu i Lartësuar thotë: “Prandaj jepni prej mirësive që u kam dhënë Unë, para se t’i vijë vdekja ndonjërit e të thotë: O Zoti im, sikur të më kishe lënë edhe një kohë të shkurtër në jetë do të kisha dhënë lëmoshë dhe do të bëhesha ndër të mirët!” (El-Munafikun: 10) “Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve) thotë: “O Zoti im, më kthe që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë.” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai e thotë kot. Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse deri në ditën kur do të ringjallen.” (El- Mu’minun: 99-100)
O ju muslimanë! Një nga dëmet më të rrezikshme të mëkateve është se ato ia heqin turpin mëkatarit derisa ai t’i shpallë ato hapazi. Në një hadith të vërtetë Profeti (SalAllahu alejhi ue selem) thotë: “Të gjithë ndjekësit e mi do të shërohen përveç atyre që i shpallin mëkatet haptazi. Një nga mënyrat e shpalljes së mëkateve është që njeriu të bëjë një mëkat natën dhe në të gdhirë, dhe kur Zoti t’ia ketë mbuluar këtë vepër ai të tregojë: ‘O filan, mbrëmë bëra kështu e ashtu’. Pra, ky fjeti duke ia mbuluar Zoti mëkatin dhe u gdhi duke hequr mbulimin që i kishte bërë Allahu.” (Hadith i përcjellë nga Buhariu dhe Muslimi.)
Është e vërtetë se ka njerëz që krenohen me mëkatet dhe mendojnë se kjo është e domosdoshme për gjendjen e tyre. Kështu vazhdojnë të bëjnë mëkat pas mëkati derisa gjynahet t’u duken të lehta dhe fajet t’u duken të vogla në zemrat e tyre. Kjo është një nga shenjat e vdekjes së zemrës dhe prishjes së natyrës së pastër njerëzore, sepse sa më i vogël të duket mëkati në sytë e mëkatarit, aq më i madh është ai tek Allahu i Plotfuqishëm e i Lartësuar. Të gjithë pajtohen se injorimi i mëkateve është një prej shenjave dhe treguesve të hipokrizisë. Në një transmetim të vërtetë Abdullah Ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Mëkatari i madh i sheh mëkatet e veta si mizë që i ka rënë në hundë dhe ia bën asaj kështu (duke e trembur me dorë)”. Injorimi i mëkatit, konsiderimi i tij si i vogël dhe mosmarrja e tij seriozisht është një nga shkaqet e ngulmimit në gjynahe, gjë që Allahu e konsideron si një nga faktorët e pengimit të faljes së Tij, të vulosjes së zemrës dhe të cilësimit të saj si zemër e shkujdesur. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija, e kur u afrohet vdekja thonë: Unë tani po pendohem.” (En-Nisa: 18) “(Kujto) Kur Musai i tha popullit të vet: O populli im, përse po më mundoni kur e dini mirë se unë jam i dërguari i Allahut te ju?!”(Es-Saff: 5)
O besimtarë! Rreziku i vazhdimësisë në mëkate i shfaq frytet e tij të hidhura gjatë ndarjes nga kjo jetë dhe kalimit në jetën tjetër, kur midis njeriut dhe zemrës së tij do të vihet një pengesë në çastin më delikat dhe në fatkeqësinë më të madhe. Në ato çaste mëkatarit të madh i shfaqen gjynahet që bënte në mënyrë të vazhdueshme dhe shejtani ia zbukuronte ato, në mënyrë që ai t’i përmend ato përçart e kështu ato ta pengojnë të thotë dëshminë e së vërtetës (njësimit të Allahut). Imam Ibn Kajimi ka përmendur rastin e një burri të cilit i ishte afruar vdekja dhe të tjerët i thoshin të shqiptonte fjalën La ilâhe il-lall-llâh (Nuk ka Zot që meriton të adhurohet përveç Allahut), por ai filloi të këndonte përçart duke imituar tingullin e instrumentit të tij dhe refuzoi të thoshte La ilâhe il-lall-llâh.
Një njeriu tjetër iu tha të shqiptonte dëshminë La ilâhe il-lall-llâh, kurse ai tha: “Ai e mohon atë që tha”, – pastaj vdiq. Një njeriu të tretë iu tha të shqiptonte La ilâhe il-lall-llâh, kurse ai u përgjigj: “Sa herë që dua ta them atë më lidhet gjuha”. Një tregtari iu tha gjatë vdekjes të shqiptonte La ilâhe il-lall-llâh, dhe ai u përgjigj: “Kjo është një copë e lirë, ky është një myshteri i mirë…” Një burri që hante në peshë iu tha në çastet e vdekjes të shqiptonte La ilâhe il-lall-llâh, dhe ai u përgjigj se nuk mundej ta shqiptonte atë pasi ana e peshores i rëndonte në gjuhë. Pra, i tillë është rreziku i gjynaheve për mëkatarët: nëse nuk pendohen ai mund t’i zërë në këtë jetë apo në tjetrën. Prandaj, kthehuni tek Allahu të penduar nga çdo mëkat o robër të Allahut. Kërkojini ndjesë Atij për çdo faj, sepse nëpërmjet pendimit të sinqertë Ai i fshin mëkatet, i mbulon ato që njeriu të mos turpërohet, e largon ndëshkimin, e përsos imanin e robit, e ruan atë nga zjarri i xhehenemit dhe i fal atij Xhenetin. “O ju që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë.” (Et-Tahrîm: 8)
O Allah! Mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij ashtu sikurse e mëshirove Ibrahimin dhe familjen e tij, dhe bekoje Muhamedin dhe familjen e tij ashtu sikurse e bekove Ibrahimin dhe familjen e tij ndërmjet të gjithë njerëzve! Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar dhe i Lavdishëm!
O Allah! Fali besimtarët dhe besimtaret, të gjallët prej tyre dhe të vdekurit!
O Allah! Ndihmoje Islamin dhe muslimanët dhe poshtëroji ata që poshtërojnë fenë!
O Allah! Na mëshiro sepse Ti je i Mëshirshëm me ne, dhe mos na dëno ndonëse je i Fuqishëm të na e bësh këtë! O Allah! Na i zbardh fytyrat atë ditë kur disa fytyra do të zbardhen e disa të tjera do të nxihen! O Allah! Na ndero e mos na poshtëro; na e shto dhe mos na pakëso; na zgjidh ne (mbi të tjerët) dhe jo (të tjerët) mbi ne! O Allah! Na ruaj nga rënia në mjerim, nga fati i keq dhe nga sherri i armiqve! O Allah! Çdo lavd është për Ty derisa të kënaqesh; çdo lavd është për Ty edhe pasi të kënaqesh; çdo lavd është për Ty edhe kur të kënaqesh! O Allah! Caktoji këtij umeti një pushtet të drejtë me të cilin të lartësosh njerëzit që të binden dhe të përudhësh ata që nuk të binden e ku të urdhërohet e mira dhe të ndalohet e keqja. I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë mbi çfarë i mveshin ata! Paqja qoftë mbi të dërguarit, dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!
Dosje: Borxhi