Tek jetëshkrimi i Ebu Bekr ibn Ahmed Tekijudin ibn Kadij Shubhe[1], siç përmendet edhe tek “Ed daullamiu”[2]ku thuhet: “Shkroi shumë libra me dorën e tij, saqë po të thoshte dikush se ka shkruar 200 vëllime nuk do ta kishte tepruar. Shkrimi i tij ishte shumë i bukur dhe elegant. Kur u shit trashëgimia e tij e librave ato ishin rreth 700 vëllime dhe ai i kishte lexuar gati të gjitha.”
Kalonte gjithë natën duke lexuar nën dritën e kandilit.
Kadij Ijad përmend në “Tertibul medarik”[3] tek jetshkrimi i imamit dhe fekihut Ebu Muhammed ibn Is’hak, i njohur me emrin Ibnu Tebban (v. 371) se ka thënë për veten e vet: “Në fillim të studimeve të mia lexoja gjithë natën derisa nëna më ndaloi nga leximi gjithë natën. Atëherë mora një kandil dhe e vendosa te koka ime dhe shtrihesha për të fjetur. Kur atë (nënën) e zinte gjumi, e nxirrja kandilin dhe i hyja studimit.”
Thotë Kadij: “Studjonte aq shumë sa thuhet se e ka lexuar një libër njëmijë herë!”
El Uezir el Kiftij ka përmendur në “Inbahur-ruah”[4] tek jetëshkrimi i Ebul Kasim ibn Ebi Mensur en Nehauij, (gramaticieni) el Halebij i njohur si Ibnul Habranij (v. 628) – Ueziri ishte shoqëruar shumë me të – thotë: “Ishte i dhënë shumë mbas kërkimit të dobive shkencore dhe mbledhjes së tyre prej faqeve të librave, saqë studjonte natën dhe ditën. Ai ia kishte bërë detyrë vetes t’i mësonte përmendësh disa urtësi që haste gjatë asaj pune.
Më ka treguar Sherif Ebu Hashim ibn Ebi Hamid – shoku im Allahu e mëshiroftë – : Një fqinji ynë më ka treguar: E pashë Ibnul Habranin, gramaticienin, në kohën e verës ngrihej pjesën e fundit të natës dhe hipte në tarracën e shtëpisë së tij. Aty ndizte një kandil në një vend ku nuk e rrihte era dhe pastaj ulej e studjonte për kohë të gjatë. Kështu vepronte çdo natë. Nuk e pengonte atë as vapa e as i ftohti prej leximit dhe studimit.”
Marrë nga libri: “Nxitësi për lexim”.
Përktheu: Emin Bilali
———————————————————-
[1] I njohur si paraardhësi i tij me emrin Ibn Kadij Shubhe, për shkak të babait të gjyshit të tij (stërgjyshit) i cili ka qenë kadiu (gjykatësi) i krahinës së quajtur ‘Shubheh es seuda’ për 40 vjet.
[2] 11/23.
[3] 1/78.
[4] 4/165.