Mirësia apo begatia e dhjetëditëshit të parë të Dhul-Hixhes është përmendur si në Kuran ashtu dhe në fjalët profetike.
Sipas komentuesve të Kuranit mendohet se dhjetëditëshi i parë i Dhul-hixhes është përmendur dy herë në Kuran.
E para: Në suren El Fexhr ku Allahu i Madhëruar thotë:
“Pasha agimin! * Pasha dhjetë netët! * Pasha atë që është çift dhe tek! * Pasha natën kur lëviz! * A nuk është ky një betim i mjaftueshëm për atë që ka logjikë?!” | El Fexhr: 1-5.
Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dhjetë netët janë dhjetë ditët e Dhul-hixhes, siç ka thënë: Ibën Abasi, Ibën Ez-Zubeir, Muxhahidi dhe shumë prej selefëve.”
Përderisa këtu kemi një betim atëherë ky betim ka domethënien e tij, sepse në Kuran Allahu i Madhëruar kudo që është betuar në një prej krijesave të tij, ajo krijesë dallon dhe shquhet nga të tjerat. P.sh.; betohet në qiell dhe qielli është krijesë madhështore, betohet në ditën e kiametit dhe ajo është dita më e rëndësishme sepse përmban llogarinë dhe shpërblimin, betohet për në Meke dhe Meka ka të parën shtëpi të adhurimit të Allahut dhe simbol të tij, betohet në ullirin dhe fikun dhe ato janë pemë të begata etj.
Ajo që i shkon për shtat betimit në këto dhjetë ditë në suren El Fexhr është mirësia dhe begatia e tyre.
E dyta: Në suren El Haxh ku Allahu i Madhëruar i drejtohet Ibrahimit alejhi selam:
“Dhe thirr njerëzit për në haxh që të vijnë në këmbë dhe hipur mbi deve nga çdo grykë e thellë. * Për të prezantuar në mirësi dhe për të përkujtuar Allahun në ditë të caktuara.” | El-Haxh: 27-28.
Ibën Kethiri thotë: “Ditët e caktuara janë dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes, siç ka thënë: Ibën Abasi, Ebu Musa EL Eshari, Muxhahidi, Ata’a, Said bin Xhubeir, Hasen El Basri, Katade, Ed-Dahaku, Ata’a El Hurasani, Ibrahim En-Nekhaij. Dhe është gjithashtu medhhebi i Shafiut dhe fjala më e njohur e Ahmed bin Hanbelit.”
Pra Allahu i Madhëruar i ka caktuar këto ditë për kujtimin e Tij, dhe kush e bën këtë gjë ka prezantuar në mirësitë e Allahut dhe ka fituar kënaqësinë e Tij. Fjala e Allahut “…për të prezantuar në mirësi” siç thoshte Abdullah bin Abasi në komentimin e saj: “Prezantojnë në mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit. Përsa u përket mirësive të ahiretit ato janë fitimi i kënaqësisë së Allahut, ndërsa mirësitë e dynjasë janë mishi i kurbaneve dhe tregtitë.” E transmeton Taberiu.
Ndërsa mirësia e këtyre dhjetë ditëve në fjalët e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është përcjellë nga Ibën Abasi radiallahu anhu.
Said bin Xhubeir, një prej tabiinëve të shquar, tregon nga Ibën Abasi se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Puna e mirë nuk është më me vlerë në ndonjë ditë sesa në këto ditë (dhjetë ditët e para të Dhul-hixhes). I thanë: As xhihadi në rrugën e Allahut? Ai u tha: As xhihadi, përveç një njeriu i cili ka dalë duke vënë në rrezik veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet më.” E transmeton Buhariu.
Këtë hadith e kanë treguar edhe sahabë të tjerë si: Ibën Umeri, Ebu Hurejra, Abdullah bin Umer dhe Xhabiri radiallahu anhum.
Një prej komentuesve të haditheve që quhet Mudhhirudin Ez-Zejdani (i vdekur në vitin 727 H), thotë: “Puna e mirë në këto dhjetë ditë është më me vlerë për shkak të vlerës së këtyre ditëve, sepse ato janë ditë të një muaji të shenjtë dhe haxhitë në këto ditë vizitojnë shtëpinë e shenjtë të Allahut dhe qytetin e shenjtë. Ska dyshim se kur koha ka më shumë vlerë, edhe puna e mirë vlerësohet më shumë.”
Tregohet për tabiinin e nderuar Said bin Xhubeir, transmetuesi i këtij hadithi, se kur hynte dhjetëditëshi i parë i Dhul-hixhes përpiqej të bënte punë gati të pamundura. E transmeton Darimiu me zinxhir të saktë.
Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli
Dosje: Tesbih
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi