Allahu i Lartësuar në fund të sures El Lejl thotë:
17.“Dhe do të shmanget prej tij (xhehenemit) më i devotshmi (më i qëndrueshmi në kufijtë e Allahut).”
- “Ai që e jep pasurinë e vet për t’u pastruar.” Ai që jep sadaka dhe zekat për të pastruar shpirtin prej sëmundjes së koprracisë, si dhe për të pastruar pasurinë e vet prej çfarë i është bashkangjitur asaj prej haramit.
- “Dhe nuk ia jep pasurinë dikujt si shpërblim për një të mirë që i ka bërë.” Jo për t’i kthyer borxhin apo për t’ia kthyer të mirën me të mirë, por e mirë që ai është nismëtar i saj pa shkak të mëparshëm, përveç se:
- “Vetëm për të arritur kënaqësinë e Zotit të Tij, më të Lartit.” Kënaqësia e Tij e cila shpërblimin më të madh ka shikimin në Fytyrën e Allahut, Krijuesit, në Xhenetet e Tij të larta.
- “Dhe ai do të kënaqet.”
I tilli do të kënaqet. A do të kënaqet në dynja duke pasur një jetë të lumtur në të? Apo do të kënaqet në ahiret kur të shikojë shpërblimin prej Allahut, Shpërblyesit më Bujar?
Do të kënaqet! E përgjithshme, e pakufizuar me njërën botë apo tjetrën, dhe shpërblimi kur vjen i papërcaktuar tregon për madhështinë e tij! Është shumë më i madh seç mund të përkufizohet! Do të kënaqet prej Allahut të Lartmadhëruar pasi Ai është kënaqur me veprën e tij, prandaj Ai do ta kënaqë ashtu siç di vetëm Ai ta kënaqë robin e Vet. Ai që ia di shumë mirë ndjenjat, kënaqësitë, lumturinë… Do të kënaqet!
Praktikisht si kuptohet ajeti i fundit? Me një shembull të thjeshtë:
Nëse ti i dhuron një muslimani të varfër një shumë parash, një shumë të atillë parash që për ty mund të jetë modeste por për atë është e atillë që gati sa mund t’i pushojë zemra nga kënaqësia, dhe e bën t’i merret fryma sepse i zgjidh një hall…! Çfarë ke bërë në këtë rast? Ti ke futur kënaqësi në zemrën e një njeriu, dhe Profeti sal-lAll llahu alejhi ve sel-lem na ka njoftuar se vepra më e mirë është të futësh kënaqësi në zemrën e muslimanit.
Ty të vjen shpërblimi prej Allahut sipas veprës, ti kënaq një rob të Allahut e Allahu të kënaq ty! “A është shpërblimi i të mirës diçka tjetër veçse e mira?!” | Er Rrahman: 60.
Automatikisht nga thellësia e shpirtit të tij do dalë një lutje që asgjë nuk e ndal të ngrihet drejt më Bujarit! Por përsëri nuk është ky shpërblimi më i madh për veprën që ti ke bërë, ky është vetëm një shpërblim shtesë, shpërblim mbi shpërblimin e madh i cili është kënaqësia e Allahut.
“Dhe ai do të kënaqet!”
Allahu na bëftë të këtillë! Amin!
Dosje: Komentim Kurani
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi