Ndërmjetësimi i Profetit

September 21, 2017

Na ka treguar Sulejman bin Harb, na ka treguar Bestam bin Hurajthin, nga Eshath el-Hudanij, nga Enes bin Malik, nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë: “Ndërmjetësimi (shefati) im do jetë për ata që kanë vepruar mëkate të mëdha nga populli (umeti) im.”

Hadith autentik. E transmeton Tirmidhiu 2435 dhe Ahmedi 3/213. Hadithin e ka saktësuar shejh Albani në “Sahihul-xhami” me nr. 3714.

Shejh Abdulmuhsin el Abadi ka thënë: Fjala e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem; “Ndërmjetësimi (shefati) im do jetë për ata që kanë vepruar mëkate të mëdha nga populli (umeti) im.” Kjo nënkupton se Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem do ndërmjetësojë për ata që kanë vepruar mëkate të mëdha nga populli (umeti) i tij. Ata do të nxirren nga zjarri pasi kanë hyrë në të. Hadithet në lidhje me këtë janë të shumta dhe mutevatir.

Prej këtyre haditheve është dhe fjala e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Cdo Profet ka patur një lutje me të cilën është lutur për popullin (umetin) e tij dhe ajo lutje i është pranuar (nga Allahu). Unë dëshiroj  ta ruaj lutjen time për të ndërmjetësuar për popullin tim në ditën e Kiametit.” Mutefekun alejhi.

Fjala e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në hadithin e Enesit: “Ndërmjetësimi (shefati) im do jetë për ata që kanë vepruar mëkate të mëdha nga populli (umeti) im“, do të thotë se ai (ndërmjetësimi) do bëhet për ta në ditën e Kiametit ku Profeti do ndërmjetësojë. Ky është ndërmjetësim nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe është i veçantë vetëm për popullin e tij, ndryshe nga ndërmjetësimi i madh i cili do jetë për popullin e tij dhe të tjerët. Madje (do jetë ndërmjetësim) për të gjitha krijesat, dhe ndryshe nga ndërmjetësimi i veçantë për Ebu Talibin.

Ndërmjetësimin për ata që kanë vepruar mëkate të mëdha (nga populli i Profetit) e kanë mohuar mutezilit dhe havarixhët, të cilët thonë: “Ata (vepruesit e mëkateve të mëdha) do jenë përgjithmonë në zjarr.” Por hadithet u kundërpërgjigjen atyre (në këtë bindje të devijuar) dhe prej tyre është dhe ky hadith (i Enes bin Malik).

Ndërmjetësimi arrihet me dy kushte:

-Allahu t’i jap leje ndërmjetësuesit që të ndërmjetësojë.

-Allahu të jetë i kënaqur me atë për të cilin do ndërmjetësohet (të ketë vdekur si njësues).

Siç thotë i Lartësuari: “E sa engjëj ka që janë në qiej e që ndërmjetësimi i tyre nuk bën dobi asgjë, vetëm pasi që Allahu të jap leje për atë që dëshiron dhe është i kënaqur për të.” | En-Nexhm: 26.

Transmetuesit e zinxhirit:

Fjala e tij: “Na ka treguar Sulejman bin Harb” është e besueshme. Prej tij kanë transmetuar autorët e Suneneve.

Fjala e tij: “Na ka treguar Bestam bin Hurajthin” është e besueshme. Prej tij ka transmetuar Ebu Daudi.

Fjala e tij: “Nga Esh’ath el-Hudanij” emri i të cilit është Eshath bin Abdullah el Hudanij. Ai është i besueshëm. Prej tij ka transmetuar Buhariu tealikan dhe autorët e Suneneve.

Fjala e tij: “Nga Enes bin Malik” shërbëtori i të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, një nga shtatë personat që kanë transmetuar shumë hadithe nga Profeti.

 

“Sherh kitab es-sunneh min suneni Ebi Daud”.

Përktheu: Unejs Sheme

Dosje: ,

Loading...