Rregullat në lidhje me thirrjen dhe thirrësit për tek Allahu – Pjesa e dytë

October 15, 2017

Shejh Ebu Islam Salih bin Taha AbdulUahid, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

Rregulli i tetë: Thirrësi duhet të punojë me atë që thotë.

I Madhëruari thotë: “O besimtarë, përse thoni atë që nuk e veproni? Është shumë e urryer për Allahun të thoni atë që nuk e veproni!” | Es-Saf: 2-3 |

I Madhëruari thotë: “Unë nuk dëshiroj të bëj atë që ua ndaloj juve. Unë dëshiroj vetëm të përmirësoj atë që mundem.” | Hud: 88 |

I Madhëruari thotë: “A i urdhëroni njerëzit për punë të mira ndërsa veten tuaj e harroni, ndërkohë që ju lexoni edhe Librin (Teuratin)? A nuk logjikoni?” | El-Bekare: 44 |

Rregulli i nëntë: Thirrësit nuk kërkojnë shpërblim nga njerëzit për thirrjen e tyre.

I Madhëruari thotë: “O populli im! Unë për këtë nuk kërkoj nga ju kurrfarë pasurie. Mua më shpërblen vetëm Allahu.” | Hud: 29 |

I Madhëruari thotë: “O populli im! Unë nuk kërkoj nga ju shpërblim për këtë. Mua më shpërblen vetëm Ai që më ka krijuar! A nuk kuptoni?!” | Hud: 51 |

Nuk ka patur ndonjë të dërguar veçse ai i ka thënë popullit të tij: “Për këtë unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi. Mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i botëve.” | Esh-Shuara: 109 |

Rregulli i dhjetë: Përmbajtja nga sharja (fyerja).

I Madhëruari thotë: “Mos i shani idhujt që ata i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos e shajnë Allahun armiqësisht nga padija. Kështu, Ne ia paraqesim të bukura çdo populli veprat e veta. Pastaj ata do të kthehen te Zoti i tyre, i Cili do t’i lajmërojë për gjithçka që kanë bërë.” | El-Enam: 109 |

Rregulli i njëmbëdhjetë: Mbështetja vetëm në Allahun e Lartësuar gjatë thirrjes për tek Ai.

I Madhëruari thotë: “Mbështetu në të Përjetshmin i Cili nuk vdes, dhe madhëroje Atë me falënderim! Ai i di mjaft mirë gjynahet e robërve të Vet.” | El-Furkan: 58 |

I Madhëruari në gjuhën e Shuajbit (alejhis-selam) thotë: “Ndërsa suksesi im varet vetëm nga Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem.” | Hud: 88 |

I Madhëruari në gjuhën e Hudit (alejhis-selam) thotë: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju se unë jam larg nga idhujt që i adhuroni në vend të Tij. Të gjithë ju bëni komplot kundër meje dhe mos më jepni afat aspak! Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im është në rrugë të drejtë.” | Hud: 54-56  |

I Madhëruari thotë: “Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.” | Et-Talak: 3 |

I Madhëruari thotë: “A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?!” | Ez-Zumer: 36 |

Rregulli i dymbëdhjetë: Butësia gjatë thirrjes.

I Madhëruari thotë: “Shkoni te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë! Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet!” | Ta ha: 43-44 |

I Madhëruari thotë: “Në sajë të mëshirës nga Allahu ti (o Muhamed) u solle butë me ta. E sikur të kishe qenë i vrazhdë e zemërgur ata do të largoheshin prej teje. Prandaj falua atyre gabimin, kërkoi falje Allahut për ta dhe konsultohu me ta për çështjet. Dhe kur të vendosësh për diçka mbështetju Allahut. Vërtet, Allahu i do ata që i mbështeten Atij.” | Al-Imran: 159 |

I Madhëruari thotë: “Nëse shmangesh nga ata (kur nuk ke asgjë për të dhënë) duke shpresuar në mëshirën e Zotit tënd, atëherë thuaju atyre fjalë të buta.” | El-Isra: 28 |

 

Vijon…

Marrë nga libri: “Es-Sebil fi fik’hi ed-daueh.”

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...