Shejh Ebu Islam Salih bin Taha AbdulUahid, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:
Shkaku i parë: Pasimi i epshit dhe qëllimi i keq.
Epshi e pengon personin që t’i përgjigjet dhe ta pranojë të vërtetën. Allahu i Lartësuar thotë: “E nëse ata nuk të përgjigjen ty, dije se janë skllevër të dëshirave të veta. E kush është në humbje më të madhe se ata që udhëhiqen nga dëshirat e veta pa udhëzim prej Allahut? Sigurisht, Allahu nuk i udhëzon njerëzit keqbërës.” | El-Kasas: 50 |
Epshi është “zot” që adhurohet përveç Allahut të Lartësuar. Epshi te shumë prej njerëzve është ai që urdhëron dhe ndalon. Ai (epshi) është që e bën diçka të lejuar dhe të ndaluar. Kështu që pasuesit e epsheve duan dhe miqësojnë për shkak (në bazë) të epsheve të tyre dhe urrejnë dhe ndalojnë për shkak të epsheve të tyre.
Allahu i Lartësuar thotë: “Mendo pak! Kush përveç Allahut mund ta udhëzojë atë njeri që dëshirat e veta i ka bërë si zot? Atë njeri të cilin Allahu duke e njohur për të tillë e ka shpënë në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?! A nuk po merrni vesh?” | El-Xhathijeh: 23 |
I Lartësuari thotë: “A e ke parë atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij? A mendon se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër veçse si bagëti. Madje ata janë edhe më të shmangur nga rruga e drejtë.” | Furkan: 43-44 |
Vështroni tek të gjitha grupacionet dhe partitë të cilat e kanë hedhur umetin në fitnen e përçarjes, ndarjes në parti dhe në fanatizëm (pasimin e vërbër). Do shohësh se shkaku që i ka çuar në këtë gjendje është se ata ndjekin epshet e tyre dhe nuk i përgjigjen Allahut dhe as të Dërguarit të Tij, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur e vërteta të ishte sipas dëshirave të tyre, atëherë do të shkatërroheshin qiejt dhe Toka dhe gjithçka që gjendet në to. Ne u kemi dërguar atyre këshillën (Kuranin) por ata shmangen nga ajo.” | El-Mu’minun: 71 |
Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar të dërguarit dhe profetët e Tij që të pasojnë shpalljen Hyjnore e cila ka ardhur nga Allahu, dhe assesi mos të ndjekin tekat (dëshirat).
Allahu i Lartësuar i ka thënë Profetit të Tij Daudit: “O Daud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi, dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave se ato të largojnë nga rruga e Allahut! Me të vërtetë, për ata që largohen nga rruga e Allahut ka dënim të ashpër ngase e kanë harruar ditën e llogarisë.” | Sad: 26 |
I Lartësuari i ka thënë të Dërguarit të Tij, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Gjykoji sipas asaj që të ka shpallur Allahu e mos ndiq dëshirat e tyre të kota!” | El-Maide: 49 |
Po ashtu, i Lartësuari i ka thënë atij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Andaj, ti thirru dhe bëhu këmbëngulës ashtu siç je urdhëruar, dhe mos i ndiq epshet e tyre.” | Esh-Shura: 15 |
Epshi e hedh (shpie) personin në fitne, në fitnen e dëshirave (epsheve) dhe në fitnen e dyshimeve dhe kështu ai shkatërrohet. Prandaj dhe i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Tre gjëra janë shkatërruese dhe tre të tjera janë shpëtuese.” Dhe përmendi tre shkatërrueset duke thënë: “Ndërsa tre shkatërrueset janë; lakmia kur i nënshtrohesh, epshi kur pasohet dhe pëlqimi i vetes.” Hadith i mirë (hasen). E ka nxjerrë Et-Taberani në “El-Mu’xhemul-Eusat” 5754, dhe “Sahihul-Xhami” 3045.
Marrë nga libri: “Uesailu eth-Thebati ala ed-dijn fi zemen el-fiten.”
Përktheu: Unejs Sheme