Islami në Indi (Pjesa e parë)

October 19, 2017

Parathënia dhe depërtimi i islamit në Indi – Pjesa e parë.

Parathënie: India është një gadishull i madh në Oqeanin Indian, në jug dhe juglindje të vargmaleve të Himalajës, laget nga deti Arab në jugperëndim dhe nga deti Bengal në juglindje. Emri i tij është marrë nga lumi Indus në verilindje të gadishullit të cilin arabët e quajnë Sind.

India ka sipërfaqe të madhe aq sa ngjan me kontinentet dhe për shkak të saj ka ndryshim klime, ndryshim riljevi, ndryshim gjuhësh dhe racash.

Indianët në origjinë për nga ana e besimit janë idhujtarë sepse besojnë në shumë zotra, dhe feja e tyre quhet hinduizëm. Ata shenjtërojnë shumë prej kafshëve si; lopët, majmunët, gjarpërinjtë,  minjtë etj. dhe i adhurojnë ato. Për shkak të idhujtarisë së tyre gjen te ata injorancë të madhe në lidhje me besimin, si dhe gjen zakone e rite fetare të padëgjuara nga profetët e Allahut si p.sh.; djegia e kufomave të të vdekurve, djegia e femrave të veja, ndarja e njerëzve në shtresa që në origjinën e krijimit; shtresa e shenjtorëve, shtresa e mbretërve, shtresa e bujqve dhe shtresa e shërbëtorëve etj.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Ne o Muhamed të kemi dërguar me të vërtetën përgëzues dhe paralajmërues, dhe s’ka popull veçse ka pasur lajmëtarin e tij.” Suretu El-Fatir: 24.

Fjala e Allahut: [… dhe s’ka popull veçse ka pasur lajmëtarin e tij], tregon se në çdo popull kanë kaluar lajmëtarët e Allahut (profetët e tij) përfshi këtu edhe Indinë. Nëse çështja është kështu, si shpjegohet mbetja e disa popujve në injorancë të plotë pa njohur asnjë profet?

Sheihul-islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- duke folur për filozofët e Greqisë të cilët kanë qenë pas Ibrahimit, Musës etj. e megjithatë nuk kanë njohur profetët dhe udhëzimet e tyre, thotë: “Kjo ka dy përgjigje:

E para: Shumica prej tyre nuk i kanë njohur profetët, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:  “Ne kemi dërguar te çdo popull një të dërguar që t’ju thotë: Adhuroni Allahun dhe largojuni idhujtarisë! Prej tyre kishte që i udhëzoi Allahu dhe prej tyre kishe që shkuan në humbje, prandaj udhëtoni në tokë dhe shihni përfundimin e përgënjeshtruesve.” Suretu El-Nahl: 36. Atyre që zgjodhën kundërshtimin e profetëve nuk u mbetën as lajmet e profetëve dhe as fjalët e tyre të njohura mes tyre.

E dyta: Fjala e Allahut: “Pasha Allahun, kemi dërguar lajmëtarë te popujt para teje por shejtani ua zbukuroi punët (e këqija) dhe ai sot është kujdestari i tyre.” Suretu En-Nahl: 63. Kur shejtani ua zbukuroi punët e këqija atëherë kishte prej tyre që humbën gjurmët e profetësisë. Shih librin ‘En-Nubuat’: 1/196-197.

Sheihul-islam Ibn Tejmije shpjegon se ata janë lajmëruar me fenë e drejtë, por i humbën gjurmët e saj ose për shkak se kundërshtuan profetët e Allahut dhe qëndruan në injorancë, ose për shkak se shejtani pas profetëve ua zbukuroi të keqen dhe kaluan nga dija në injorancë.

Në Indi më vonë për shkak të padrejtësive të idhujtarisë, sidomos në ndarjen e njerëzve në shtresa që në origjinën e krijimit për të cilën Ebul-Hasen En-Nedeuij (studiues bashkëkohor indian dhe njohës i mirë i gjendjes në Indi që ka vdekur në vitin 1999) thotë: “Përsa i përket ndarjes së shoqërisë në shtresa nuk është njohur në historinë e ndonjë populli ndarje më e ngurtë, më izoluese mes shtresave dhe më nënçmuese për dinjitetin e njeriut, sesa ndarja shoqërore në Indi e cila është e pranueshme prej saj edhe fetarisht edhe qytetarisht.” Shih librin e autorit “Çfarë ka humbur bota me rënien e myslimanëve”.

Për këto arsye, në fund të shekullit të gjashtë dhe në fillim të shekullit të pestë para krishtit u shfaq Buda me idetë e tij filozofike që i kushtonin më shumë rëndësi njeriut dhe moralit njerëzor, si p.sh. Sokrati në Greqinë e lashtë çka ndihmoi që filozofia e tij të përhapet shumë shpejt në Indi. Me kalimin e kohës Buda u mor si i shenjtë, pastaj si zot, pastaj u adhurua, dhe filozofia e tij u kthye në fe të cilën perandori i njohur indian Ashoka (273-232 p.e.s.) arriti ta përcjellë edhe jashtë kufijve të Indisë për në vendet përreth. Budizmi u përzie me hinduizëm dhe besime të tjera te vendeve ku u përhap, mirëpo më shumë sukses pati jashtë kufijve të Indisë sesa brenda saj si p.sh. në; Kinë, Mongoli, Japoni, Kore, Birmani, Tajlandë, Kamboxhia, Vietnam etj.

Depërtimi i islamit në Indi.

Zgjerimet e myslimanëve në lindje të gadishullit arabik janë të hershme që në kohën e kalifëve të drejtë (11-41 sipas hixhretit). Persia është çliruar që në kohën e Omerit -radiallahu anhu- dhe me çlirimin e saj islami arriti të depërtojë në Azinë Qëndrore dhe konkretisht në Turkmenistan, në perëndim të Afganistanit dhe në kufijtë perëndimorë të Pakistanit sot. Pastaj, në kohën e dinastisë Emevite (41-132 sipas hixhretit) islami arriti të zgjerohej edhe më shumë në Azinë Qëndrore, duke përfshirë; Uzbekistanin, Taxhikishtanin, Afganistanin, pjesën jugperëndimore të Kirgistanit, luginën e lumit Ind ose ndryshe në gjuhën arabe “Lumi Sind” që përbën sot Pakistanin. Çlirimi i luginës së lumit Sind është me rëndësi të madhe për islamin në Indi sepse ajo përbën portën kryesore depërtuese të tij për në ato vende. Them portën kryesore sepse islami në Indi ka mbërritur para fushatave ushtarake nëpërmjet tregtarëve myslimanë arabë, siç do të vijë më poshtë në lidhje me shkakun e çlirimit të luginës së Sindit.

Çlirimi i luginës së Sindit.

Lugina e Sindit siç e njohin arabët luginën e lumit Ind, është çliruar në kohën e halifit të njohur emevit El-Uelid bin Abdul-Melik i cili ka sunduar nga viti 86-96 sipas hixhretit. E megjithatë përpjekjet kanë qenë më të hershme, që në kohën e kalifëve të drejtë prej sahabëve -radiallahu anhum- dhe ja fushatat e tyre.

Në kohën e Omerit -radiallahu anhu- fushata e Mugira bin Ebi El-As në vitin 15 H.

Në kohën e Othmanit -radiallahu anhu- u dërgua një ekspeditë zbuluese dhe vëzhguese me në krye Hakim bin Xhebel El-Abdij, dhe ai i solli Othmanit këtë përshkrim: Uji i saj është i pakët. Hurmat e saj nuk janë të mira. Vjedhësi i tyre është trim. Nëse ushtria është e vogël humbin, dhe nëse është e madhe do kenë uri. Othmani i thotë: Po reciton apo po njofton? Ai i tha: Po njoftoj. Atëherë Othmani  e la dhe nuk ndërmori ndonjë fushatë luftarake.

Në kohën e Aliut -radiallahuanhu- fushata El-Harith bin Murra El-Abdij në vitin 39 H.

Në kohën e Emevive janë ndërmarrë fushata të shumta që nga koha e Muavijes -radiallahu anhu- deri në kohën e El-Uelid bin Abdul-Melik, kur u realizua çlirimi i Sindit. Shih librin “Futuh El-Buldan” të historianit të njohur El-Beladhurij i vdekur në vitin 279 H.

Në kohën e çlirimit të Sindit mëkëmbësi i Emevive  për Irakun ishte Haxhaxh bin Jusuf Eth-Thekafij, i cili mbulonte çështjen e zonave në lindje të gadishullit arabik. Në atë kohë mbreti i “Ishullit të Xhevahirëve” siç njihej në atë kohë “Siri Lanka”, për t’u afruar me Haxhaxhin i bën dhuratë atij disa gra që kishin lindur myslimane nga baballarë tregtarë të vdekur në atë vend. Mbreti i nisi ato në një anije dhe kur anija mbërriti në brigjet e Sindit me oqeanin indian, sulmohet nga disa piratë nga Dejbuli (qytet bregdetar i Sindit që sot njihet me emrin “Karaçi”) dhe marrin anijen me gjithë çfarë mbante. Një grua me prejardhje nga fisi i njohur arab ‘Beni Jerbu’ thërret: O Haxhaxh! Ky lajm mbërrin te Haxhaxhi dhe ai zotohet se do ta ndihmojë atë. Haxhaxhi i çon lajm mbretit të Sindit dhe i kërkon lirimin e grave. Ai i kthen përgjigje duke i thënë: Ato i kanë marrë disa piratë të cilët nuk kam fuqi ndaj tyre. Atëherë Haxhaxhi nis një fushatë ushtarake të kryesuar nga Ubejdullah bin Nebehan për të liruar gratë, mirëpo ai dështon dhe vritet. Pastaj Haxhaxhi nis një fushatë tjetër të kryesuar nga Budejl bin Tihfe El-Bexhelij dhe ai gjithashtu vritet. Pastaj Haxhaxhi nis fushatën e madhe të Muhamed bin El-Kasim në vitin 92 të hixhretit dhe rrethon Dejbulin nga toka dhe deti.

Në Dejbul gjendej një kullë që mbante një direk të gjatë, i cili mbante një flamur të kuq dhe që rrotullohej kur frynte era. Kjo kullë ishte kulla e Budës sepse në të gjendeshin statujat e tij. Muhamed bin El-Kasimi pas rrethimit të Dejbulit me porosi të Haxhaxhit monton një katapultë që e kishte marrë me vete për gjuajtje nga larg, godet direkun mbi kullë dhe ai thyhet. Kur direku u thye banorët e inatosur dalin në drejtim të Muhamed bin El-Kasimit për ta luftuar dhe ndeshen me të. Myslimanët arrijnë t’i mundin ata dhe t’i zmbrapsin, dhe pastaj Muhamed bin El-Kasimi urdhëron të vihen shkallët për t’u ngjitur në kullë dhe e çliron atë me forcë.  Muhamed bin El-Kasimi për të siguruar çlirimin e Dejbulit qëndroi atje për tre ditë dhe urdhëroi që atje të ndërtohej një xhami.

Pas kësaj fitoreje të Dejbulit Muhamed bin El-Kasimi vazhdoi luftën për çlirimin e zonave të tjera të luginës së Sindit njëra pas tjetrës, derisa plotësoi çlirimin e saj në vitin 96 të hixhretit.

 

Vijon……

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

Loading...