Kjo është një broshurë e shkurtër në lidhje me akiden [1] e muslimanit, me argumente nga Kurani dhe Suneti autentik[2] e përpiluar me formë të thjeshtë në metodën pyetje-përgjigje. Allahun e lus që ta pranojë me një pranim të mirë dhe ta bëjë atë prej dijes së dobishme shpërblimi i së cilës vazhdon dhe pas vdekjes!
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
- Nëse të thuhet: Kush është Zoti yt? Thuaj: Allahu është Zoti im dhe Zoti i gjithçkaje. Unë nuk adhuroj askënd përveç Tij.
Argumenti: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Thuaj: A mos vallë do të kërkoj tjetër zot përveç Allahut kur Ai është Zoti i gjithçkaje?” |El-Enam: 164|
Dhe fjala e Tij: “O njerëz! Adhurojeni[3] Zotin tuaj i Cili u ka krijuar juve dhe ata që kanë qenë para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm[4].” |El-Bekare: 21|
- Nëse të thuhet: Kush është feja jote? Thuaj: Feja ime është Islami. Ai (Islami) është feja e vërtetë pos të cilës Allahu nuk pranon fe tjetër.
Argumenti: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë, feja e saktë tek Allahu është Islami.[5]” |Al-Imran: 19|
Dhe fjala e Tij: “Ndërsa kush kërkon fe tjetër përveç Islamit nuk do t’i pranohet, dhe në botën tjetër ai do të jetë prej të humburve.[6]” |Al-Imran: 85|
- Nëse të thuhet: Kush është Profeti yt? Thuaj: Profeti im është Muhamedi, i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Argumenti: Fjala e Allahut të Lartësuar: “Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve.” |El-Ahzab: 40|
Dhe fjala e të Lartësuarit: “Është Ai që u solli analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre për t’u lexuar shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar librin dhe urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë.” |El-Xhumuah: 2|
Vijon…
Përktheu: Unejs Sheme
Përgatiti: Abdurrahman bin Muhamed bin Musa Al Nasr
——————————————————-
[1] Shejh Muhamed bin Musa Al Nasr, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Akidja është si pozita e kokës për trupin, prandaj dhe profetët thirrjen e tyre e kanë filluar me të (akiden). Shejhu ynë (Albani – Allahu e mëshiroftë) ka një ligjëratë e cila më pas është transkriptuar dhe është botuar si libër me titull; “Teuhidi së pari o thirrësa në Islam!” Të gjithë profetët thirrjen e tyre e kanë filluar me teuhid. Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!” |En-Nahl: 46|
[2] Shejh Muhamed bin Musa Al Nasr, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Kur themi “Besimi yt o musliman” kemi për qëllim muslimanin sunij, sepse ai është origjina (natyshmëria e pastër). Kur përmendet fjala “musliman” kihet për qëllim ai musliman që i është nënshtuar Allahut.
[3] Allahu i urdhëron të gjithë njerëzit që të njësojnë Allahun duke adhuruar vetëm Atë, duke iu përulur dhe nënshtruar vetëm Atij, duke e veçuar Atë si të vetmin Zot, Krijues, Rregullues dhe Zotërues të gjithçkaje.
[4] T’i ruheni Allahut dhe dënimit të Tij, duke adhuruar vetëm Atë dhe duke iu bindur Atij.
[5] Islam do të thotë nënshtrim dhe dorëzim me përulje, frikë, shpresë e dashuri ndaj një Zoti të Vetëm, Allahut. Islami është feja e vetme e pranuar tek Allahu dhe asnjë fe tjetër nuk pranohet përveç tij. Islami ka qenë feja e gjithë të dërguarve të Allahut.
[6] Nuk kanë vend në mëshirën e Allahut, por ka humbur gjithçka dhe nuk mund të shpëtojë nga dënimi i zjarrit.
Dosje: Tesbih
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve