A lejohet aborti për arsye shëndetësore?

January 25, 2018

Pyetje: A lejohet aborti për arsye shëndetësore kur gruaja është në muajin e parë të shtatzënisë?

Përgjigje: Aborti në Islam në përgjithësi konsiderohet krim i fshehtë, sepse Profeti -alejhi selam- e ka quajtur vendosjen e lëngut jashtë vendit të tij “Varrosje e fshehtë e fëmijëve”. Atëherë, akoma më tepër konsiderohet krim nëse ai hiqet pasi është vendosur në vendin e tij. Prandaj dhe dijetarët çështjen e abortit e shohin me kujdes të madh.
Megjithatë, kur ka arsye të pranueshme nga Sheriati ai asnjëherë nuk i hedh poshtë ato, dhe rrethi i arsyeve ndryshon sipas fazës në të cilën është shtatzania. Profeti -alejhi selam- ka përmendur katër faza në lidhje me shtatzaninë; faza e lëngut, faza e copëzës së ngjizur, faza e copëzës së mishit ku secila prej tyre ka nga 40 ditë, pastaj faza e fryrjes së shpirtit deri në lindje.
Përderisa ajo është në muajin e parë d.m.th. është në fazën e parë dhe kjo gjë do të thotë se fëmija akoma nuk ka marrë formë të dallueshme. Në këtë rast nëse gruaja ka arsye të konsiderueshme nga ana e sheriatit atëherë ajo mundet të abortojë, kjo sipas fetvasë së komisionit të përhershëm të fetvave në Arabinë Saudite.
“Origjina në lidhje me shtatzaninë e femrës është se nuk lejohet aborti në çfarëdo lloj faze të shtatzënisë qoftë ajo, veçse me arsye të konsiderueshme nga ana e sheriatit.
Nëse shtatzania është në fazën e lëngut d.m.th. ka 40 ditë apo më pak dhe në abortimin e saj ka dobi të konsiderueshme nga ana e sheriatit, apo largim të një dëmi i cili parashikohet se mund t’i ndodhë nënës, në këtë rast lejohet aborti. Kjo nuk futet tek arsyet si; frika nga vështirësia në rritjen dhe edukimin e fëmijëve, pamundësia për të përballuar shpenzimet e tyre, mjaftueshmëria me një numër të caktuar fëmijësh etj. të cilat nuk janë të konsiderueshme nga ana e sheriatit.
Ndërsa kur shtatzania është më shumë se 40 ditëshe nuk lejohet aborti, sepse pas kësaj faze fëmija është copë e ngjizur që do të thotë fillimi i formësimit të njeriut. Nuk lejohet abortimi i tij pasi të ketë arritur në këtë fazë derisa atë ta rekomandojë një komision i besueshëm mjekësh, se vazhdimësia e shtatzanisë është rrezik për jetën e nënës së fëmijës dhe se ajo mund të vdesë nëse vazhdon.”
Shkëputur nga fetvaja me nr. 19337 e komisionit të përhershëm të fetvave të përbërë nga:
Salih El-Feuzan, Abdul-Aziz Alu Esh-Shejh, Abdul-Aziz bin Baz.
Ajo që bie në sy nga fetvaja është se rrethi i arsyeve në fazën e parë është më i gjerë sesa kur shtatzania e kalon atë fazë. Por nuk duhet harruar se arsyet duhet të jenë konsiderueshme nga ana e sheriatit, ndryshe aborti nuk lejohet.

 

Dr. Abdullah Nabolli

Loading...