Pyetje: A është legjitime që në uljen e parë të teshehudit të shtohen dhe salavatet për Profetin, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem?
Shejh Salih el Feuzani: Jo. Nëse personi thotë dy dëshmitë pas et-tehijatit, ai ngrihet dhe nuk vonohet. Përkundrazi, uljen e teshehudit të parë e bën të lehtë (nuk e zgjat).
Pyetje: Në fjalën tonë “Allahumme sal-li ala ali Muhamed”, kush janë “Ali Muhamed”?
Shejh Salih el Feuzani: “Ali Muhamed” thuhet se janë të afërmit e Profetit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, pasuesit e tij, çdokush që ka besuar në të dhe e pason, ai është prej “Alihi” d.m.th. prej pasuesve të tij.
Pyetje: Nëse imami jep selam para se personi t’i kërkojë mbrojtje Allahut të Lartësuar nga katër gjëra,[1] a duhet të japë selam apo të kërkojë mbrojtjen nga këto gjëra edhe nëse vonohet pak (nga dhënia e selamit)?
Shejh Salih el Feuzani: Jo, nuk duhet të vonohet nga imami (pasimi tij) sepse imami është vendosur që të pasohet. Pra, të japë selam pas tij dhe mos të vonohet.
Pyetje: Tausi e urdhëroi birin e tij që ta përsëriste namazin, sepse ai (në teshehudin e fundit) nuk kërkoi mbrojtjen e Allahut prej këtyre katër gjërave. Cila është fjala e shejh Salih në lidhje me këtë?
Shejh Salih el Feuzani: Po, ngase ai ka qenë i mendimit se mbrojtja prej atyre katër gjërave është vaxhib. Ky është mendimi i disa dijetarëve.
Pyetje: Çfarë është për qëllim me sprovat e jetës dhe të vdekjes?
Shejh Salih el Feuzani: Sprovat e jetës janë fitnet që i shfaqen njeriut gjatë jetës së tij, e ato janë të shumta. Sprova e vdekjes është se robi do sprovohet në varrin e tij. Pra, atij do t’i vijnë dy engjëjt dhe do ta pyesin.
Pyetje: Fjala “Allahumme ei’nnij ala dhikrike ue shukrike ue husni ibaadetike”, a thuhet para selamit apo pas tij?
Shejh Salih el Feuzani: Të dyja format lejohen, lejohet para dhe pas selamit. Transmetohet se kjo thuhet duburis-salah dhe këtu është për qëllim fundi i tij, gjithashtu edhe pas namazit. Kush e thotë këtë para selamit ai ia ka qëlluar të saktës, dhe kush e thotë atë pas dhënies së selamit ai ia ka qëlluar të saktës. Kjo ngase secila prej tyre quhet duburis-salah.
Pyetje: Shtesa “ue berekatuh” në dhënien e selamit a saktësohet?
Shejh Salih el Feuzani: Nuk e di këtë.
Pyetje: Nëse personi (në namaz) thotë vetëm “es-selamu alejkum”, a lejohet?
Shejh Salih el Feuzani: Po, lejohet.
Pyetje: Cili është gjykimi i dhënies së një selami të vetëm (kur përfundon namazin)?
Shejh Salih el Feuzani: Kjo mjafton. Ky selam jepet nga ana e djathtë, por më e mira është dhënia e dy selameve (djathtas dhe majtas).
Pyetje: Si arrihet xhemati?
Shejh Salih el Feuzani: Xhemati arrihet me arritjen e një rekati, dhe kjo është e sakta. Prej tyre (dijetarëve) ka që thonë: Xhemati arrihet me tekbirin e tij (personit) para dhënies së selamit nga ana e imamit. Kjo transmetohet në tekstin e “Zadit” ku thuhet: “Kush merr tekbir para se imami të jap selamin e parë, ai e ka arritur xhematin.” Porse e sakta është se xhemati arrihet me arritjen e një rekati të plotë njësoj si e xhumaja.
Pyetje: Disa njerëz ngrihen menjëherë (pas përfundimit të farzit) dhe falin sunetet, duke mos e bërë dhikrin (por e bëjnë pas faljes së suneteve). Cila është këshilla juaj për ta?
Shejh Salih el Feuzani: Kjo është në kundërshtim me sunetin. Suneti është që personi pas dhënies së selamit të bëjë dhikrin e pastaj të ngrihet për faljen e suneteve.
Shkëputur nga mësimi: “Sherhu adab el-mashi ilas-salah”.
Përktheu: Unejs Sheme
———————————————–
[1] Nga dënimi i Xhehenemit, nga dënimi i varrit, nga sprovat e jetës dhe të vdekjes, dhe nga sprova e Mesihu Dexhal.
Dosje: namazi
Të Ngjashme
- Bekimi i të Kuptuarit: Ndërmjet Dritës së Diturisë dhe Hijeve të Pakujdesisë Udha e Besimtarëve
- Zëvendësit e Djallit në Tokë! Dr. Fatmir Strumi
- Një veprim që mund ta bëjë abdesin të pavlefshëm Dr. Fatmir Strumi
- Përmendja e Allahut para gjumit Shejh Meshhur Hasen
- Kremtimi i Mevludit mes dashurisë për Profetin ﷺ dhe ndjekjes së Sunetit (kur lënia e diçkaje është pjesë e Sunetit Dr. Fatmir Strumi